Blushi: Edi Rama ka ngatërruar punën që i ka caktuar kombi!

0
23

voal.ch | 10 tetor 2015

VOAL – Deputeti socialist Ben Blushi në një shkrim ekskluziv për gazetën “Panorama” hedh kritika të forta ndaj Kryeministrit Rama për qëndrimin që mbajti pas humbjes së Kombëtares tonë me atë të Serbisë.

Në këtë analizë, që është kryeartikull i gazetës “Panorama”, Blushi shkruan se edhe pse ekipi kombëtar dhe gjithë shqiptarët humbën ndeshjen, Kryeministri Rama duket se ka dalë i fituar dhe këtë e tregon me mburrje. Blushi shprehet se Rama ka ngatërruar punën që i ka caktuar kombi. Për deputetin socialist, sigurimi i rendit, qetësisë dhe mbarëvajtjes së ndeshjes me Serbinë, nuk është gjë tjetër veçse detyrë e kreut të qeverisë, puna e Kryeministrit.

“Ai mori përsipër suksesin mbi harbimin nacionalist dhe na la ne të tjerëve tentacionin nacional të gabimit. Ai tha se, nëse nuk do të ishte për meritën e tij, ne do të kishim dalë nga kafazi dhe do t’i kishim shqyer serbët, duke ua hedhur kockat në Shkumbin. Ja pra që e ka bërë detyrën. Dhe ja pse duhet të jetë në detyrë: për të na qetësuar, për të na ndryshuar, për të na mbrojtur nga tërbimi që kemi në gjak.

I ka rënë fatkeqësia të drejtojë një vend të marrësh (alienësh), të cilët po mbahen në zap me vështirësi të mëdha, që bota duhet t’ia njohë si meritë atij. Ndërsa ne, si punë. Edi Rama doli si gjykatës i etikës sonë kombëtare. Ai nuk u mburr për ne. Ai u mburr për vete. Ai u soll si një zbutës kombesh. Nëse bota nuk ka njohur një të tillë, ja ku është. I veshur, i qethur dhe i ngjeshur, siç mund të ishte çdo zbutës, pasi del nga cikru ku i duhet të punojë. Por, megjithatë unë nuk besoj se e ka bërë me qëllim.

Nëse kjo që po them mund të duket ngushëlluese, në fakt nuk është. Edi Rama nuk na ka ulur ne. Ai ka dashur të ngrejë veten. Nuk është pra një mision, është një zakon. Por gjeti ditën më të keqe për të na kujtur diçka që e dimë. Dhe meqë gjeti ditën më të keqe, ditën e humbjes, bëri punën më të rëndomtë, që dikush mund të bëjë në një stadium. U mburr me humbjen”.

Blushi shkruan se vetëm dy persona po bëjnë sikur fituan nga humbja e Shqipërisë:
“I pari është Ballist Morina. Ai humbi mundësinë për të parë ndeshjen, por konsolidoi famën e dikujt që po na ndihmon të shkojmë në Francë. I dyti shqiptar që po përpiqet të na bindë se edhe ai ka fituar, është Edi Rama. Këtë të dytin nuk e detyron askush që të japë shpjegime për kënaqësinë që ka marrë nga humbja. Megjithatë ai po e bën. Me patos, me këmbëngulje, me protokoll, me stil, i qeshur, i ngjeshur dhe i veshur. Enkas. Ky kërkon patjetër të na thotë se ai nuk është pjesë e humbjes, se humbja ishte faji i atyre që nuk ishin në fushë, ndërsa sa i takon pjesës tjetër, dekorit, korit, rendit, vendit, policimit, mobilizimit, organizimit, ushqimit, parkimit, largimit, qetësisë dhe kënaqësisë së selfisë, këto të gjitha pra ishin meritë e tij.

Mburrja e padurueshme e Edi Ramës për të gjetur lavdi edhe në disfatë, është edhe më e papranueshme. Është acaruese. Është tregues i një provincializmit, të cilin nuk e kemi hak. Edi Rama u tha shqiptarëve se në Elbasan askush nuk u rrah, nuk u hodh asnjë gur, asnjë shqiptar nuk guxoi të ngrinte zërin për të sharë një serb. Pyetja është pse dyshonte Edi Rama se të gjitha këto do ndodhnin? A thua na njeh kaq pak? Cilin komb mendon ky se po përfaqëson? A ka ngatërruar kombin apo ka ngatërruar punën? Unë besoj se ai ka ngatërruar punën, që i ka ngarkuar kombi”.