Bllokohet ‘shpërblimi’ për pensionistët

0
58

Pensionistet duke marre pensionin

Shekulli, 21.12.2009

TIRANË- Qeveria ka premtuar një shpërblim minimal për 570 mijë pensionistët shqiptarë por edhe kjo shumë duket se do të merret pas Vitit të Ri.

Në kulmin e krizës ekonomike kur qeveria nuk ka më mundësi për të dhënë pagat mujore e jo më shpërblime për festat e fundvitit, kryeministri Berisha premtoi të hapte qesen duke shpërndarë nga 2500 lekë për çdo pensionist.

Premtimi u bë në mbledhjen e qeverisë por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta vënë në zbatim.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore është institucioni që duhet të planifikojë dhënien e shpërblimit të fundvitit për të gjithë pensionistët shqiptarë. Ai do të jepet së bashku me pensionin mujor në zyrat e postës.

Të kontaktuar nga “Shekulli”, burimet e ISSH-së pohuan se ende nuk kanë nisur të hartojnë grafikun e shpërndarjes së shpërblimeve të fundvitit sepse nuk ka asnjë vendim konkret për këtë.

“Ministria e Financave, pas një shqyrtimi tërësor të burimeve ia ka dalë të sigurojë 15 milionë dollarë si shpërblim për pensionistët dhe këto do të jenë 25 mijë lekë për çdo pensionist”,- ka thënë kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar enkas për këtë gjë.

Por premtimi i kryeministrit nuk ka asnjë efekt për institucionet e tjera, të cilat duhet të shohin vendimin e qeverisë dhe më pas të nisin punën.
“Ende nuk ka nisur planifikimi i shpërblimeve të fundvitit.

Ai do të kryhet sipas një grafiku të paracaktuar por nga ana jonë nuk ka nisur puna pasi nuk ka një vendim konkret. Duhet që të dalë vendimi nga qeveria, të publikohet në fletoren zyrtare dhe më pas ne të nisim procedurën e shpërndarjes, e cila do të kryhet nëpërmjet zyrtave të postës”,- thanë burimet e ISSH-së. Ato shpjeguan se pa pasur në dorë një vendim të shkruar nuk mund të nisin procedurat.

Problemit komplikohet edhe për efektin kohë. Vitin e kaluar Instituti i Sigurimeve Shoqërore nisi shpërndarjen e shpërblimeve më datë 20 dhjetor por deri më datë 31 dhjetor nuk u bë e mundur shpërndarja e të gjitha shpërblimeve.

Sportelet e postës u mbipopulluan nga pensionistë, të cilët kanë pritur me ditë në radhë ose janë detyruar që të fusin miq për të marrë shpërblimin që u takonte. Një pjesë e tyre i kanë marrë shpërblimet në janar. Kjo “anomali” u krijua për faktin që janë 570 mijë njerëz dhe koha ishte shumë e pakët.

Dje data shënoi 20 dhjetor dhe qeveria nuk ka nisur ende punën për shpërblimin e pensionistëve. Institucionet janë në pritje të fletores zyrtare ku do të publikohet vendimi dhe më pas do të përcaktojnë datat.

Në këto kushte duket se pensionistët shpërblimin minimal prej 2250 lekësh (250 lekë është tatim që mbahet nga shteti) do e marrin në janar të vitit të ardhshëm. Në janar pritet që të merren edhe pagat e shpërblimet nga institucionet e tjera shtetërore pasi për momentin thesari i shtetit nuk ka para.

**************************************

Shpërblimet do të merren në zyrat e postës së bashku me pensionin. Ja procedura për ata që iu ka kaluar data

Skema e ISSH-së për shpërblimet

TIRANË- Burimet e ISSH-së shpjeguan se procedura që do të ndiqet për 570 mijë pensionistë është një skemë e përgatitur që vitin e kaluar por e cila kërkon disa ditë që të aplikohet. Ashtu si në vitet paraardhëse, edhe këtë vit, shpërblimet për pensionistët do të tërhiqen në zyrat e Postës Shqiptare.

Ditën e parë që do të nisë shpërndarja e shpërblimeve të fundvitit (në varësi të publikimit të vendimi të qeverisë) do të bëhet shpërndarja me dy turne.

Nga ora 08.00 deri në 13.00 të ditës së parë në sportelet e Postës Shqiptare do të paraqiten personat, të cilët kanë datën e tërheqjes së pensionit, të cilët krahas pensionit të përhershëm, do të mund të marrin edhe shpërblimin prej 2500 lekësh të akorduar nga qeveria.

Ndërkohë nga ora 13.00 deri në 16.00 në sportelet e postës do të paraqiten personat që kanë marrë pensionin në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor 2009. Ditën e dytë kjo procedurë do të funksionojë për ata të moshuar që kanë tërhequr pensionin në datat 4, 5 dhe 6 dhjetor, e kështu me radhë, duke bërë të mundur shpërndarjen e plotë brenda një periudhe 10 ditore.

Me këtë skeme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duhen minimalisht dhjetë ditë për të shpërndarë të gjitha shpërblimet e fundvitit. Vitin e kaluar kjo periudhë nuk mjaftoi dhe një pjesë e pensionistëve marrin shpërblimin në janar. Këtë vit, edhe sikur vendimi i qeverisë të zbardhet e të publikohet sot në fletoren zyrtare, nuk mjafton koha për të shpërndarë paratë brenda vitit.

Nga dolën paratë e shpërblimit
Në total qeveria ka parashikuar që fondi i shpërblimeve të fundvitit të jetë 14 miliardë lekë. Por për të gjetur këtë fond qeverisë i është dashur të rrëmojë në arkat e ministrive apo institucioneve të tjera të varura prej saj.

Kësti i parë prej 900 milionë lekësh përbëhet nga 115.000.000 lekë nga fondi rezervë; 300.000.000 lekë, nga fondet e planifikuara për pagesat e interesave të huaja; 485.000.000 nga fondet e planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kësti i dytë pesëqind milionë lekë do të merret nga fondet e programuara në buxhetin e ISSH-së, për vitin 2009.

Urdhri i Bodes pasi Thesari i Shtetit konfirmoi faktin që nuk kishte më para
Nuk ka para, qeveria bllokoi pagat e dhjetorit

Në datë 14 dhjetor, vetëm një ditë përpara se të niste shpërndarja e pagave të 15-ditëshit të parë të muajit, të gjitha zyrat e financës në institucionet shqiptare janë njohur me një vendim të ministrit Bode, i cili pezullonte dhënien e pagës dhe shpërblimeve për punonjësit.

“Me urdhër të Ministrit të Financës dhe me porosi të zv.ministrit, Z. Haldeda, urdhërohen të gjitha degët e thesarit që të bllokojnë plotësisht përdorimin e fondit të veçantë për të gjitha institucionet, deri në daljen e VKM, i cili do të përcaktojë mënyrën e përdorimit të këtij fondi. Nga ora 08:00 e ditës së hënë, ky urdhër do të jetë objekt monitorimi, auditimi dhe kontrolli në periudhat në vazhdim.

Në rast se do të vërehen përdorime të fondit të veçantë pas këtij njoftimi, punonjësit e degëve të thesarit do të ngarkohen me përgjegjësi”, – thuhet në urdhrin e ministrit Bode.

Ndër të tjera, në urdhër theksohet se duhet të njoftohen të gjitha degët e thesarit që në mënyrë absolute të mos kalojnë pagesa të fondit të veçantë. Por, pjesa më e hidhur për të gjithë punonjësit e administratës ishte fjalia e fundit e këtij urdhri.

“Me porosi të drejtorit të Thesarit, ju sqaroj edhe një herë se pagat e muajit dhjetor 2009 (mujore ose 15-ditëshit të parë ose të dytë) do të ekzekutohen vetëm në janar 2010”, – thuhet në fjalinë e fundit të urdhrit të ministrit të Financave, Ritvan Bode.