Biznesi: Po na masakrojnë me gjobat dhe ryshfetin që duhet t’u paguajmë zyrtarëve

0
48

TemA Online, 22 Janar 2013

Dhomat më të fuqishme të tregtisë ankohen se biznesi përballet me raste të shpeshta korrupsioni, kryesisht tek tatimet dhe dogana.

“Ne kemi shumë raporte dhe dëshmi nga anëtarët tanë që na tregojnë se korrupsioni ndodh në baza frekuente dhe që lidhet kryesisht me mbledhjen e taksave. Gjithashtu ka dëshmi edhe për doganat. Njerëzit thonë se u kërkohet ryshfet nga zyrtarët me qëllim që të kryejnë në kohë procedurat e zhdoganimeve”, thotë David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Ne kemi raportime dhe ankesa nga anëtarët tanë për një sërë çështjesh dhe më kryesoret lidhen me zbatimin e ligjit paparashikueshmërinë dhe procedurat arbitrare e administrative në përgjithësi. Unë mendoj se Shqipëria ka një kontekst ligjor të mirë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por vuan nga moszbatimi i ligjeve. Kjo është veçanërisht e theksuar në çështjet e taksave, ato të pronësisë intelektuale dhe në dogana”, tha Andrea Gebbeken, presidente e Dhomës Gjermane të Tregtisë.

Raportet e institucioneve ndërkombëtare si Davos apo dhe Banka Botërore e cilësojnë korrupsionin si një nga faktorët më problematik të biznesit në Shqipëri.

“Ky nuk është vetëm një problem i brendshëm po fjala përhapet tek investitorët e huaj se Shqipëria ndoshta nuk është një vend i mirë për të bërë biznes. Dhe sigurisht që kjo pengon investimet. Kur biznesi detyrohet të paguajë për të bërë biznes, kjo prek likuiditetin e tyre dhe dëshirën e tyre për të qëndruar në biznes”, theksoi Anderson.

“Korrupsioni frenon si investimet e huaja ashtu dhe ato lokale. Nëse ti nuk parashikon dot se çfarë administrata apo autoritetet do të bëjnë dhe nëse nuk mund të mbështetesh në procedura administrative të mirëpërcaktuara, kjo çon në hezitim të biznesit”, shtoi Gebbeken.

Por ryshfetet nuk janë forma e vetme e korrupsionit. Biznesi thotë se edhe mënyra e sjelljes së zyrtareve të qeverisë ndaj sipërmarrësve është një formë që nxit në korrupsion

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar me procesin e hartimit të legjislacionit. Jemi të shqetësuar se Këshilli Konsultativ i Biznesit, i cili supozohet të jetë forumi për dialogun biznes- qeveri nuk funksionon. Mbledhjet zhvillohen rrallë, dominohen nga përfaqësuesit e qeverisë dhe ne nuk ndjejmë se ka një forum efektiv aty për biznesin, ku mund te shtrohen çështjet në mënyrë efektive dhe të gjenden zgjidhjet konkrete”, tha Anderson./TCH