Nga Afrim Krasniqi, botuar ne Shqiptarja.Com, 13.02.2013
Lajmi se në burgun e Spaçit tregu i zi i skrapit po zhduk kujtimet e fundit të ndërtesës muzeale që simbolizon tmerret e diktaturës plotëson bilancin dramatik të sjelljes tonë kolektive me të kaluarën. Nuk kemi të bëjmë me individë të thjeshtë që vendosin t’i kundërvihen me kazëm memories tonë historike, por me biznese, për të cilat memoria ka më pak vlerë sesa tregu i zi i skrapit. Në Spaç media raporton se biznesi ka lidhje të forta me pushtetin. Në Ballsh i njëjti fenomen e lidh shkatërrimin e burgut me një biznes edhe më të afërt me pushtetin. Statuja e pesë heronjëve të Vigut është sharruar për të kërkuar ca kile hekur për skrap, me po atë arrogancë dhe sjelle primitive si edhe shtatorja e Germenjit në Korçë, dhe disa dhjetëra buste e shtatore në qytete të tjera të vendit.
Lidhjet kriminale dhe të biznesit, të nxitura nga fitime financiare afatshkurtra po rrezikojnë të zhdukin çdo element kujtese dhe kulture kombëtare. Në Korçë biznese të tilla me lidhje politike shkatërruan shtëpinë e Pavarësisë. Në Elbasan, Berat, Librazhd, Korçë, Fier, Lushnje, Durrës, etj, janë regjistruar vjedhje apo shkatërrim të qindra e mijëra objekteve kulturore e historike, përfshirë edhe ato që përbëjnë bazën e identifikimit historik. Në kishat e Voskopojës mbi ikonat ende të pavjedhura janë shënuar emra, ditëlindje apo adresa ushtaraësh dhe udhëtarësh, gjurmë që përjetëson shkatërruesin apo grabitësin, por që nuk rikthen më ikonat disa shekullore. Historia me Onufrin ishte e fundit me grabitjet e bujshme, përballë një shteti që pa drojë shpall falimentin e vet në marrjen e përgjegjësive për mbrojtjen e tyre.
Një bilanc edhe më dramatik rezulton në muzetë historike, etnografike apo historike të vendit. 80% e tyre janë mbyllur, elementët muzealë janë zhdukur, ndërtesat kanë ndryshuar destinacion dhe sot më shumë objekte historike ofrojnë vilat private të zyrtarëve të lartë sesa muzetë e mbetura kombëtare. Në mesin e viteve 90 u denoncua marrja e objekteve me vlerë të muzeut për ti dhuruar delegacioneve të huaja që vizitonin Shqipërinë apo për tu bërë qëjfin miqve politikë në kancelaritë perëndimore. Kjo praktikë solli dëme kolosale për koleksionet historike, derisa shumica e objekteve të veçanta të madhësive të vogla u zhdukën, duke na mbetur vetëm fotografi të tyre. Në fundin e viteve 90 e njëjta praktikë abuzimi u përshallëzua me vjedhjen masive (shitjen me kg) të objekteve të vjetra historike, si psh, objektet e Pallatit të Brigadave apo disa muzeumeve në qytete. As për këtë veprim nuk pati përgjegjësi, përkundrazi, praktika vijoi edhe nga zyrtarët pasues. Gjatë dekadës së fundit shumë ndërtesa dhe objekte të tjera muzeale u ristrukturuan nga firma joprofesionale restaurimi, duke u ndryshuar elementët fillestarë identifikues, cilësitë historike dhe tiparet e periudhave të krijimit të tyre. Sot ato nuk dallojnë më nga ndërtesat e reja, duke humbur kështu elementet thelbësorë muzealë dhe historikë.
Absurdi është se si në Kishat e Voskopojës, Korçës, Beratit apo Shkodrës, në amfiteatrin e Durrësit apo Butrintit, ashtu edhe në burgjet e Spaçit, Ballshit apo ndonjë qyteti tjetër, gjendet një tabelë që i cilëson ato objekte të rëndësisë së veçantë dhe monumente kulture që mbrohen nga shteti. Këto tabela ende vijojnë të jenë aty, për të vetmen arsye se nuk janë bërë me material të vlefshëm për skrap, kurse shteti vetë, ka pranuar pafuqinë e ushtrimit të kompetencës së tij, dorëzimin pakushte përpara tregtarëve spekullantë, zyrtarëve të korruptuar dhe abuzuesve të modës së re të memorieve kombëtare.
Shqipëria në 20 vite ka humbur shumë në shanset e saj të integrimit, ka humbur energji pozitive në konfliktin politik pa sens, ka humbur mundësitë të krijojë një shtet të së drejtës dhe drejtësi qytetare, ka humbur investime të huaja, në imazh ndërkombëtar apo në burime njerëzore, por humbja e saj më e madhe dhe më e pakthyeshme është ajo në memorien e saj historike dhe kulturore. Shembulli i burgut të Spaçit është tipik. Shqipëria ishte shteti me diktaturën më të ashpër komuniste, por sot nuk ka më shenja të represionit komunist. Brezat e disidencës kanë vdekur, në botime dominojnë kujtimet promovuese të vetë kupolës së lartë komuniste, objektet e burgjeve dhe internimeve janë zhdukur, dhe tani po zhduken edhe ndërtesat e burgjeve, shenja e fundit që na lidh ende në aspektin pamor me diktaturën. Pas zhdukjes së Spaçit nuk do të kemi më çfarë tu tregojmë brezave, të huajve dhe as atyre qindra e mijëra fëmijëve që u ndërshkuan që në lindje për shkak të represionit ideologjik të sistemit komunist.
Sot në Ashvic apo Yad Vashem mbarë bota mund të shohë telat rrethues, burgun, kabinat e vdekjes, deri edhe flokët e hebrejëve, dushet helmues dhe pajisjen e kalimit të trupave të vrarë në furrë. Pa flalë, duke parë, kushdo brenda pak minutash kupton gjithçka çfarë përfaqësonte Hitleri dhe ideologjia e tij. Po në Shqipëri? Shumë vite më parë disidentja më e njohur shqiptare Musine Kokalari shprehej se në Shqipëri një kilogram llaç ka vlerë më shumë se një kilogram tru. Etiketimi i saj i dhimbshëm por si saktë nuk kufizohet me diktaturën, ajo ka vlerë edhe sot, kur rendja pas një fitimi financiar ka zhdukur e po zhduk gjithçka historike. Dhe kështu, brezat e sotëm po e mësojnë diktaturën në formën më të gabuar: përmes kujtimeve patetike dhe pa vlera të ish kastës drejtuese të diktaturës.
Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, gjithçka ka një shpjegim, – shkruante njeriu që paraljmëroi Perden e Hekurt rreth tetë dekada më parë. Kjo sentencë vlen edhe në rastin tonë. Politika, e cila kujtohet për të përdjekurit vetëm në raste fushatash elektorale, parlamenti që krijon mizaskena pompoze sa herë i duhet retorika antikomuniste, qeveria e cila ka në mesin e saj 6 ish anëtarë të PPSH dhe asnjë të përndjekur politik, – janë trefish bashkëfajtorë me krimin. E para sepse paguhen me taksat tona për ti mbrojtur vlerat muzeale, e dyta sepse janë burimi i mbështetjes për të gjitha bizneset abuzuese, e treta sepse kanë zevendësuar përgjegjësinë e tyre morale me retorika boshe antikomuniste, duke krijuar një identitet dhe imazh të rremë për të kaluarën në shoqërinë e re shqiptare.
Në çdo rast zgjidhja nuk është një aksion disaditor veprimi, as ndonjë arrestim fëmijësh – viktimë të padijes apo nevojave për mbijetesë, as dekoratat e fjalimet patetike në qeveri e parlament. Zgjidhja është e mbetet institucionale dhe gjithëpërfshirëse. Në akte të tilla nuk ka vend për ndarje politike dhe as përjashtime. Derisa të arrijmë ndërgjegjësimin qytetar kemi nevojë për shtet funksional dhe imponim përmes ligjit, rregullave dhe akteve administrative. Ndaj përgjegjesia direkte i përket sistemit ekzekutiv, organeve të tij të hetimit dhe ndjekjes penale, e strukturave të fryra që mbulojnë fushat e mësipërme, e nevojës për një reagim shtetëror e publik sensibilizues dhe afatgjatë, për akte konkrete ndërhyrjeje, restaurimi dhe shpëtimi. Sepse, siç na mëson historia, një shoqëri pa memorie e respekt për veten, jo vetëm që humb të kaluarën dhe sensin e reagimit, por rrezikon të humbë edhe të ardhmen e tij. Ne e kemi humbur të kaluarën, të paktën të shpëtojmë të ardhmen.