Fatos Mahmutaj, 07 korrik 2012
Bir Kalec, bir! Lexova me vëmendje intervistën tënde ku propozon ndryshimin e standardit të shqipes. Kam shumë arsye për të kundërshtuar, por më kryesoret janë: Unë përdor vetëm shqipen standarde, dhe këtë e kam si trashëgimi nga familja; e dyta jam diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi; dhe e treta, jam një nga qindra mijëra shqiptarët që endemi nëpër rrugët e botës ku identifikohemi me krenari me gjuhën dhe kulturën tonë.
‘I nderuar zotri Akademik. M’s’pari, desha me t’than, qi jam dakord me zotrin tuj, vetm pr evolimin e emnit tuj. Na Kolec e bajm Kalec. Kjo asht n’ prshtatje t’ plot me funkcionet e servilizmat e tua n’Partin Demokratike, e injorancn pa hesap, qi t’ka ngarkue (rrnoftë) Doktor Brisha’. Kaq sa për të qënë në rregull, ndaj më poshtë po vijojmë seriozisht.
Unë e kuptoj pozitën në të cilën ju viheni, kur dëgjoni shqipen ‘Zot na ruaj’ të kunatës tuaj kryekuvendore. Po kështu e kuptoj hallin dhe sikletin kur dëgjoni shqipen ‘Futja vrapit’ të atij që të jep bukën e gojës. Por që të arrinit deri këtu nuk e mendoja, të paktën për juve zotëri akademik-qameti.
Po i marrim rast pas rasti: Fjalën ‘gojëtar’, i dashur Kalec, unë që nga hera e parë e kam përdorur pikërisht kështu. Në të njëjtën mënyrë edhe fjalën ‘këngëtar’.
Po kështu kam përdorur edhe fjalët ‘lojtar’ dhe ‘rojtar’. Në fakt kjo është gjuha që përdor e gjithë Mallakastra, (gjithë Jugu desha të të them, por po i referohem vetëm zonës time). Dukesh Kalec, që jeton vetëm në parajsën e Doktor Rrumpallës dhe rruga jote më e gjatë është deri tek Spitali Ushtarak dhe ndonjëherë deri në Institut (Kamëz), ku edhe ke mbledhur bazën e propozimeve për ndryshimin e standardit të gjuhës.
Bir Kalec, bir, ti flet për unifikim rregullash. Besoj se si akademik që je, (më qartësove plotësisht për mënyrën sesi i ke marrë gradat shkencore), e di mirë se një gjuhë e bëjnë të pasur, veç tjerash, edhe format e parregullta dhe rastet e veçanta dhe përjashtimore të fjalëve.
Gjithësesi po vazhdoj: Fjalën ‘antar’ veç teje dhe njerëzit e kalibrit ‘qisha nanën teme’ nuk e përdor kush tjetër. Shqiptarët nga cilado krahinë qofshin e thonë ’anëtar’, por ne ‘popullsia’ dimë të themi edhe ‘amtare’. Sa shumë të djeg fjala ‘hasm’ more Kalec. Që nga momenti kur Doktor Penicilina-UDB-ashi, foli se Kanuni është vlerë aktuale kombëtare, juve të llojit ‘ngujim-gjakmarrje’ ju pëlqen shumë ‘hasmëria’, saqë, atje ju rri mendja gjithë ditën e Perëndisë. Nuk po lodhem të debatoj më tepër për këtë fjalë. Kurse, për ‘ritëm’, doja të thoja, që kjo fjalë është shumë larg injorancës tënde gjuhësore. E shumta ti mund të shkosh deri tek: dru-drunj, hu-hunj, gju-shalë, dushk-dushkarë, myshk-mushkë-mendjemykur apo yndyrë-lyrë-Kalec të doli boja.
Desha të të thoja diçka interesante Kalec. Kam mjaft miq veriorë, nga ata që banojnë ende apo kanë origjinën nga zona e gegërisë. E flasin në mënyrë perfekte shqipen standarde. Madje, do të thoja, që një mik timin tropojan e ngatërrojnë shpeshherë sikur të jetë nga Tepelena apo Përmeti.
E thashë këtë Kalec duke pasur parasysh llafin tënd: “Kështu forcohet sistemi, mënjanohen përjashtimet dhe standardi përvetësohet më lehtë”. Për çfarëlloj përdoruesish e ke llafin ti!? Për ata që përshëndesin: “Aua!”, “Sha ke bo?” apo “Ulu nenj!”.
“Lumë e përrua”, themi ne andej nga anët tona. Në vend që ti Kalec, së bashku më shokët e tu që përmendje tek intervista t’i bëni presion Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera për t’iu mësuar drejtshkrimin injorantëve, bëni krejt të kundërtën, kur tentoni të përshtatni gjithë shqiptarët me nivelin kafshëror të sërës tënde… Bir Kalec, bir!
Nga surrati Kalec më dukesh se po zbaton më përpikmëri porositë që merr nga doktor Penicilina, të cilit i kë shërbyer me zell kur ishe sekretar i përgjithshëm i Presidencës, ndërsa ai të shpërbleu duke të bërë akademik. Tashmë, ti po i kthen nderin, duke futur një pykë në gjuhën e shqiptarëve, dhe, më pas, ta bëni rrugë, derisa të arrini që shqipja stadarde, të jetë ajo e Sali Viçidolit dhe jo ajo e Naimit që përdorim ne sot. Apo Kalec keni folur sipërfaqësisht duke u përpjekur të kamufloni gjëmën që po përgatitni t’i bëni gjuhës së shqiptarëve!?
Mesa duket virusi i Penicilinës tek “Akademikët” qenka i çuditshëm, pasi, në kohë të caktuara, i transformon në kamikazë. Kështu ndodhi edhe me Beqir Mavrinë, kur filloi revolucionin e tij për shkarashkrimin e historisë.
Nëse do kisha një akademik të vërtetë përpara do ta pyesja: A mund të na thuash, sipas renditjes së kamikazëve akademikë, cila fushë ka mbetur për tu shkatërruar? Më vjen keq Kalec, kjo nuk ishte pyetje për ty, por është për profesorin tim të nderuar Mehmet Çeliku. Shoh që ia ke përmendur emrin tek intervista jote, por nuk besoj që profesor Meti, (kështu e kemi thirrur gjithmonë ne studentët e tij), të jetë dakord me histerinë tuaj, apo budallallëkun që iu ka zhytur vrapi prej të marri pas Doktor Çudisë.
Të të pyes për kuriozitet: Nga të gjithë këta koqe akademikë (kupto: kokrra), që ka në dispozicion Saliu, nga të gjeti ty more Kalec-ziu, që në vend t’i vije vetullat, i nxorre sytë!?
Nuk besoj Kalec Mavria, se është më e rëndësishme diskutimi i “ë”-së, përpara masterit fals të Presidentit të Republikës, apo universiteteve që prodhojnë akademikë si puna jote. Hap sytë o i zi, se fëmijët e baballarëve po marrin nga 7 diploma njëherësh dhe doemos do të zënë vendin në shkërdhato-akademinë tuaj.
Po të ishte gjallë Çajupi me siguri do t’i shkruante Konicës: Shqipërinë e mori lumi/ Erdhi dita e qametit/ Shqiptarë zgjohuni nga gjumi/ Mbeti gjuha në dorë të Kalecit.
Ndërsa Konica do t’i përgjigjej: Punë muti, kohë e dhjerë/ Mos u lodh kot more mik/ Vari hejbet Kalec-trapit/ Standardi është Naimi, dhe pikë!
Bruksel, më 5 korrik 2012.