
Nga Skender Minxhozi
Ky është momenti për t’u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjithë atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan tek Ilir Meta, ne emer te asaj cka ai premtoi, qe te behej pjese e familjes se madhe politike te PS dhe aleateve te saj. Eshte koha për t’u bërë të gjithë bashkë kundër kësaj krushqie te turpshme sepse dasma e kryeplakut te politikes se vjeter me nusen e re te xhuvelizmit do ti kushtoje shqiptareve dhe Shqipëria e shqiptaret nuk kane as mundësi dhe as arsye qe te paguajne vijimesisht duke hyre ne borxhe edhe me te medha se keto ku ka hyre sot cdo familje shqiptare per shkak te papergjegjshmerise se qeverise”.
Kjo frazë pasionante dhe plot figuracion, ashtu siç di të flasë vetëm kryetari i opozitës Edi Rama, është marrë nga analet politike të fillim-vjeshtës 2009. Saktësisht ka qenë data 3 shtator, kur një politikan i plagosur rëndë nga humbja e zgjedhjeve, që i kujtonte të fituara në të gjitha kombinacionet e mundshme, po përpiqej të rimerrte veten nga goditja dhe të gjente një kauzë për veten dhe të tjerët rreth tij. Ishin kohë të këqia, kur asgjë s’dukej se kishte më rëndësi dhe peshë, në një ambjent të mpirë nga kompromisi politik PD-LSI, që i kishte dhënë udhë enigmës së numrave për qeverinë e re.
Një kauzë personale, private, e përkohshme, kalimtare, pa peshë, qesharake, sipërfaqësore, hiprokrite. Qëndrimi i ri politik i Ramës pas zgjedhjeve, atëhere kur ende s’ishte rizgjedhur kryetar i partisë, i kishte marrë mbi vete të gjitha anatemimet e mundshme. Vera e nxehtë kishte sjellë bashkë me pushimet, edhe valën e kritikave të një grupi njerëzish, Ben Blushit më së pari, ndaj mënyrës sesi Edi Rama kishte drejtuar fushatën elektorale dhe sesi po përpiqej t’i shmangej detyrimit statutor për t’u dorëhequr nga kreu i partisë. Vetë Rama ishte tërhequr në SHBA, duke ia lënë fushën të lirë kundërshtarëve të tij, të cilët nuk e dinin që kësisoj po harxhonin energji të vlefshme në një mjedis të lodhur veror, ku vështirë se dëgjonte njeri.
Kjo qe panorama e fundit të verës dhe fillimit të vjeshtës. Zgjedhjet e 26 shtatorit në PS, të pazakonta për nga dyshja që garonte, ofronin megjithatë shansin për kreun e opozitës, që të mbyllte kapitullin e shkurtër të dorëheqjes dhe t’i dedikohej “fesë” së tij të re: bojkotit. Ishte një Edi Ramë krejt i ndryshëm nga ai i para 28 qershorit, agresiv, i ashpër me Berishën dhe Metën, maksimalist në ato që kërkonte dhe që do të përmblidheshin në një togëfjalësh të vetëm:
Hap kutitë!
Sot ky togëfjalësh nuk tingëllon më i çuditshëm dhe i pakuptimtë, si muaj më parë. Opozita mund ta justifikojë tashmë pa vështirësi kursin e saj politik të gjashtë muajve të fundit. Në një gjysëm viti bojkoti është kthyer, nga temë periferike, në epiqendrën e debatit politik në Shqipëri. Gjatë këtij harku kohor, kërkesa për hapjen e kutive i dha një kuptim të bërit opozitë në një vend ku parlamenti është shumë shpesh një foltore e kontrolluar pa elegancë nga e zonja e shtëpisë, kurse vetë institucionet kanë humbur çdo peshë dhe formë, përballë konjukturës politike që vlen mbi gjithçka.
Duke ndjekur rrugën e rrezikshme të daljes nga korsia institucionale, opozita ka mundur megjithatë të afishojë në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm një kërkesë, e cila në vetvete tingëllon sot shumë më normale dhe e nevojshme sesa dy, tre apo katër muaj më parë. Hapja e kutive, kjo kërkesë obsesive e Ramës, Ruçit e Dokles, është sot një tezë politike që motivon një diskutim të gjerë politik në të gjitha forumet e shtetit dhe mediat që i pasqyrojnë ato.
Prej momentit kur opozita nisi të dalë ngadalë nga gropa e madhe depresive e humbjes së 28 qershorit, ka kaluar jo shumë kohë.
Këto muaj kanë qenë megjithatë të mjaftueshme që socialistët të nxjerrin disa qindra mijë njerëz në sheshet kryesore të qyteteve të vendit, si dhe të mbledhin gradualisht rreth vetes të gjithë atë nebulozë forcash politike të majta dhe të djathta, të cilat shohin tek dyshja Berisha-Meta, një rrezik afatgjatë. Në këtë trajektore kohore spikat 20 nëntori i vitit të shkuar, kur opozita e trembi seriozisht kryeministrin, i cili shpërtheu pak ditë më vonë në Kuvend, në mënyrën më të turpshme.
Gjashtë muaj kanë parë gjithashtu edhe spostimin e qëndrimit ndërkombëtar, nga raporti final i OSBE-ODIHR, tek rezoluta 1709 e Këshillit të Europës, e cila zyrtarizoi konceptin e krizës politike, futi në lojë presidentin Topi dhe kërkoi hetimin e plotë të zgjedhjeve. Faktori ndërkombëtar ka qenë elementi që dëshmuar ndryshimin më të lexueshëm, në një lojë tërheqjeje litari, ku asnjë palë nuk duket e gatshme të lëshojë pe.
Të enjten opozita zuri vendet e saj në sallën e Kuvendit, në një pjesëmarrje të përkohshme, e cila kushtëzohet nga pranimi i hetimit të gjithanshëm të zgjedhjeve nga maxhoranca. Kjo situatë e re përbën në fakt paradhomën e një stine tjetër të gjatë krize politike, në të njëjtat raporte. Pozita në parlament, opozita në rrugë. Vetëm se, pasi kanë marrë mandatet e tyre parlamentare, deputetët opozitarë kanë këputur të vetmin litar që i mbante lidhur me institucionet. Kjo e bën parimisht më të vështirë pozicionin e qeverisë në këtë krizë që do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Një opozitë që del nga parlamenti, për t’u rikthyer aty vetëm në shtator, mund të krijojë jo pak andralla për menaxhimin e institucionit qëndror të shtetit shqiptar.
MAPO







