Bilanci i munguar i ekonomisë shqiptare

0
21

Adrian Civici

ADRIAN CIVICI, 23.01.2010

Në të gjithë vendet e zhvilluara, dhjetori dhe janari quhen ndryshe edhe si “muajt e bilanceve”. Kjo është më e evidentuar, sidomos në fushën e treguesve dhe problemeve të natyrës ekonomike e financiare. Parlamentet, qeveritë, opozita, institucionet e specializuara, sferat akademike e shoqëria civile, media, etj., i kushtojnë një vend qendror analizave të fokusuara në “arritjet dhe problemet e vitit që mbaroi” dhe “sfidat e problemet që pritet të përballohen në vitin që sapo fillon”. Dhe nga gjithë ky debat kolektiv, filtrohen disa nga dukuritë më thelbësore, të cilat bëhen pjesë e politikave ekonomike e financiare parësore për vitin apo vitet në vazhdim, bëhen pjesë e kujdesit dhe vëmendjes publike, bëhen pjesë e programeve qeveritare apo shqetësimeve konstruktive të opozitës.

Duke filluar nga SHBA, vendet e BE-së, Kina, Japonia, Kanadaja e deri te Brazili, India, Meksika, Egjipti, Maroku, etj., gjatë gjithë këtyre 2-3 javëve të fundit, debati politik, profesional e publik u dominua nga bilancet dhe analizat e këtij tipi. Dhe menjëherë, duke filluar që nga ditët e para të vitit, liderët dhe drejtuesit kryesorë politikë e qeverisës artikuluan deklarata e “paketa masash” për sfidat kryesore të ekonomive dhe financave të tyre në 2010 e në vazhdim.
Ndërkohë, në Shqipëri, kjo kulturë bilancesh duket se ka nevojë të përsoset shumë më tepër. Jemi akoma nën ndikimin, në këtë rast negativ, të politizimit të çdo dukurie e treguesi ekonomik e financiar. Dozat e vlerësimit “politik” mbizotërojnë dhe pothuajse asfiksojnë ato të vlerësimit “teknik apo profesional”. Le të shikojmë disa të tilla: “viti 2009 ishte viti i sukseseve të jashtëzakonshme ekonomike dhe vit i reformave të mëdha”, “Shqipëria nuk u prek absolutisht nga kriza globale”,etj., apo të tipit: “ekonomia shqiptare është në krizë totale”, “reformat mbetën imagjinare e demagogjike”, “vendi është në prag të katastrofës ekonomike”, etj. Shumë pak analiza të mirëfillta “teknike” realizohen, sidomos dhe pothuajse vetëm në media. Çdo vit të ri ne e vazhdojmë me inercinë e të vjetrit dhe vetëm kur ka fushata elektorale përpiqemi të bëjmë bilance qeverisjeje.
Si mund ta vlerësojmë 2009 dhe cilat pritet të jenë sfidat më të rëndësishme të 2010? Gjatë vitit 2009, për të cilin duhet ta pranojmë se nuk ishte një vit “normal”, ekonomia shqiptare u tregua relativisht “rezistente”, duke arritur të kishte dhe një rritje ekonomike pozitive, relativisht të konsiderueshme për këtë vit të vështirë. Përgjithësisht, parë në një kënd-vështrim makroekonomik, duke pasur parasysh dhe efektet e krizës ekonomiko-financiare botërore, Shqipëria u rendit në grupin e atyre vendeve të botës që arritën të mbajnë një rritje pozitive të PBB-së. Por, përtej këtij elementi të rëndësishëm, zhvillimet ekonomiko-financiare të 2009-ës dëshmuan edhe për një ekonomi të brishtë e delikate me shumë pikëpyetje në lidhje me kapacitetin dhe aftësitë e saj për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm afat-gjatë, dhe mbi të gjitha, për të shpresuar në një konvertim të shpejtë me ekonomitë e vendeve të BE-së. Reformat e munguara strukturore dhe domosdoshmëria e “planifikimit” të një modeli të ri ekonomik “post-tranzicion”, duket se do të jenë sfidat më thelbësore të ekonomisë shqiptare në vitet që vijnë. Më shumë se sa na preku direkt, kriza financiare na tregoi dhe na evidentoi shumë qartë defektet strukturore të ekonomisë dhe politikave tona ekonomiko-financiare.
Problemet më të mprehta për vitin 2009 duket se kanë qënë: së pari, deficiti tregtar që vazhdoi të thellohet, duke ju afruar shifrës së 2.5 miliardë eurove, duke u bërë kështu jo vetëm një faktor me ndikim negativ në bilancin e pagesave, por edhe një tregues esencial i dobësive konkurruese të produkteve dhe shërbimeve shqiptare. Ky tregues dëshmon se politikat tona specifike me objektiv “reduktimin e importeve” apo “nxitjen e eksporteve” nuk kanë dhënë rezultate; Së dyti, deficiti ushqimor dhe problemet e modernizimit të sektorit të bujqësisë dhe agro-industrisë. Brenda vetë deficitit tregtar, deficiti në shkëmbimet agro-ushqimore vazhdon prej vitesh të mbetet në raportin 1:10 në favor të importeve.

Sektori jonë bujqësor vazhdoi të ketë rendimente të ulta, nivel mekanizimi e marketingu mediokër, shkallë të ulët organizimi në kuadrin e shoqatave rurale, tërheqje shumë të pakta nga portofoli i kredisë që japin bankat, etj.; Së treti, thellimi i deficitit buxhetor që edhe për vitin 2009 rezultoi më i lartë se parashikimi dhe standardet e deritashme të mbajtura fort, ndoshta edhe si pasojë e prezencës dhe detyrimeve në kuadrin e marrëveshjeve me FMN; Së katërti, thellimi i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, që u ndikuan si nga efektet e krizës financiare ndërkombëtare, ashtu si pasojë e orientimit të shpenzimeve publike nën ndikimin e klimës elektorale të qershorit 2009; Së pesti, rezultatet e dobëta në rritjen e nivelit të punësimit, duke vazhduar të mbetemi në intervalin 12-13% të nivelit të papunësisë, megjithëse punësimi ka disa vjet që është fjala çelës e çdo fushate elektorale apo angazhimi qeveritar, megjithëse në fushatën e fundit angazhimi kryesor ishte ai i hapjes së 30-40 mijë vendeve të reja të punës në vit.
Si realizime më të spikatura të 2009 mund të përmenden: së pari, vazhdimin e politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve, duke ju krijuar mundësi mjaft shtresave në nevojë apo kategorive të ndryshme sociale, që të përmirësojnë fuqinë e tyre blerëse dhe t’i përballojnë pak më lehtë efektet e krizës; Së dyti, stabiliteti që tregoi sistemi bankar dhe ai financiar shqiptar gjatë vitit 2009, duke dëshmuar kështu për soliditetin e tyre dhe duke dhënë një garanci pozitive për cilësinë e tyre. Këtu mund të shtohet dhe roli shumë aktiv i Bankës së Shqipërisë në kontrollin dhe orientimin e tregjeve bankare dhe financiare, si dhe politikën e saj monetare që u bë faktor mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe kontrollin e inflacionit brenda parametrave të miratuar në objektivin e saj; Së treti, rritja e investimeve të huaja direkte në ekonomi, të cilat patën shifra të larta duke i dhënë “oksigjenin” e nevojshëm mjaft sektorëve të ekonomisë.

Natyrisht këtu duhet mbajtur parasysh dhe efekti i privatizimeve, vlerën e të cilave ne e konsiderojmë si investim; Së katërti, madhësia e investimeve publike duke qenë një vit rekord në këtë periudhë tranzicioni. Me përjashtim të faktit që fluksi kryesor i këtyre investimeve u realizua në 6 mujorin e parë të vitit, natyrisht edhe në funksion të fushatës elektorale, ky element ndikoi pozitivisht në rritjen e kërkesës së brendshme, nxitjen e biznesit dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve; Së pesti, përmirësimi i klimës së biznesit dhe sidomos thjeshtimi i mjaft procedurave e dokumentacioni në funksion të hapjes dhe menaxhimit më efektiv të tij.
Viti 2010 pritet të jetë një vit plot sfida për ekonominë shqiptare, ndoshta më i vështirë se 2009. Arsyet e një parashikimi të tillë lidhen me disa faktorë që pritet të veprojnë e të jenë prezent në ekonominë shqiptare. Së pari, vazhdimi i efekteve të krizës globale. Duke parë ecurinë dhe parashikimet për ekonominë evropiane dhe atë të shumë vendeve të tjera të zhvilluara, të cilat shprehen me rezerva për daljen e shpejtë nga kriza dhe stabilitetin e ekonomisë dhe financave të tyre gjatë 2010, është e natyrshme që këto efekte negative do të ndjehen dhe në ekonominë shqiptare, kryesisht në reduktimin e kërkesës së jashtme, vështirësimin e kredisë dhe financimeve të huaja, programet e ndihmës dhe kooperimit ekonomik, etj.; Së dyti, rritja jonë ekonomike pritet të jetë më e vogël se trendi i saj i zakonshëm i viteve të fundit. Dhe, me treguesin e rritjes do të jenë të lidhur edhe mundësitë e investimeve publike, luftimi i deficitit buxhetor, politikat sociale, etj.

Projekti për zvogëlimin me 40 miliardë lekë të shpenzimeve buxhetore për vitin 2010 dhe gjithë efektet zinxhir që pritet të japë një masë e tillë te shpenzimet operative dhe ato kapitale është një element substancial në sfidat e 2010. Së treti, përmirësimi i imazhit financiar e stabilitetit makroekonomik të vendit, në kushtet kur gjatë vitit 2010 pritet të realizohet “besueshmëria e qeverisë shqiptare si institucion kredimarrës” dhe aftësia e saj për një menaxhim të besueshëm të riskut financiar nga ana e një kompanie ndërkombëtare e specializuar. Sa më pozitiv që të jetë ky vlerësim, aq më ulët do të bëhet kosto e borxhit publik në Shqipëri dhe aq më të bindur do të jenë investitorët e huaj për të blerë bono thesari në euro, që Qeveria shqiptare pritet t’i emetojë së shpejti. Së katërti, klima politike e tendosur ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe funksionimi jo normal i Parlamentit do të ndikojnë në ecurinë ekonomike e integruese të vendit.

Përvoja jonë 20-vjeçare e periudhës së tranzicionit njeh disa shembuj që në periudha të ngarkuara politike, ekonomia ka pësuar lëkundje serioze duke rezultuar me tregues aspakt performantë; Së pesti, zvogëlimi i të ardhurave nga emigracioni, të cilat qoftë si efekt i krizës në vendet ku është përqendruar emigracioni jonë, qoftë edhe për arsye të trendeve shumëvjeçare të tyre, po shkojnë drejt zvogëlimit duke krijuar një boshllëk financiar që duhet mbushur. Mbetet për t’u parë se sa të aftë do tregohemi për të gjetur zëvendësuesit e kësaj të ardhure që ka ndikuar mjaft pozitivisht në ekonominë dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve; Së gjashti, si do përballohet tendenca e thellimit të deficitit tregtar? Së shtati, kompensimi i banorëve dhe përballimi i pasojave të përmbytjeve në veri të vendit, si dhe rifillimi normal i aktivitetit ekonomik në këto zona është një sfidë e rëndësishme që duhet përballuar dhe që natyrisht do të ketë ndikimet e saj në financat dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi.