Nga Rudolf Marku, 2 maj 2015
1. Duke lexuar në blog-ët e internetit, ca kohë më parë ndesha në shkrimin që po e riprodhoj më poshtë. I kërkoj të falur autorit të shkrimit që e botoj pa pëlqimin e tij, ngase, ashtu si në shumicën e blog-ëve, autori ka preferuar të mbetet një anonim, kështu që nuk dija se si t’ia kërkoja lejen për riprodhimin e shkrimit të vet:
“…bota aktuale shqiptare, ajo e përditshmja, ajo për të cilën nuk flasin as gazetat, as dhe librat, dhe jo e jo ekranet televizive dhe tribunat, është një orgazëm rurale.
Në të përditshmen tonë nuk ka Einshtein, Nietzsche, Kierkegard, apo Solxhenicin. Nuk ka Moxart apo Vivaldi. Në botën tonë të dhimbshme ka vetëm instinkte, banalitete dhe vulgaritete. Në të përditshmen tonë nuk mund të ëndërrosh. Sepse çfarë shihet rreth e rrotull është një shkretëtirë e madhe klori. Dhe masa cerebrale e shumicës ka prejardhje gëlqerore. Mëri, inate apo xhelozi triumfuese. Miliona forma tragjikekomike tribaliteti. Paradokse. Ka një muzikë surrugato on use.
Një zhgarravinë gjysmë-kombëtare përzier me një të vjellë arabe… Nuk ka arsim. Ka vetëm një tendencë të vakët për të luftuar format më të egra të analfabetizmit dhe një tendencë të zjarrtë për të blerë dijen. Nuk ka prodhim. Ka forma po aq të komplikuara, sa dhe primitive, zejtarie. Nuk ka intelektualë. Ka saldatorë – deputetë ose agronomë – marksistë ose pimpë-politikanë.
Gjenetikisht të lindur për të komanduar. Nuk ka një koncept të vërtetë femëror. Ka një turmë të pafundme fatkeqësh që flenë në haurin socialist të quajtur “Qyteti Studenti”. Nuk ka artistë. Ka prej tyre që artin hyjnor e kthejnë në klube me këngë të shijes së guroreve të Tora-Bora-s. E kuptojnë vonë, kur gurët bëjnë çmos t’ua copëtojnë trupin dhe klori u helmon shpirtin. Por këta nuk janë shkrimtarë. Janë antropologë të mrekullueshëm. Edhe pse kanë frikë të vetëshpallen të tillë.
Këtu nuk ka heronj. Ose më mirë, ka anti-heronj. Kockat e Fishtës lundrojnë lumenjve të ndotur ndërkohë që masturbimi mendor në varrin e Enver Hoxhës është festë zyrtare. E sheh që në shprehjen e fytyrave masturbimin psikik. Nuk ka analistë. Ka fëmijë traktoristësh me gjyshër të panjohur nga fshatra të panjohur të rrethinave të Barbullushit a të Tragjasit. Nuk ka Zot. Ka dhjetëra sekte që u këndojnë Zotave të tyre të panjohur. Ose dhe Zotave të njohur të politikës, mashtrimit, korrupsionit. Nuk ka pronë. Ka ish-pronarë pa tokë dhe morracakë të pasur. Nuk ka rend. Ka mijëra policë të shtrembërt. Nuk ka yje apo udhëtime ndërgalaktike. Ka vetëm një “Ditë të Verës”, dita e madhe e ndotjes nga vegjëlia pagane. Nuk ka Krishtlindje. Ka vetëm një bllokim trafiku dhe shumë policë në datën 25 dhjetor te rruga e Durrësit. Nuk ka animal lovers. Ka qindra vrasës kafshësh të licensuar. Ose të palicensuar.
Ashtu siç nuk ka një kopsht të vërtetë Zoologjik. Përkundrazi, ka disa biruca të pista ku krijesa të pafat shtyjnë ditët e numëruara përballë vizitorëve të shtrembërt nga Marsi që pickojnë, tallin dhe pështyjnë kafshët e gjora. Një lloj urrejtjeje e justifikuar nga xhelozia se kafshët e gjora, jo për fajin e vet, ua kanë zënë vendin shumicës së vizitorëve… I kemi parë banorët e Kopshtit Zoologjik me pamjet më makabre, me zorrë përjashta, të torturuar nga njerëzit, të cilët qeshin sepse e kujtojnë veten qenie më të larta…
Nuk ka urbanizim. Ka një pyll pa formë me kërpudha helmuese betoni. Burgje të shëmtuara moderne betoni dhe pa leje. Nuk ka varreza. Të vdekurit rrinë bashkë me të gjallët. Në një lagje pa kokë. Pa këmbë dhe pa duar. E quajnë Kombinat. Rrethi i 5-të i Dantes. Nuk ka më plazhe. Ka një gropë septike gjigante ku përpëliten, llaçkaviten, shkumohen, infektohen dhe përcëllohen kushërinjtë tanë të parë nga Kosova. Ksamili ashtu si edhe Porto Palermo është kthyer në një krijesë-monstër betoni, pa formë, pa kokë, pa mendime, pa lule, pa krahë, pa këmbë, e pisët, e ndotur, banuar nga fosile të gjalla… nga mijëra bacile…
Nuk ka pyje të vërtetë. Ka pirgje me dru për të ndezur mijëra soba. Nuk ka parqe. Ka plehra të të gjitha llojeve. Nuk ka lule. Nuk i duhen askujt në këtë vend. Edhe po të kishte, askush nuk do të ndalonte një minutë në heshtje për t’i kundruar. Sepse do t’i merrnin për të marrë. Nuk ka meritokraci. Ka shoqni, nepotizëm dhe klanizëm. Ka trashëgimi që ia kalojnë trashëgimisë mbretërore. Përcaktueshmëri që në lindje. Që në Maternitet sheh Kryeministrin e ardhshëm a kryetarin e ardhshëm të Parlamentit, a Ministrin e Jashtëm të nja njëzet e pesë viteve të mëvonshme…
Nuk ka mençuri. Ka dhjetëra dialekte të çuditshme dhe deklarata lufte nga çdo anë. Nuk ka prostitucion. Ka forma të një kurvërie primitive të ngjyer me pak vazelinë të skaduar moraliteti. Çuditërisht, hera-herës shumë e kushtueshme. Nuk ka trimëri. Deklaratat e luftës në politikën tonë i ngjajnë shiut të gurëve kur zihen dy fshatra. Nuk ka individualitet. Ka turmë. Të ndotur me dhimbjen e gënjeshtrës. Nuk ka skulptura. Sepse bustet pozojnë për së gjalli në formën e politikanëve, analistëve, llapazanërisë televizive.
Ndërkohë që Noli ka një bust qesharak, të lyer me varak të lirë. Qesharak është dhe polici pranë tij, qesharakë janë edhe bujtësit në ngrehinën e tij, Parlamentin. Politikanët tanë. Çepanistë, Kuqistë, Tragjatistë, Lufistë, Hormovitë, Dodistë, Pezakë e Dushkistë, Gallatistë, Muhuristë, Raboshtakë e Ishmakë… Nënë Terezës iu vu busti aty ku të vetmit vizitorë janë fantazmat dhe të patreturit nga dheu. Digës së Liqenit Artificial i vihet emri i Lasgush Pogradecit. Ndërkohë që projektuesi i saj kundron i çuditur nga errësira e varrit. No surprise. Shëtitoren pranë Liqenit të Ohrit do ta quajnë Vojo Kushi. Ashtu siç nuk është çudi që së shpejti të kemi një universitet me emrin Ilir Meta, a Tom Doshi.
Rrugët kanë emra të çuditshëm. Zyrtarisht thuhet që janë dëshmorë, por po të lexosh historinë e këtij vendi, Myslym Shyri del një gango fshati. Vrasës i rëndomtë. Bulevardi ishte një ide e Abedin Nepravishtës… Prefekt i kohërave të arta…Natyrisht nuk ka as statujë për të dhe as memorial.. Në të kundërt, deri para pak vitesh statuja e një delinkuenti dhe lokali i tij qëndronin përpara presidencës… Patriotizëm? Jo!
Ka thjesht orgazma kombëtare në raste ndeshjesh futbolli. Sa pak formalitet! Jemi si një bacil i stërmadh me metastaza informaliteti. Kjo është mbretëria jonë lakuriqe. Mbretëria e madhe me zhele që krijon ky fukarallëk mendor oqeanik. Kjo është lakuriqësia jonë e vërtetë, ai fizik i shtrembër që krijoi frika ndaj qytetërimit.”
Nënshkruar– Albi. Pa datë…
2. Nuk besoj se ka ndonjë gazetë në Shqipëri që do ta kishte pranuar botimin e shkrimit të mësipërm në faqet e veta. Por në internet autorit anonim të shkrimit as që i është dashur të mendojë për vështirësitë e botimit të kësaj skice rebele. Sepse interneti ka bibliotekën e vet, librat e vet, gazetat e veta të hapura ku mund të shkruajë çdo njeri, pa marre leje dhe pa çarë kokën për t’iu përshtatur kërkesave të gazetës a shijeve të redaktorit a të kryeredaktorit, a të botuesit. Madje të mos çajë kokën as dhe për lexuesin e vet. Që nga koha e Guttenburgut, interneti është shpikja e dytë e madhërishme e komunikimit njerëzor. Me miliona njerëz shkruajnë, komentojnë, komunikojnë, lexojnë çdo ditë në internet; me mijëra komente dhe fakte të pacensuruara shfaqen në internet krejt të ndryshme nga ai që do të donin të paraqitnin zyrtarët dhe atrofizuesit dhe balsamosësit e mendimit kritik.
Shkrimi i mësipërm i publikuar në internet të befason jo vetëm me guximin, qartësinë dhe rebelizmin, por dhe me mjeshtërinë gjuhësore, me ironinë dhe sarkazmën e papërballueshme. Aq të papërballueshme, sa ata që e ndjejnë veten të fyer nga sinqeriteti ekstrem i shkrimit, janë gati ta quajnë autorin anonim një kokëkrisur rebel, trockist, rrënimtar, cinik. Albi nuk është analist, nuk është opozitar, nuk është partiak, dhe kritikën e tij nuk mund ta kualifikosh askund… Albi më kujton Rudinin e Turgenjevit, a Peçorinin e Lermontovit… Është një klithje e sinqertë e shpirtit që maskohet me cinizmin…
Dhe vlera më e madhe e shkrimit të Albit më duket se është kontrasti i dukshëm me shkrimet që postojnë një kategori maniakësh nëpër blogje; kam parasysh atë grup dështakësh që nuk arritën të bëhen gazetarë a shkrimtarë, sepse janë të dënuar me mungesën e talentit dhe mungesën e kulturës. Dhe sepse mungesën e kulturës dhe mungesën e talentit duan t’i kompensojnë me ligësi. Komentet në internet për to janë si ato shkrimet ilicite me nëntekste perverse seksuale, që shkruanin dikur maniakët nëpër muret e WC-ve… Albi jep kështu paradoksin e madh: të shkruash në lirinë më të madhe në internet, do të thotë të shkruash i penguar me përgjegjësinë e talentit dhe të ndershmërisë. Një pengesë që i jep qenies njerëzore edhe lirinë e vërtetë!