Biberaj: Fryma e zgjedhjeve po zëvendësohet me frymën e emërimeve

0
41

Aleksander Biberaj

Nga MAPO

Si e shihni nivelin e demokracisë së brendshme në PD? Rëndom kjo parti është akuzuar për kult individi dhe për anashkalim të normave që rregullojnë jetën e saj të brendshme?

Fatkeqësisht PD sot, pas 19 vjetësh, nuk është më ajo parti që kemi themeluar në dhjetorin ’90. Një ndër proceset më negative që ka pësuar PD gjatë kësaj kohe, është ngushtimi i vazhdueshëm i hapësirave demokratike brenda partisë, hapësira jetike këto për një Parti Demokratike. Statuti ka kohë që nuk respektohet dhe as zbatohet. Forumet dhe institucionet e partisë gjatë këtyre katër viteve nuk kanë funksionuar pothuajse fare, gjë që ka sjellë nga njëra anë atrofizimin e partisë, dhe nga ana tjetër rritjen dhe fuqizimin e kultit të individit, si dhe përqendrimin e pushtetit në fare pak duar, gjë që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë. Për pasojë kemi humbur qytetet kryesore në zgjedhjet e vitit 2007 dhe nuk kemi fituar në zgjedhjet e vitit 2009 aq vende në parlament, sa për të qeverisur vendin me aleatët tanë tradicionalë. Kjo na ka detyruar që të bëjmë një koalicion jo-natyral me të majtën, gjë që po shkakton edhe kalimin e pushtetit gradualisht tek e majta.

Zoti Berisha nuk ka rivalë në garën për kreun e partisë. A mendoni se është vërtet kandidati i vetëm i mundshëm apo ky është një deformim i vjetër dhe i ri i kësaj force politike?

Modeli i të bërit karrierë brenda PD është tejet i deformuar, pasi mungon konkurrenca dhe hapësirat për fushatë elektorale brenda partisë, mungojnë kandidatët realë alternativë dhe me programe, si dhe fryma e zgjedhjeve brenda partisë po zëvendësohet çdo ditë me frymën e emërimeve. Mungesa e respektimit dhe zbatimit të parimit “Një anëtar, një votë”, politikat përjashtuese që janë ndjekur vazhdimisht ndaj personaliteteve të ndryshme politike me vlera, kontribute, dinjitet dhe integritet, zbehja e frymës intelektuale, mungesa e debatit dhe goditja ndaj mendimit ndryshe, kanë qenë politika që janë implementuar në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme nga lidershipi i partisë, dhe kanë sjellë zhdukjen e konkurrencës në parti, dhe për pasojë edhe mungesën e rotacionit të elitave.

Natyrisht, po ta krahasojmë këtë model politik me modelet ekonomike që zbatohen në treg, kemi një situatë të pastër monopoli, ku në rastin tonë monopoli-lidership përcakton gjithçka në tregun politik, pa pyetur për pasojat që i shkaktohen tregut. Nga shkencat ekonomike, por edhe ato politike, dihet fare mirë që situata të tilla monopolistike përfaqësojnë modele të përkohshme, por edhe të dështuara, që herët a vonë çojnë në kolaps. Atëherë, që të mos kemi situatë kolapsi, duhet patjetër të ndryshojmë modelin që aplikohet sot, dhe ta zëvendësojmë atë me modele funksionale, që i përgjigjen nevojave dhe sfidave të kohës.

Flitet shumë për suksesionin në PD. A mendoni se ka ardhur koha që për një brez figurash të partisë të shtrohet konkretisht problemi i zëvendësimit apo largimit gradual?

Gjykoj se lidershipi aktual, edhe për arsye objektive, gradualisht po e plotëson ciklin e vet, kështu që në këto kushte është më se normale që të shtrohet edhe problemi i zëvendësimit të lidershipit aktual me një brez tjetër politikanësh. Gjykoj se edhe faza e re, në të cilën është futur vendi pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe pas hapjes së rrugës për në BE, por sidomos sfidat e reja që na presin me qëllim anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në BE, kërkojnë modele të reja politikanësh, me mentalitete dhe psikologji bashkëkohore, si dhe me software të rinj, të ndryshëm nga software-t e vjetër që po përdorin politikanët tanë prej disa dekadash, software të dalë prej kohësh nga qarkullimi.

Në vitin 2005 Berisha fitoi shumë përkrahje publike me disa lëvizje që synonin afrimin e të rinjve në PD. Çfarë ju ka mbetur në kujtesë nga ai moment sot, kur duket se pozita e Sali Berishës është më e padiskutueshme se kurrë në krye të partisë?

Ishte një truk i bukur për të rritur vlerën e aksioneve politike në bursë, gjë që edhe u arrit, aq sa i vlente lidershipit. Rrugës pastaj, me shiun e parë, makijazhit i ra boja. Gjithsesi, mbetem ithtar i investimeve afatgjata, që i rezistojnë, jo vetëm kohës, por edhe klimës dhe faktorëve të saj, që i rezistojnë erës, shiut, dëborës, por edhe diellit dhe jo që treten me vesën e parë të mëngjesit.

Si i komentoni zhvillimet e fundit politike në vend? Si mund të zgjidhet, sipas jush, kriza politike mes pozitës dhe opozitës?

Situata është anormale, po përkeqësohet çdo ditë dhe mund të sjellë në situata që ne shqiptarët i kemi kaluar edhe herë të tjera, por nuk dëshirojmë t’i provojmë përsëri. Gjykoj se palët duhet të lënë llogoret dhe të ulen në tryezën e negociatave, të vendosin interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi interesat e tyre personale, partiake, politike apo edhe ekonomike dhe të gjejnë zgjidhje. Kur kanë dashur, për interesa personale, palët i kanë gjetur zgjidhjet, t’i gjejnë edhe tani që janë në lojë fatet e shqiptarëve. Gjithmonë kam qenë dhe mbetem ithtar i negociatave, dhe në politikë ato janë si oksigjeni për njeriun.

Keni qenë përfaqësues i lartë i Shqipërisë pranë organizmave evropiane. Si e shihni rolin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës aktuale në vend?

Faktori ndërkombëtar, me sa po shoh, si jo rrallëherë, po ndjek strategjinë “tërhiq e mos e këput”, strategji e njohur tashmë. Të kuptohemi, problemet tona të brendshme duhet t’i zgjidhim vetë, por, nëse nuk dëshirojmë që t’i zgjidhim vetë, atëherë duhet që patjetër faktori ndërkombëtar të ndërhyjë fort, natyrisht duke qenë i balancuar, i ekuilibruar dhe i paanshëm.