Nga Mero Baze, 3 Prill 2012
Ka tre beteja për presidentin. E para është ajo brenda kampit të Berishës, e cila synon të ndikojë sa më shumë tek Berisha për emrin që do të përzgjidhet. Në atë kamp ka qartazi dy grupe. Grupi me të cilët Berisha ka punuar gjatë si pjesë e PD-së, ku shquhet Topalli dhe drejtues të tjerë të lartë të PD-së si Bode, Patozi, Olldashi, etj., dhe grupi i të rinjve të ofruar pas vitit 2005, mbi të cilët shquhet Lulëzim Basha dhe që është në aleancë të dukshme me Ilir Metën dhe shtypin afër tyre. Për shkak të autoritetit të padiskutueshëm që Berisha ka mbi të dy grupet, beteja nuk është për të kundërshtuar zgjedhjen e Berishës, por për t’i tërhequr atij vëmendjen që të pyesë të dyja palët para vendimit.
Topalli dhe të ngjashmit e saj, që janë më afër nominimit për presidentin, siç shihet nuk po bëjnë kujdes të veshin ndonjë kostum presidenti mbipartiak, por po thellojnë gjuhën radikale të PD-së për ta merituar atë post thjesht si njerëz të PD-së. Në krah të tyre duket se është rreshtuar së fundmi dhe përfaqësuesi i OSBE në Tiranë dhe disa diplomatë të niveleve të dyta, të cilët po tentojnë të zbusin frikën nga një president i PD-së.
Vetë Topalli duket se ka nisur xhiron e saj presidenciale para faktorit shqiptar në Ballkan duke udhëtuar drejt Maqedonisë dhe më pas drejt Kosovës, ndërkohë që si kryetare parlamenti, edhe pse pa pikë serioziteti, ka shëtitur në emër të lobimit për Kosovën, ku i ka dashur qejfi. Udhëtimi i saj i fundit drejt Maqedonisë është interesant, pasi ka si pjesë të delegacionit dhe deputetë socialist, të cilët edhe pse nuk i pranojnë asaj gjuhën e ashpër brenda vendit dhe në foltore, i pranojnë protokollin “kombëtar” si kandidate për presidente.
Grupi i dytë brenda pushtetit, ose më mirë të themi çifti Meta–Basha, shikojnë pak shanse të marrin kandidatin për president, por po bëjnë presion për të kushtëzuar zgjedhjen e tij me poste që vijnë për shkak të funksionit. Duke qenë se janë të dy persona që kanë punë me drejtësinë, aleanca Meta-Basha po kundërshton zgjedhjen e mundshme të Topallit për të shkuar tek pazari i fundit, pazari për emrin e kryeprokurorit, i cili është jetik për të mos rihapur çështjen e Lulëzim Bashës në rrugën Durrës-Kukës dhe më 21 janar, dhe për të mbyllur përfundimisht “kutinë e zezë” të Ilir Metës. Presioni i tyre për të kundërshtuar kandidatin nga grupi i drejtuesve të PD-së shkon deri tek pazari për drejtësinë, ku përveç kryeprokurorit i vjen radha dhe KLD si dhe emërimit të gjyqtarëve kyç në sistemin e drejtësisë.
Berisha, i cili i njeh mirë orekset e të dy palëve, të njerëzve të vet, që janë më të aftë për dekor dhe të çiftit Meta-Basha, që janë më të aftë për pazare, po e menaxhon me qetësi situatën duke u dhënë shpresa të dy palëve.
Beteja e dytë për presidentin është ajo e opozitës. Opozita kërkon një president mbi palët që të dalë nga konsensusi. Në të vërtetë për të realizuar këtë gjë nuk ka më asnjë arsye ligjore dhe politike, por vetëm morale për shkak të traditës së vjetër. Ajo traditë ka marrë fund me ndryshimet kushtetuese dhe opozita nuk ka asgjë në dorë për ta ndalur zgjedhjen e një presidenti të Sali Berishës.
Ajo ka në dorë vetëm të përmbysë Sali Berishën, nëse ka fuqi ta bëjë këtë. E përsëritur prej liderit të opozitës disa herë, kjo kërkesë prodhon më shumë lodhje nervash se sa ngjall ndonjë shpresë. Opozita ka më shumë shanse të bëjë betejë me superpushtetin e Berishës dhe republikën e re, që vendoset pas qershorit, se sa të hiqet zvarrë pas kërkesave që nuk ka nerva t’i dëgjojë askush më.
Beteja e tretë është ajo e faktorit ndërkombëtar, kryesisht atij të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Të gjithë në një zë, ata po kërkojnë një president konsensual, me qëllim që të shmangin një superpushtet të Berishës dhe një kosto të rritur të largimit të tij nga pushteti. Përkeqësimi që mund të pësojë funksionimi i institucioneve pas qershorit, futja nën kontroll të plotë e prokurorisë, gjykatave, SHISH, do t’i shtohen parametrave të këqij të lirisë ekonomike, lirisë së shtypit dhe luftës mes institucioneve që përjetojmë aktualisht. Beteja e tyre për të ndalur Berishën deri më sot është e dështuar. Biles duket se kreu i OSBE ka hequr dorë fare prej saj.
Kërkesat për qeveri teknike, të shfaqura nga grupimet e reja opozitare si AK, do të ishin një mënyrë për ta frikësuar Berishën, por mungon ende mekanizmi që të prodhojë një shumicë të re kundër Berishës në parlament. Berisha është i qartë se me presidentin ai do të ngrejë stekën e kërkesave të tij ndaj Perëndimit dhe do të fuqizojë koalicionin e tij të plasaritur me LSI. Ai do t’i japë siguri Ilir Metës nga drejtësia që do të rrudhet pas qershorit, klani Meta do të ketë garanci të përjetshme dhe se ndërkombëtarët do të ulen pas qershorit në bisedime me Berishën jo vetëm si kryeministër, por dhe si president, kryeprokuror, kryetar SHISH, kryetar KLD etj.
Pazari që mund tu japë Berisha pas qershorit kur t’i ketë marrë të gjitha. me atë që mund tu japë tani është shumë më i mirë për Berishën. Ai mund tu falë ndonjë gjë nga të gjitha gjërat që do të marrë. Dhe ata do të kënaqen, edhe pse do të marrin shumë më pak se ç’kanë tani në dorë, pa i marrë Berisha të gjitha.
Dhurata me e madhe qe Perendia u ka bere njerezve eshte jeta,dhe kjo jete shprehet ne kohe, ne vite, muaj, dite, ore, minuta, sekonda.
Kuptohet qe te shkruash nje artikull, apo te besh nje analize per zgjedhjen e presidentit kerkon kohe, studim, analize, shqyrtim te fakteve, etj.
Si mundet nje njeri ta harxhoje kohen duke lexuar shkrime qe nuk thone asgje, qe s’kane as minimalen ate qe quhet informacion!
Te tallesh me popullin eshte nje mekat i madh, i barabarte me ate te persekutimit.
Kur politikanet, analistet, filozofet nuk jane ne gjendje te thone asgje ne lidhje me njeriun, kjo eshte shenja qe nje shoqeri eshte ne degradim.
Gazetare, analiste, eksperta ne vend qe te luajne rolin e tyre kritike u mbajne thesin kusareve.
Bossi. Umberto, vetem per faktin se akuzohet familja e tij per shperdorime fondesh qe i perkasin partise se tij, dha doreheqjen, ndersa tek ne filmohen duke bere korrupsion, akuzohen direkt per korrupsion dhe jo vetem qe nuk japin doreheqje, por pretendojne qe te caktojne edhe presidentin.
Nje president i tille nuk mund te jete gje tjeter veçse nje buratin apo nje bashkpunetor i tyre per korrupsion ekstremist.
Presidenti eshte figura qe perfaqson popullin, shtetin, vendin. Ai eshte garanti i kushtetutes, i drejtesise, i ligjit dhe prandaj i takon poppullit qe ta zgjedh direkt, ashtu siç behet ne vendet me te zhvilluara te botes.
Comments are closed.