Beteja për votën vazhdon*

0
36

Nga Kerin Hope, “Financial Times

Opozita socialiste në Shqipëri përfundoi të dielën një protestë treditore në qendër të Tiranës duke siguruar se do qëndrojë jashtë parlamentit, derisa qeveria të pranojë rinumërim të pjesshëm të fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, që sollën një rezultat të ngushtë dhe të kontestueshëm.

Slogane që lexonin “Ku është vota ime?” “Hapni kutitë e votimit” projektoheshin në ekrane gjigante jashtë zyrës së Sali Berishës, kryeministrit veteran konservator, që po i reziston presionit për të zgjidhur konfliktin elektoral.

“Edhe nëse do ngrini nga varri Enver Hoxhën (diktatori stalinist i vendit), ju nuk do të mund të hapni kutitë e votimit”, – tha në mënyrë provokuese zoti Berisha.

Përplasja 5-mujore nxjerr në pah, si politikën e polarizuar në vend, ashtu dhe dobësitë e gjyqësorit që ka qëndruar larg ndërhyrjes.

Partia Demokratike e zotit Berisha kishte një për qind më shumë vota se socialistët në zgjedhjet e qershorit, por siguroi një mazhorancë komode në parlament falë mbështetjes nga një grup i shkëputur nga e majta dhe dy parti më të vogla.

Qindra mbështetës socialistë u bashkuan me 64 deputetët e partisë në protestën e dy netëve në bulevardin qendror. Mijëra të tjerë iu bashkuan mitingut dhe një koncerti të hapur.

“Ne kemi të drejtën si qytetarë evropianë të dimë rezultatin korrekt të zgjedhjeve”, – tha Alba Goxhi, një studente nga Vlora.

Edi Rama, lideri socialist dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, tha se protestat do të vijojnë.

“Është kontradiktore që Shqipëria bashkohet me NATO-n dhe po hyn gjithmonë e më thellë në procesin e integrimit evropian dhe ne nuk mund të përfundojmë siç duhet një proces elektoral”, – tha ai.

Një raport nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë tha se zgjedhjet nuk arritën të plotësonin “standardet më të larta ndërkombëtare”.

Vëzhguesit zgjedhorë vunë re shkelje të procedurave në 30 për qind të qendrave të numërimit. Ata raportuan se nëpunësit civilë kërcënoheshin me pushim nga puna, në rast se nuk do të votonin për demokratët.

* Titulli i redaksisë. Titulli në origjinal “Opozita shqiptare bojkoton parlamentin”