Gjergji Vurmo, 29.03.2011
Para se t’i përgjigjem pyetjes së titullit dhe të shuaj mbase kureshtjen e atyre lexuesve, mendja e të cilëve është përpirë tërësisht nga ethet elektorale, më lejoni të parashtroj disa shqetësime (në funksion të përgjigjes) që besoj se duhet të shoqërojnë betejën për Tiranën.
Fatkeqësisht, shumëkush sot jo pa të drejtë druan se përballja elektorale në Tiranë do të jetë një betejë për gjithçka tjetër, përveç Tiranës, halleve të periferisë së saj, kaosit të qendrës, sfidave si kryeqytet i një vendi në rrugën drejt BE-së dhe mbi të gjitha, një betejë tërësisht jashtë orbitës së kërkesave dhe pritshmërive të qytetarit.
Kjo është më se logjike (ndonëse e pajustifikueshme) në kushtet e një konfrontimi politik gati dyvjeçar, ku politika bëri kurban çdo prioritet të qytetarëve, të biznesit dhe të shoqërisë në përgjithësi. Por sa përputhet “logjika” e politikës që kërkon të politizojë shqetësimet e votuesve, me logjikën e qytetarit të cilit normalisht i intereson zgjidhja e problemeve të tij, më shumë sesa show politik? Përse do të duhej të pranonte sot një qytetar të votojë kandidatë partish, që mesa duket do të flasin për gjithçka tjetër përveç alternativave zhvillimore për qytetin, lagjen apo komunitetin?
Problemi kryesor me këto pyetje nuk është fyerja që i bëhet qytetarit prej politikës, por realiteti i papranueshëm i dizajnuar prej saj. Paradoksalisht, pikërisht kjo politikë i kërkon sot qytetarit ta votojë jo vetëm në mungesë të alternativës për qytetin, por më keq akoma, në mungesë të dëshirës dhe vullnetit politik për të hartuar e zbatuar një të tillë. Çfarë i mbetet votuesit potencial sot në Tiranë? Sigurisht që bojkoti nuk është zgjidhje. Një alternativë e mundshme mbetet atakimi i “shurdhërisë” politike parazgjedhore, duke aktualizuar gjithë shqetësimet dhe problemet lokale me të cilat përballet Tirana. Pa pretenduar të jem shterues dhe duke vlerësuar edhe zhvillimin e Tiranës, ja disa prej tyre.
Përse duhet sot votuesi në Tiranë të votojë cilindo kandidat, i cili jo vetëm nuk ka një zgjidhje, por madje mbyll sytë para problemit të ndotjes në kryeqytet? Nivelet e ndotjes së ajrit në Tiranë sot rrezikojnë të shkurtojnë me dy vite jetën e qytetarëve. Ndotja akustike është një tjetër problem, i cili tashmë edhe nga vetë qytetarët po etiketohet si “problem luksi”. Por le të flasim për një tjetër “problem luksi” – çështja e antenave të kompanive celulare mbi ndërtesat e banimit që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve.
A e ka menduar ndonjëherë politika sa vite jetë u merr votuesve të vet duke mos reaguar, ndërkohë që vazhdon të vjelë taksa e tarifa prej këtij aktiviteti (prej pronarëve të tarracave dhe prej vetë kompanive)? Para vetëm pak ditësh një kryefamiljar i ri humbi jetën duke lënë jetimë fëmijët e vet ndërsa po montonte antenën e një kompanie celulare në Tiranë. A ndihet bashkëfajtore politika që vazhdon të tolerojë mungesën e kushteve të sigurisë mu në mes të kryeqytetit? A ndihet bashkëfajtore për ato raste fatkeqësish në kantiere ndërtimi apo për raste të tjera kur ndihma e shpejtë nuk mund të mbërrijë thjesht për shkak të infrastrukturës rrugore? Cila është alternativa që ofron politika në këto prag-zgjedhje për këto shqetësime të qytetarëve të Tiranës?
Përse duhet sot votuesi në Tiranë të votojë cilindo kandidat, i cili jo vetëm nuk ka një zgjidhje, por madje mbyll sytë para problemit të ndërtimeve? Cili ishte ai proces i famshëm i mirëqeverisjes në dhënien e lejeve të ndërtimit që e bën sot një ndërtues (korrekt) të gëzohet për lajmin e marrjes së lejes, siç mund të gëzohet një malësor kur bëhet me djalë pas shtatë vajzash? Më tej, si mund të fyhet kaq rëndë qytetari i Tiranës sot që dërgon fëmijët në shkolla të rikonstruktuara ku shembja e tavanit na qenka diçka për të cilën “bashkia nuk ishte sinjalizuar më parë”(!)? Vërtet besojnë këta mjeranë të politikës se qytetarët do pranojnë të dëgjojnë dokrra të tipit “e ka kush e ka (fajin)” dhe do të votojnë një kandidat apo një tjetër që nuk i jep një zgjidhje konkrete?
Cili është premtimi i kandidatëve për t’u ulur në fronin e pushtetit vendor në lidhje me sigurinë në rrugë? A është aq mendjehapur politika të kuptojë se siguria publike nuk është një çështje që i përket vetëm policisë? A e dinë këta kandidatë minibashkish e komunash në mbarë vendin se janë përgjegjësit kryesorë për cilësinë e jetesës në komunitet, përfshirë sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarit?
A e kanë kuptuar (nëse e kanë dëgjuar) konceptin e policimit në komunitet si instrument i parandalimit të krimit dhe përmirësimit të sigurisë publike, në thelb të të cilit qëndron bashkëpunimi polici – pushtet vendor – qytetar/komunitet? A i kanë hedhur sytë këta kandidatë nga statistikat mbi tendencat e krimit për Tiranën vetëm për 2010-n e të kuptojnë se cilat janë shqetësimet e qytetarëve para se t’u kërkojnë votën? A besojnë vërtet se do t’u mbyllin gojën qytetarëve me justifikime të tipit, “kjo është punë e policisë”?
Përse duhet sot votuesi në Tiranë të votojë cilindo kandidat i cili mbase ka një zgjidhje, por nuk guxon ose nuk i leverdis të flasë për çështjen e decentralizimit dhe fuqizimit të minibashkive si struktura që janë më pranë qytetarit sesa bashkia? A ka ndjeshmërinë e duhur politika që për disa çështje jetike për të tashmen dhe të ardhmen e qytetit mund të kërkojë mendimin e qytetarëve nëpërmjet referendumit vendor (fundja aplikimi i nenit 108 të Kushtetutës nuk është ndonjë mëkat)? Përse duhet sot qytetari i Tiranës të pranojë heshtjen e cilitdo kandidat në lidhje me mbi 200 koordinatorë apo ndërlidhës komunitarë që paguhen (simbolikisht) nga taksat vendore për të mbajtur hapur zyrën e partisë në lagje, ndërkohë që duhet të jenë ura lidhëse mes qytetarit dhe pushtetit vendor?
Cila është strategjia për funksionalizimin e tyre në dobi të qytetarit? A kanë një vizion këta kandidatë për bashkërendimin me organet e dekoncentruara të pushtetit qendror dhe me vetë këtë të fundit, në funksion të qytetarit? Cila është përgjegjësia që do të marrë mbi supe ky kandidat për të mundësuar më në fund ato pak kushte (shërbimi i ujësjellësit, kanalizimet, pastrimi etj.), që do të justifikonin deri diku çmimet stratosferike të banesave në Tiranë?
Së fundi, për t’iu rikthyer pyetjes së titullit – “Përse Arvizu mbështet Ramën (apo Bashën)” – është në thelb po aq irrelevante për votuesin e Tiranës sa çdo pyetje apo kauzë tjetër që i shërben betejës së kandidatëve në kurriz të betejës së vërtetë – asaj të qytetarit për Tiranën. Pyetje dhe kauza të tilla irrelevante, kuptueshëm do të serviren nga politika në funksion të betejës së kandidatit dhe rrugëtimit të tij të lirë larg shqetësimeve të Tiranës…për aq kohë sa ne kundrojmë së largu duelin mes kandidatëve. Por, a nuk ja vlen më shumë të nxitësh dhe të bëhesh pjesë aktive e betejës së qytetarit për Tiranën?
Autori: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim