Beteja për Tiranën, betejë PR

0
63

Endri Xhafo, 30.06.2011

Më 15 shkurt, Edi Rama ndodhej në Strasburg për të lobuar pranë eurodeputetëve çështjen e opozitës. Pas një dite të gjatë me takime, – ku ishte përpjekur të bindte përfaqësuesit e të dy grupeve kryesore, PPE dhe S&D, se opozita shqiptare nuk do t’i bojkotonte zgjedhjet lokale, gjithë duke refuzuar qeverisjen aktuale, – Edi Rama përballet në pasarelën që lidh godinën “Louise Weiss” me “Winston Churchill” me eurodeputeten gjermane Doris Pack.

Të takoje sërish pas një dite të tillë mbështetësen numër 1 të Sali Berishës në një hapësirë të ngushtë ishte paksa e sikletshme, ndonëse pasarela me xham ofronte një pamje panoramike mbi lumin Ill. Por edhe të kthehej mbrapsht do të ishte fare e pahijshme, ndaj vazhdoi pa dëshirë rrugën drejt saj. Kur u afruan i shtriu dorën dhe me një buzëqeshje të sforcuar i tha:

“E di që më urreni, zonjë”.

“Kjo është e vërtetë”, – ia ktheu Doris Pack, që u afrua edhe më, si të donte t’i thoshte një sekret, – “por tani kam filluar të urrej më shumë atë tjetrin”.

Edi Rama nuk e mbajti dot të qeshurën dhe krahët e tij të gjatë rrokën shtatin e imët të deputetes gjermane.

Kjo histori e treguar nga një bashkëpunëtor i afërt i Ramës, i pranishëm në këtë skenë, tregon se përpjekja e opozitës për PR (lexo Pi.aR), po jepte sukses.

Public Relations (marrëdhëniet publike) përcaktohen si një tërësi teknikash komunikimi me synim për të dhënë një imazh të favorshëm të një personi, organizate apo aksioni publik, për të zhvilluar një marrëdhënie besimi dhe vlerësimi.

Që prej vendimit të dytë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelën përmbledhëse të rezultatit, beteja për Tiranën nuk është më një betejë ligjore, por është shndërruar në një betejë PR. Këtë e pranojnë me keqardhje edhe nga opozita, ku duket se shpresat për ta kthyer rezultatin e certifikuar nga KQZ po zbehen gjithmonë e më shumë. Por duke qenë se politika është perceptim, çështja është se si do të perceptohet fitorja (e mundshme) e Lulzim Bashës në Tiranë: si triumf i së drejtës për të vlerësuar çdo vullnet të zgjedhësve apo si ndryshim i rezultatit në tavolinë?

Dy ngjarje na japin të kuptojmë diçka mbi këtë betejë PR, që më shumë se në Shqipëri po zhvillohet në kancelaritë e Europës. E para, dhe më mbresëlënësja për tonin e diskutimit, ajo e takimit të grupit miks parlamentar BE-Shqipëri në Bruksel më 15 qershor, kur komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, kujtoi se në vitin 2007 fletët e hedhura në kutitë e gabuara u konsideruan të pavlefshme, apo kur tha se sipas misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, logjika ligjore në vendimin e KQZ-së për vlerësimin e këtyre fletëve ishte e paqartë.

Në atë kohë eksponentë nga mazhoranca u shprehën privatisht se komisioneri Fyle ishte i majtë dhe i ndikuar nga… Ditmir Bushati! Këto pohime sigurisht nuk u artikuluan kurrë si qëndrime zyrtare të mazhorancës, por te dëgjuesit lanë ndjesinë e një nervozizmi të dukshëm. Të pohosh se një komisioner i Komisionit Europian vepron i ndikuar politikisht do të thotë se, ose nuk e njeh historinë e ndërtimit europian ose nervozizmi ka fshirë arsyen. Por eksponentët kyç të mazhorancës në betejën për Tiranën e dinë se Komisioni Europian, që dikur quhej Autoriteti i Lartë, është organi par excellence i BE-së me karakter supernacional, përkundër Këshillit të Ministrave, organ që funksionon me logjikën e bashkëpunimit ndërqeveritar.

Ky karakter që i vendos komisionerët përmbi qeveritë që i kanë propozuar dhe votuar e ka bërë Komisionin të paanshëm në atë pikë sa vendos gjoba faraonike për firmat amerikane si “Boeing” apo “Windows”, apo jep paraprakisht mendimin e tij për çdo fuzion të rëndësishëm ndërmarrjesh në Europë apo Amerikë, duke vlerësuar riskun që i vjen nga kjo konkurrencës. Kësisoj, Stefan Fyle, çek, pra europian në thelb, nuk do të rrezikonte reputacionin e vet për Ditmir Bushatin (sado i nderuar qoftë deputeti shqiptar).

Ngjarja e dytë, takimi i datës 23 qershor, po në Bruksel, i Kryeministrit Berisha me homologë europianë në Samitin e PPE-së. Ndonëse në faqen e Kryeministrisë kishte një njoftim që fillonte me “takimet dhe bisedat e përzemërta” të Kryeministrit Berisha me kancelaren gjermane, presidentin e Komisionit dhe kryeministrat italian, francez, hungarez, belg etj., ra në sy se njoftimi nuk shoqërohej me asnjë foto dyshe, siç ndodh rëndom në raste të tilla.

Ndonëse kjo mund të ishte për arsye krejtësisht objektive, nga opozita thanë se Kryeministrin nuk e kishte pritur njeri. Por pavarësisht deklarimeve të opozitës, një fakt megjithatë u konfirmua nga burime të pavarura, kur korrespondentja e “Top Channel” në Bruksel raportoi se komisioneri Fyle u takua me kryetarë qeverish, por jo me Kryeministrin Berisha. A ishte kjo vallë shenjë e një hatërmbetje, mbajtje qëndrimi politik apo pamundësi konkrete në axhendat respektive?

Pas kthimit nga Brukseli, eksponentë të mazhorancës u shprehën, gjithmonë jo publikisht, se në Europë e kanë mbyllur tashmë kapitullin e diskutimit mbi vlefshmërinë e fletëve të hedhura gabim. Ata paskan arritur t’i bindin, në mos të gjithë të paktën shumë prej bashkëbiseduesve të tyre europianë, se përderisa Kodi Zgjedhor shqiptar nuk ka një parashikim eksplicit për pavlefshmërinë e fletëve të hedhura gabim, atëherë vullneti i qytetarëve i shprehur qartë me votë, paraprin.

Megjithatë këto janë qëndrime undergound. Për momentin, e vetmja indicie që kemi zyrtarisht në lidhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar është përcaktimi që bën ODIHR në raportin e fundit paraprak, kur shkruan se për misionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it “baza ligjore për hapjen e kutive të votimit ishte e paqartë”. Faktorë të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar janë shprehur se do të presin pikërisht raportin përfundimtar të ODIHR-it për t’u shprehur.

Mendimi i komunitetit ndërkombëtar është vendimtar, jo më për betejën për Tiranën, por për betejën e vitit 2013. Perceptimi i komunitetit ndërkombëtar do të ndikojë pashmangshmërisht në vullnetin e zgjedhësve shqiptarë në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kush është fajtor për humbjen e statusit të vendit kandidat këtë vit: Berisha, që refuzoi dorën e shtrirë të Ramës më 16 maj dhe i shkoi me “kokëfortësi” deri në fund numërimit të çdo vote në Tiranë apo Rama që “me inat” refuzoi të bashkëpunojë për miratimin e ligjeve të rëndësishme, që po mbajnë peng reformat legjislative të vendit?

Gjatë vitit 2009-2010, Kryeministri Berisha ia arriti ta shesë në skenën ndërkombëtare krizën shqiptare, si pasojë të intrasigjencës së lidershipit të opozitës, si një betejë të këtij me shtetin ligjor, si një pamundësi që në emër të transparencës të zhbëhej një vendim gjykate. Por a do t’ia arrijë kësaj here, apo e drejta, e cila teorikisht nuk është kurrë monopol i njërës palë, ka kaluar tashmë në krahun e opozitës? Deri tani Kryeministri ka në favor të tij vendimet e Kolegjit, por opozita thotë se ka faktuar me video manipulimin. Ndaj beteja për Tiranën është shndërruar përfundimisht në një betejë për të rrëmbyer mendjet dhe zemrat e njerëzve.