Mero Baze
U bënë dy ditë që Sali Berisha dhe Ilir Meta po mallkojnë shtypin. I pari është fokusuar tek Filip Çakuli, drejtori i emisionit Fiks Fare, i cili i ka rrëzuar Berishës më shumë ministra se sa ka ndërruar ai vetë. Ky i dyti ka dy- tri ditë që merret me mua, pasi mendon se kam hartuar një plan për rrëzimin e tij. Nuk do t’ia vlente të merreshim me paranojat e njerëzve që po u lëviz karrigia nën vete, por më duhet të ndalem për hir të kolegëve të mi gazetarë dhe atyre që kjo kupolë e plasaritur pushteti kërkon të frikësojë.
Sali Berisha e njeh mirë Filip Çakulin. Ai është një nga themeluesit e Rilindjes Demokratike dhe një nga gazetarët më jetëgjatë në të, mos gaboj ka ikur prej andej diku nga viti 2003, kur ka nisur emisionin Fiks Fare. Nuk dua të fyej kolegun Çakuli duke ju lutur Berishës t’i njohë ndonjë meritë për të si gazetar, por e theksoj këtë fakt pasi Berisha ka ruajtur gjatë qetësinë me kritikat e kolegut Çakuli. Arsyet pse ka disa ditë rresht që bën deklarata zyrtare kundër tij, nuk kanë të bëjnë me Filip Çakulin.
Siç e njeh Berisha dhe ne të gjithë, këto sulme Filipi i koleksionon që t’i ketë subjekte humori në të ardhmen. Këtë Berisha e di mirë. Ulërimat dhe histeritë e tij kundër Filip Çakulit bëhen që të frikësohet gazetaria kritike ndaj tij dhe askush të mos guxojë të jetë në anën e Çakulit nëse ndoshta ndonjë ditë del ndonjë raport mbi jetën e tij si sekretar partie, si urdhërues internimesh apo ndonjë pazar i fëmijëve të tij me sekserët e familjes. Sali Berisha ka vendosur t’i dalë para çdo të keqeje, dhe të shpallë demon gazetarin që të vetmin moment relaksi në ditën e tij të punës ka kur dëgjon Sali Berishën ta shajë.
E theksova më lart se Sali Berisha ka ruajtur gjatë qetësinë me Filip çakulin edhe kur ai e ka tallur, kur e ka ballafaquar me gënjeshtrat e veta, kur i ka denoncuar vjedhjet dhe problemet brenda PD-së. Është hera e parë që Sali Berisha, pasi ka ngrirë raportet me të, e sulmon në mënyrë banale si burracak. Kjo humbje e qetësisë së tij është lakmuesi më i mirë i gjendjes së tij reale shpirtërore dhe makthit ku e kanë futur skandalet e qeverisë dhe familjes së tij. Ai është sot një njeri që më shumë se ne të tjerët, më shumë se Filip Çakuli, më shumë se unë, më shumë se çdo koleg i yni, kërkon të dijë vërtet ç’i ka bërë djali, ç’i ka bërë vajza, ç’i kanë bërë mbesat dhe nipat e pafund të gruas dhe të tij, ç’i kanë bërë kunetërit dhe baxhanakët, kush ka vjedhur dhe kush është kapur…
Janë pyetje ankthi pa fund, që e kanë rrënuar në fytyrë, e kanë mplakur më shumë se sa mosha biologjike, dhe e kanë roitur më shumë se sa lejohet të na përfaqësojë një njeri normal. E kanë bërë thjesht një bishë të egërsuar, që mendon se ai nuk ka faj që vjedh, se nuk ka faj që vret, se nuk ka faj që mbron hajdutët, por kanë faj “lajmësit” që u thonë shqiptarëve të vërtetën. Për ironi të fatit në përvjetorin e 20-të të gazetës së parë pluraliste në vend pas rënies së komunizmit, ai u sforcua të përmendte betimin e tij se “lajmësi nuk preket”, por ka që nga e “marta e zezë” e tij që vetëm me lajmësin po merret. Ka harruar për një moment që në zyrë të Dritan Priftit nuk ka qenë Filip Çakuli, por Ilir Meta dhe e ka pranuar.
Me Dritan Priftin nuk ka folur Filip Çakuli, por Ilir Meta dhe e ka pranuar. Gënjeshtrat për vendime gjyqesh të pamarra nuk i ka zbuluar Filip Çakuli, por drejtësia shqiptare, dhe kjo është e provuar. Pazaret për HEC dhe tendera në Albpetrol në favor të grupeve të dyshimta financiare nuk i ka bërë Filip Çakuli, por Ilir Meta. Qetësia e humbur e Sali Berishës me “lajmësin” në këtë rast dëshmon se ai ka qenë koshient për gjithë çka ndodhur, dhe projekti i tij diabolik për të qeverisur duke vjedhur qenka i bazuar mbi mbylljen e gojës së shtypit. Dhe nuk është se nuk ka arritur suksese në këtë drejtim.
Por siç ndodh rëndom, milionat që harxhon për t’i mbyllur gojën një medie t’i hedhë në ujin e pistë të Lanës qoftë dhe një ekran, qoftë dhe një cep gazete, qoftë dhe një tavolinë emisioni. Përveç vendeve ku diktaturat e kanë me ligj mbylljen e gojës, çdo shoqëri autoritare ku sundon korrupsioni, varfëria dhe despotizmi politik, e ka humbur gjithmonë betejën me zërat kritikë në shtyp. Sali Berisha është thjesht duke i ndërtuar një piedestal lavdie gazetarit që u tregoi shqiptarëve fytyrën e pushtetit të tij, edhe pse realisht nuk e ka me çfarë ka bërë ky gazetar, por me çfarë mund të bëjë.
Për Ilir Metën nuk kam çfarë të them edhe pse ai po merret përditë me mua. Ai është ende në spazmat e dhimbjes nga ikja prej karriges dhe mendon se është krim që një gazetar të angazhohet kundër tij edhe si gazetar, edhe si qytetar. Nuk kam përgjigje për të, pasi ndryshe nga Berisha, ai nuk tremb më askënd, por bërtet me zë të lart që t’i dalë frika nga ata që i rrinë rrotull dhe e shikojnë në sy të zemëruar që u ndërpreu ëndrrën e plaçkitjes së këtij vendi. Le të ikë të qetësohet se ka bërë aq lek sa të shpëtojë prej tyre, por jo prej historisë.