Nga Karl-Peter Schwarz, “Frankfurter Allgemeiner Zeitung”
Shqipëria është pas zgjedhjeve të qershorit larg normalitetit. OSBE ka gjetur se standardet demokratike janë “plagosur” dhe opozita nuk ka ndërmend ta lërë këtë të kalojë në heshtje
Bulevardi i gjerë “Dëshmorët e Kombit” shtrihet përmes qendrës së kryeqytetit shqiptar. Vetëm treqind metra mbi këtë shëtitore, që u ndërtua nën mbretin Zog nga italianët, ndodhet godina e qeverisë dhe Bashkia e Tiranës, por ata ndajnë botë të ndryshme.
Në godinën pompoze të qeverisë, veshur me mermer të bardhë, ndërtuar gjatë kohës së Enver Hoxhës përballë Komitetit Qendror, kryeministri Sali Berisha, optimist dhe me vetëbesim, premton se do përshpejtojë ritmin e reformave maratonë, që Shqipëria pas anëtarësimit të plotë në NATO të afrohet sa më shpejt të jetë e mundur me BE.
Te bashkia, një godinë e stilit të arkitekturës italiane të periudhës së kolonializmit fashist, drejtuesi i opozitës dhe kryebashkiaku, Edi Rama, rrëfen një panoramë të zymtë të një demokracie fasadë ballkanike, në të cilën Sali Berisha, si njeriu më i fortë, e mban pushtetin me të gjitha mjetet, përfshi dhe manipulimet zgjedhore.
Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Shqipëria ka një qeveri, por marrëdhëniet politike nuk janë normalizuar kurrsesi.
65 deputetët e Partisë Socialiste vijojnë të bojkotojnë parlamentin me 140 vende, dhe Rama bën thirrje në mbarë vendin në protesta masive për hapjen e kutive të votimit.
Në një bisedë me pjesëmarrës në një konferencë në Institutin Aspen në Berlin, ai e mbrojti kështu këtë formë beteje, të pazakontë për demokracitë parlamentare: “Në këtë vend nuk ka demokraci të vërtetë, ndaj opozita nuk mundet e nuk duhet që të pranojë një rezultat zgjedhor të manipuluar.”
Ka zgjatur shumë, derisa OSBE bëri publik raportin përfundimtar për zgjedhjet. Ajo bëri të ditur se ishin bërë hapa të prekshëm në krahasim me rrethanat katastrofike, në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet deri më parë, por shtoi gjithashtu se nuk u përmbush potenciali për mbajtjen e zgjedhjeve të standardeve më të larta demokratike.
Edhe kësaj here zgjedhësit u kërcënuan dhe partitë e opozitës u penguan, autoriteti qendror për zgjedhjet nuk reagoi shpejt dhe siç duhet ndaj shkeljeve që bënin zyrtarë të niveleve të tjera, ndërsa numërimi ishte i keq ose shumë i keq në një të tretën e 66 qendrave të numërimit.
“A duhet të tërhiqet opozita, – pyet Rama, – pasi kësaj here u manipulua më pak se zgjedhjet e mëparshme?”
Kryebashkiaku i Tiranës kritikon veçanërisht BE, e cila, sipas tij, toleron kaq lehtë shkeljet e standardeve demokratike në rastin e Shqipërisë, çka nuk do e bënte kurrë me vendet e saj anëtare.
OSBE bën të ditur gjithashtu se administrata publike ishte pjesë e fushatës nën urdhrat e Partisë Demokratike të Berishës.
Në një shkollë në Tiranë, një mësues kishte kërcënuar mësuesit me pushim nga puna, në rast se nuk do të sillnin një foto të fletës së tyre të votimit si dëshmi që kishin votuar për partinë në pushtet. Studentët gjithashtu u kërcënuan se do të ngeleshin në provime, në rast se do jepnin votën e tyre për opozitën.
Por lista me probleme e Ramës është shumë më e gjatë. Të dënuar për krime të rënda, madje dhe për vrasje, u liruan për fushatë që të frikësonin opozitarët. Ligji gjithashtu parashikon se kutitë e votimit mund të hapen me kërkesën e dy anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, por në shumë raste kjo kërkesë u hodh poshtë dhe një padi kundrejt kësaj shkoi në gjykatë.
“Ligjet nuk zbatohen në këtë vend, – thotë Rama, – madje as nga gjykatat”.
Mundësitë ligjore për të sfiduar rezultatin zgjedhor duket se janë ezauruar, por politikisht “ky nuk është fundi i historisë”.
Kryebashkiaku i Tiranës nuk e fsheh pikëllimin, ashtu siç Berisha nuk e fsheh dot gëzimin. Nuk të duhet shumë për ta kuptuar se kush ka humbur e kush ka fituar. Modeli socialdemokrat perëndimor i Ramës, që u aplikua me sukses në kryeqytet dhe që kishte shanse të mira në të gjithë vendin, dështoi për pak vota. Pas kulisave, pasuesit e Partisë komuniste të Punës po mprehin shpatat.
Shokët e vjetër, që u mënjanuan nga drejtimi prej Ramës, shohin shanse në rritje për t’u kthyer. Mbështetja e shpresuar nga BE dhe nga OSBE nuk ka mbërritur, edhe socialdemokratët evropianë duket se nuk janë shumë të gatshëm të ofrojnë solidaritet.
Nëse bojkoti vazhdon, opozita rrezikon të mbetet e veçuar politikisht, në rast se Rama do dorëzohet, do të duket i dobët, ashtu siç e përshkruajnë kundërshtarët e tij.
Hapjen e kutive të kontestuara të votimit e mbështesin edhe ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, por ata dyshojnë, nëse bojkoti i parlamentit është rruga e duhur.
Së shpejti duket se do të jetë e pakuptimtë që të kërkohet rishikimi i rezultati zgjedhor, pasi Komisioni Zgjedhor është gati për të nisur djegien e fletëve të votimit.
Berisha i referohet raportit të vëzhguesve të OSBE dhe rrëzon pretendimet për manipulime. Ai thotë se ankesat e Ramës janë rrëzuar nga Gjykata dhe si kryeministër ai nuk mund të dalë mbi drejtësinë.
Berisha ndryshon temë bisede dhe flet për luftën kundër korrupsionit, ku ndjehet krenar.
Në asnjë fushë tjetër nuk ka qenë kaq e suksesshme qeveria e tij sa këtu: privatizimet, një ligj i fortë për evitimin e konfliktit të interesit, standarde të larta për administratën dhe dixhitalizimi i zyrave të financave – të gjitha këto kanë bërë që korrupsioni të ketë më pak terren.
Shqipëria ka në Evropë një të ardhme të ndritur.
Për këtë Berisha thotë se është i lumtur, pasi, sipas tij, asnjë popull në Evropë nuk ka vuajtur kaq shumë sa populli i tij.