Beteja e fotove

0
54

Nga Artan Lame*, 1 Tetor 2013

Hyrja e Edi Ramës në Kryeministri ka sjellë me vete shembjen e murit të saj rrethues, si dhe fillimin e punimeve restauruese në të gjithë godinën. Ja çfarë po ndodh brenda ndërtesës së qeverisë pas largimit prej aty të ish-kryeministrit Berisha

Dhjetë ditë më parë, nga shkallët kryesore të kryeministrisë u ngjit Edi Rama, më i fundmi kryeministër i shtetit shqiptar. Në këto 10 ditë godina historike po pëson ndryshim fund e majë, jo thjesht për t’i ndërruar pamje meqë ndërroi kryeministri, por për të ndjekur një linjë tashmë të formuar, atë të kthimit në identitet.

Por cili është identiteti i kësaj godine? Treçerek shekulli më parë, në mes të viteve ‘30, filloi të realizohej në terren plani rregullues i Tiranës për zonën në jug të Lanës. Ky plan si element thelbësor kishte zgjatimin e një bulevardi të madh nga Sheshi Skënderbej deri tek Kodra e Pashës, siç quhej asokohe kodra rrëzë së cilës ngihet sot korpusi i Universitetit. Në të dyja krahët e këtij bulevardi do të ngriheshin godinat administrative të shtetit. Nga ky plan, gjatë viteve të ,mbretit Zog, u realizua vetëm faza e parë e tij, ajo e kompleksit të ministrive. Ndërsa pas pushtimit Italian, plani u rishikua me qëllim modernizimin në projekt të godinave që do vazhdonin të ndërtoheshin.

FILLIMI I NDËRTIMIT

Në vitin 1940, u hapën themelet e dy prej godinave që parashikonte ky plan rregullues, ajo që më pas do të bëhej seli e Komitetit Qendror të PPSH dhe, në anën tjetër të bulevardit, ajo që sot është godina e Kryeministrisë. Për një kohë punimet shkuan paralelisht, por më pas për mungesë fondesh dhe për shkak të fillimit të luftës, godina perëndimore u la në nivelin e bodrumeve dhe xokolaturave të katit përdhes. Në krahun tjetër të bulevardit, punimet vazhduan nën mbikëqyrjen e Gherardo Bosio-s që ishte dhe autor i projektit. Pas vdekjes së tij të parakohshme atë vit, projekti u vazhdua më pas nga ndjekësit e tij, të cilët u morën dhe me dizenjimin e ambienteve të brendshme dhe pjesës më të madhe të mobilimit. Vlen të theksojmë këtu një nga dezajnerat e mobilimit të brendshëm të godinës ka qenë edhe Gio Ponti, ndërkombëtarisht i konsideruar si “babai i dizajnit modern evropian”.

Pas përfundimit godina ishte konceptuar si seli zyrtare e Mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri dhe administratës së tij. Por këtë rol e luajti vetëm për pak kohë. Pas pushtimit gjerman godina u përdor për fare pak muaj si seli administrative, ndërsa muajt e fundit të Luftës ajo u përdor madje edhe si spital ushtarak, për shkak dhe të mungesës së hapësirave për trajtimin e ushtarëve gjermanë të plagosur.

Në nëntor 1944 fuqinë në Tiranë e marrin komunistët, të cilët vendosën pushtetin e tyre që do të vazhdonte gjatë, shumë gjatë. Enver Hoxha, i shpallur ndërkaq kryeministër i qeverisë së re, si fillim u vendos në selinë e vjetër te kryeministrisë, që ishte godina e sotme e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. Kujtoj këtu që, me këtë funksion ishte konceptuar dhe ndërtuar ajo godinë, që kur ishte ndërtuar në mes të viteve 30. Enver Hoxha si kryeministër qëndroi vetëm pak muaj në selinë e vjetër dhe, që në prill të ’45-ës u hartua dhe u realizua projekti për spostimin e kryeministrisë në godinën e re ku qëndron edhe sot.

Diktatori komunist qëndroi në atë zyrë derisa hoqi dorë nga posti i kryeministrit në vitin 1954, për të vazhduar ta komandonte Shqipërinë thjesht si sekretar i parë i Partisë së Punës dhe jo më si kryetar i ekzekutivit. Pas tij, në zyren e kryeministrit do të qëndronte për 28 vjet rresht Mehmet Shehu, kryeministri me jetëgjatë në historinë e Shqipërisë. Ndërsa pas vetëvrasjes enigmatike të tij në vitin 1981, për 10 vjet të tjera do të qëndronte Adil Çarçani, për t’u ndjekur më pas nga rreshti i gjatë i kryeministrave të kohës së demokracisë.

NJË MIKS STILESH

Godina e kryeministrisë është ndërtuar në stilin e racionalizmit monumental, me ndikime të forta të ideologjisë fashiste në arkitekturë. Shumica e materialeve për veshjen e saj të jashtme dhe të brendshme, pllakat e mermerit, travertina, blloqet e gurit, u sollën nga Italia, për shkak se në Shqipërinë e atëhershme ishte e pamundur të nxirreshin dhe të prodhoheshin materiale të tilla me atë cilësi që kërkonte niveli i projektit. Gjithashtu nga Italia erdhën dhe të gjitha pajimet e brendshme, mobiliet, pajisjet elektrike, llambadarët, abazhurët, tapiceritë, e kështu me radhë.

Deri në mes të viteve ‘60, shumica e arredimit ishte i palëvizur dhe i pandryshuar, ai i lënë nga italianët që në kohën e luftës. Për këtë arsyet ishin tre: E para, gati të gjithë specialistët e fushës, në Shqipërisë së atëhershme ishin të shkollës italiane dhe, si të tillë, ishin të prirur të mos bënin ndryshime apo ndërhyrje. E dyta, vetë Enver Hoxha personalisht kishte një lloj fetishi konservues ndaj trashëgimisë italiane në vend. Dhe e treta, vetë ky mobilim duke qenë ende i freskët nuk kishte nevojë për restaurim.

Pas viteve ‘60 dalëngadalë gjithë këta faktorë filluan të ndryshonin, gjë që bëri që kohë pas kohe godina dhe brendia e saj të pësonin prekje dhe ndryshime, të cilat filluan të cënojnë integritetin e saj. Në mes të viteve ‘70 godinës ju bë edhe një shtesë e madhe në pjesën e pasme të saj, por duke ruajtur të njëjtën fizionomi dhe pamje të jashtme të godinës ekzistuese. Në këtë kohë u ndërtua edhe salla e re e mbledhjes së këshillit të ministrave, sallë e cila vazhdon të luajë ende sot të njëjtin roj.

Ndryshimet demokratike pas vitit ‘90 bënë që në godinë të vërshonin mobiliet e reja konsumiste dhe të cilësisë shumë të ulët, të cilat zëvendësuan shumicën e arredimit të deri atëhershëm, vërtet ndoshta i vjetruar, por me vlera të mëdha. Ndërhyrja e fundit e fortë në godinë u bë rreth viteve 2000-2004, periudhë në të cilën u zhdukën dhe mobiliet e fundit të mbetura në zonën kryeministrore dhe që kishin qenë ato origjinale të zyrës së Mëkëmbësit Jakomoni e më pas për disa kryeministra rresht, duke filluar që nga Enver Hoxha. Janë pikërisht këto mobilie që u zbuluan vetëm disa ditë më parë në një magazinë të harruar në Shkodër. Keto mobilie aktualisht po i nënshtrohen një restaurimi të thellë dhe do të rivendosen në zyrën e kryeministrit, me shpresën e mirë që nuk do të lëvizin më që andej përgjithmonë.

NJË GODINË QË DUHET SHPËTUAR

Aktualisht përpos të tjerave, godina ka edhe probleme të rënda konstruktive, për shkak se është e ndërtuar me strukturë betonarmeje dhe në të gjithë botën strukturat e vjetra të betonarmesë mbahen nën vrojtim të vazhdueshëm, pasi duke qenë element konstruktiv i njëqind vjetëshit të fundit, akoma është i paqartë reagimi i tij me kalimin e viteve. Nga kjo pikëpamje, godina ka nevojë për një ndërhyrje të thellë studimore dhe më pas përforcuese, ashtu sikundër edhe shumë godina të tjera të kësaj periudhe.

Janë bërë disa herë përgjatë viteve të fundit disa projekte nga universitete italiane për kthimin në identitet të disa prej godinave më përfaqësuese të periudhës së influencës italiane në Shqipëri, por ato kanë mbetur vazhdimisht në letër për mungesë financimi. Shteti shqiptar i ka parë vazhdimisht sikur të mos i ketë të vetat, duke mbërritur në situatën e sotme. Zoti Berisha nuk mund të mburret thjesht duke thënë se nuk ka harxhuar para për të restauruar godinën e Kryeministrisë, pasi kjo në rastin më të mirë është injorancë ndërsa në rastin më të keq është papërgjegjshmëri. Të vesh në rrezik godinat kryesore të shtetit duke u fshehur pas parullave populiste nuk zgjidh asgjë, pasi imagjinoni një situatë tragjiko-humoristike si ajo e Haitit ku, pas tërmetit të disa vjetëve të shkuar, i pari pallat që u rrëzua ishte presidenca e vendit!

Në punimet që po kryhen këto ditë, ne ndërhyrjen e kemi ndarë në dy kohë. Fillimisht jemi duke ndërhyrë në pjesën ceremoniale të godinës, zyrat e kryeministrit, korridoret kryesore dhe salla e madhe e pritjeve. Çdo shqiptar duhet të ndjehet krenar që krerët e vendit të tij të presin e përcjellin të huajt në ambiente dinjitoze dhe jo nëpër ambiente që bien erë e që janë të mbushura me xhingla-mingla plastike.

Mjafton t’ju them se në disa ambiente mermeri origjinal është mbuluar në kohët e fundit me linoleum apo me laminat. Çudira te tilla vetëm në Shqipëri mund të ndodhin dhe e gjitha kjo ose per shkak të injorancës së ndërhyrësve ose për shkak të paaftësisë për të restauruar dyshemetë origjinale. Është fakt i njohur që në Shqipëri nuk ekziston një shkollë restaurimi për trashëgiminë monumentale të shekullit të XX, por nga ana tjetër janë të pafalshme gjurmë të tilla barbarie.

Më pas duhen vazhduar projektet e ndërhyrjeve të thella konstruktive dhe restauruese, për të cilat do të vihemi në lëvizje edhe për të kërkuar donatorë ndërkombëtarë.

Gjithashtu ndërhyrja e tanishme konsiston edhe në heqjen e të gjitha rrethimeve, mureve ndarëse dhe rrethuese, gardheve, telave, kangjellave, portave, kabina rojesh, kabina shoferësh, kabina transformatorësh, gjeneratorësh, rojesh shoferësh, magazina e turlilloj rrangullash të tjera që e kanë rrethuar Kryeministrinë nga të katër anët. I gjithë ky spastrim bëhet jo vetëm për ti dhënë frymëmarrje dhe për ta kthyer sipas projektit origjinal, por edhe për të shtuar kontaktin e publikut edhe nga pikëpamja psikologjike me qeverisjen e vet. Është absurde të mendosh që kjo godinë është konceptuar dhe ndërtuar në kohën e Luftës II Botërore, e lidhur me qytetin dhe pa rrethim ndërsa ne në shekullin e XXI e kishim rrethuar me gardhe dhe tela me gjemba. I bukur avancim i qytetërimit apo jo?

*Revista JAVA