•I larguar nga politika/ Si rrjedh jeta pas një vendimi të tillë me rëndësi për një burrë në moshë, shkrimtari Besnik dhe ish-politikani Mustafaj, tregon për “Shekulli-Fundjava”.
•Në Tiranë zbret për mbrëmje leximi apo për të bërë ndonjë pazar. Disa orë të mira në ditë e gjejnë në tryezën e shkrimit. Në pranverë nxjerr në qarkullim romanin e ri
Luela Myftari, 05.01.2013
–Që Besnik Mustafaj i është larguar politikës kjo nuk është më e re, megjithëse gjë e rrallë në radhët e politikës sonë. Mustafaj nuk është se ka pasur raporte të qëndrueshme me politikën, pjesëmarrës në të për afro dy dekada.
Dikur, 34-vjeçar, pa përvojën profesionale që kërkon zyra, sepse nuk kishte punuar kurrë si funksionar i shtetit, ai përfaqësonte diplomacinë shqiptare në Paris, duke qenë ambasadori i parë i Shqipërisë Demokratike. Pesë vjet më vonë është kandidati i të djathtës përballë Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës, betejë nga doli humbës. Po kaq vite iu deshën që e djathta të vinte në pushtet dhe Mustafaj ta shihte veten ministër i Punëve të Jashtme. Atëkohë kishte të rinj në politikë sa edhe në media që flisnin për një politikë të jashtme apo diplomaci “sipas Mustafajt”. Dhe s’ishte hedhur akoma ai deklaratën për Kosovën e pavarur me kusht që e vuri në pozitë të padëshiruar.
Ndodhi pastaj prishja e marrëdhënieve me kreun e ekzekutivit. Brenda të djathtës u krijua një grup “disidentësh” që sot ka marrë trajtën e një Fryme të Re Demokratike. Mustafaj kishte punuar për këtë ditë por pa u bërë pjesë e këtij rrethi, sepse ai kishte vendosur të largohej nga politika. Kishte vendosur t’i shmangej përsëritjes së ngjarjeve që në të shkuarën i kishin krijuar hendek nga letërsia, nga leximet, nga mungesa e kohës për të shkruar. “Ai mund të jetë tashmë gjithçka tjetër veç jo shkrimtar”, do thoshte Heminguej për të. Se ç’është ky tëhuajëzim i shkrimtarit prej lëndës së vet, Besnik Mustafaj e ka shpjeguar tanimë te “Valixhja diplomatike”.
Si rrjedh jeta pas një vendimi të tillë me rëndësi për një burrë në moshë, shkrimtari Besnik dhe ish-politikani Mustafaj, tregon për “Shekulli-Fundjava”. Në Tiranë zbret kur e ftojnë për një mbrëmje leximi apo prezantim libri dhe për të bërë ndonjë pazar. Disa orë të mira në ditë e gjejnë në tryezën e shkrimit. Në pranverë nxjerr në qarkullim romanin e ri.
Si është një ditë apo një javë e Besnik Mustafajt sot larg politikës?
Unë tani jetoj në fshat, në Priskë. Një ditë e imja fillon me zgjimin e vonë, rreth orës 8.30. Gjatë tri stinëve, pranverë, verë e vjeshtë, rreth orës 9.30 dal në kopsht, ku, për afro dy orë kujdesem për pemët, punoj tokën. Pastaj, ulem shkruaj dy deri në tri orë. Drekën e kam rreth orës 15.00. Për dy orë pushoj dhe lexoj. Pastaj i kthehem përsëri shkrimit për afro dy orë. Darkën më pëlqen ta zgjas. Pastaj përsëri në tryezën time të punës deri në dy të mëngjesit. Ditët e mia këtu në Priskë janë shumë të ngjashme. Pra, e tillë është pak a shumë dhe java, edhe muaji.
Përse keni zgjedhur të jetoni kështu?
Kam zgjedhur të jetoj kështu për të qenë sa më i përqendruar te shkrimi. Nuk kam asgjë më të rëndësishme tani, profesionalisht, se shkrimin.
Në fakt cilën mbani si fillesën tuaj të shkrimeve?
Fillesat e mia me shkrimin janë në moshën e gjimnazit. Asokohe isha larguar nga vendlindja, që është Tropoja dhe jetoja në Tiranë, në konvikt, për të ndjekur shkollën e mesme të gjuhëve të huaja. Siç mund të merret lehtë me mend, në atë moshë drejt poezisë të çon dashuria e parë. Unë nisa të shkruaj vjersha për t’i pëlqyer një vajze, e cila hyri si një meteor në jetën time dhe, natyrshëm, u fik, por la prapa, për të mos u shuar deri në fund të jetës time, lidhjen time me shkrimtarinë.
Njeriu shkon me qenien e vet drejt vdekjes, drejt asaj që ka turbulluar pa ndërprerje mendjen e njeriut. Cili është raporti i Besnikut me të? Nuk është shkruar shumë për vdekjen në shqip, thua se ne nuk e turbullojmë mendjen për të menduar, ndërkohë që ju jeni marrë me këtë temë.
Raportet e mia me vdekjen janë shumë të ndërlikuara. Në qershor të vitit 1987 kam pasur një aksident automobilistik. Për të mos ju lodhur me shtjellime teorike, po sjell ndër mend për ju dhe për lexuesit tuaj një poezi, që kam shkruar pak muaj më pas, kur nisa ta marr pak veten nga trauma e madhe: “Unë vdekjes i qeshë fare pranë”. Kjo është gjëja e parë, që kam shkruar pas aksidentit
Unë vdekjes i qeshë fare pranë,
Me vdekjen u pashë sy më sy.
Mos më pyesni si qe,
Mos ma kërkoni portretin e saj!
Vetëm kaq mund t’ju them:
ish e tmerrshme.
Dhe asgjë romantike nuk kish.
Oh, jetë, e dashura ime që kurrë s’do të plakesh,
Për natë do të fle me ty,
ti për mëngjes të më lindësh fëmijë,
Fëmijë, shumë fëmijë, t’i mbledh në mbrëmje rreth vetes,
T’u tregoj si e dogjën trojanët kalin e drunjtë të grekëve
pa e lënë t’u shkelë në qytet,
S’i dha shpirt Odisea mes klithmash dëshpërimi e
vaj më keq se Akili
Kur ia vranë dinakërinë…
Dy vjet më parë, më 1985-n, kisha shkruar romanin “Vera pa kthim” e ku strumbullari i subjektit është vdekja në tandemin eros-thanatos. Dhjetë vjet më vonë, më 1998-n kam botuar romanin “Boshi”, ku përsëri strumbullari i subjektit është vdekja në po atë ndërthurje: eros-thanatos. Do të më dukej e tepër të zgjatesha me komente rreth konceptit për vdekjen, që unë e kam mishëruar në këto dy romane, të cilat janë përkthyer tashmë edhe në shumë gjuhë dhe për to janë shkruar më shumë se 100 artikuj, ku frymëzimi, që kam pasur unë nga “vdekja”, është ndriçuar në njëqind mënyra, shumicën nga të cilat, unë si autor, as që i kisha menduar kurrë. E përmenda këtë fakt për të thënë se vdekja, përveç perspektivës së vet konkrete e fatale si afat i asgjësimit, përmban një metaforë me interpretime të pashtershme. Unë ndjehem mirë që në prozën apo në poezinë time kam arritur ta vendos vdekjen pikërisht në atë orbitë, që ajo të funksionojë si një metaforë me domethënie universale.
Çfarë mendon shkrimtari Besnik kur lexon veprën e tij të përkthyer?
Nuk i lexoj kurrë veprat e mia të përkthyera. Bashkëpunimi im me përkthyesit e huaj përmblidhet te gatishmëria ime për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre për fjalë apo shprehje, për të cilat ato kanë dyshime.
Cili është libri më i mirë që keni lexuar gjatë këtij viti në shqip?
Libri më i mirë që kam lexuar në shqip gjatë këtij viti është përmbledhja me poezi “Fragmentet e gjësë” e Agron Tufës.
Po punon shkrimtari për diçka?
Sigurisht. Jam në përfundim të një romani, të cilin shpresoj ta kem gati për botim në pranverë.
Mustafaj: Filozofikisht, unë jam evolucionist
Politika, lakmia, ambiciet dhe përpjekjet për të realizuar ëndrrat, përpara largimit nga politika
Nuk kishte si të mungonte figura e tij prej ambasadori dhe trajtimi i politikave që Mustafaj ka ndjekur. Kemi zgjedhur t’i themi Besnik si shkrimtar dhe Mustafaj si ambasador dhe politikan. Ai na rrëfen se është larguar nga politika sepse i realizoi të dyja ëndrrat që i vuri si qëllim vetes. E pyesim edhe mbi revolucionet dhe ai na përgjigjet duke uruar që të mos kemi më nevojë për kryengritje dhe revolucione.
Pushteti politik përbën shpesh realizimin e një ambicieje personale. Ka qenë edhe për ju kështu?
Pushteti politik ka përbërë për mua pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në realizimin e dy ëndrrave të shenjta. Pra, është diçka shumë më e madhe se një ambicie. Ëndrra e parë është krejt personale dhe prek arritjen e lirisë, domethënë, krijimin e kushteve politike që unë ta shkruaj veprën time në liri dhe fëmijët e mi të rriten të lirë. E dyta është një ëndërr e trashëguar brez pas brezi në familjen time, të paktën që nga gjyshi, i cili ka qenë me ndikim përcaktues në brumosjen time si burrë e si shqiptar. Është ëndrra për ta parë Kosovën të çliruar nga sundimi i Beogradit dhe për më tepër të pavarur. Fati e solli të jem në një pozitë që ta ndihmoj sado pak realizimin e pavarësisë së Kosovës. Fakti është se sapo e realizova edhe këtë ëndrrën e dytë, unë hoqa dorë nga pushteti politik me vullnetin tim të plotë. Pushteti politik nuk më interesonte më.
Çfarë është lakmia për ju? A ngjalli eksperienca juaj politike lakmi?
Lakmia për mua është një nga veset më të dëmshme për vetë atë që e ka, por që sjell pasoja të dëmshme edhe përreth, tek ata që i lidh puna apo rastësia me lakmitarin. Me të drejtë Jezusi e përcakton lakminë si një nga shtatë mëkatet fillestare. Nuk e di nëse ka ngjallur përvoja ime politike lakmi. Nuk kam sy për të parë gjëra të tilla tek ata që më rrethojnë. Me siguri, mund ta them se, përvoja ime politike ka ngjallur respekt. Edhe sot, që jam krejt jashtë politikës, më ndalin në rrugë plot njerëz të njohur e të panjohur e më shprehin respekt me fjalë të ngrohta për të kaluarën time politike. Mua kaq më mjafton.
Si veproni kur ju duhet një mendim i mençur?
Nuk e di si ndodh me të tjerët, por mua më nevojitet gjithë kohën mendimi i mençur. Për këtë përpiqem, më së pari, që mendjen time të mos e kem kurrë në gjendje të fjetur. Pastaj janë edhe përvojat e mia, e të të tjerëve që më ndihmojnë të arrij te mendimi i mençur. Unë nuk jam një njeri me besim të tepruar te mençuria ime, çka më ka shtyrë gjithmonë të dëgjoj me vëmendje mençuritë e të tjerëve e t’i mbaj vëth në vesh.
Cili është ai mendim apo ajo tërësi mendimesh që ju bën të ruani ekuilibrin brenda vetes dhe me botën që ju rrethon?
Besoj se janë disa gjëra që më ndihmojnë të ruaj ekuilibrin brenda vetes dhe me botën që më rrethon, të jem në paqe, pra, me veten dhe me botën. Thashë pak më lart se nuk jam lakmitar. Por unë nuk kam brenda vetes as urrejtje. Nuk kam as shtysa hakmarrjeje. Nuk i kam pasur kurrë. Asnjë vendim në jetën time nuk e kam marrë kundër dikujt apo për inat të dikujt. Gjithçka kam bërë e vazhdoj të bëj, e bëj për ta realizuar vetveten. Dhe vetvetja realizohet përmes marrëdhënieve me të tjerët, qoftë brenda mjedisit të vogël të familjes e qoftë brenda mjedisit të madh të shoqërisë. Kështu funksionoj unë dhe kam gjetur natyrshëm atë që ju e quani me të drejtë ekuilibër i dyfishtë: edhe me veten, edhe me botën. Jam 54 vjeç dhe kurrë nuk më kanë parë të destabilizuar apo në gjendje paniku, pavarësisht sfidave, me të cilat më është dashur të përballem e që kanë qenë në shumë raste sfida nga më të rëndat për një burrë.
Çfarë mendoni për revolucionet dhe kryengritjet?
Fati e solli që unë, domethënë brezi im, të bënim një revolucion. Urimi im nga fundi i zemrës është që fëmijët e mi e as fëmijët e tyre të mos kenë më nevojë të bëjnë revolucione apo kryengritje. Filozofikisht, unë jam evolucionist. Besoj se evolucioni, gradualiteti, sjell përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës.
Si ju duket politika e ndjekur në Shqipëri gjatë 2012-s?
Jo politikë (duke na lënë të kuptojmë se ai e ka fjalën për tërheqjen e tij nga politika).
Një ditë nga jeta larg rrëmetit
Shkrimtari dhe ish-politikani vjen në “Shekulli Fundjavë” për të na rrëfyer edhe zgjedhjen e tij për të jetuar në Priskë, në ajër të freskët dhe të pastër, pranë malit. Ai ka filluar punën për një roman të ri, ndaj edhe kjo zgjedhje i shkon më për shtat realizimit të saj. Besnik Mustafaj nuk heziton të na tregojë se format e tij trupore rrëfejnë për një marrëdhënie të mirë me ushqimin.
Çfarë kujtoni me nostalgji nga fëmijëria juaj?
Nga natyra unë nuk jam nostalgjik. Por, për hir të pyetjes tuaj po bëj një përpjekje. Do të thosha, pra, se gjëja që e kujtoj vërtet me mall nga fëmijëria, është aftësia që kisha në atë moshë për të ushqyer brenda vetes dëshira të parealizueshme. Kjo e ka zhvilluar shumë imagjinatën time. Me kohë e kam humbur këtë aftësi dhe më vjen keq.
Sa kohë shpenzoni me pjesëtarët e familjes suaj?
Unë gjithmonë kam shpenzuar maksimumin e kohës me familjen time. Unë nuk dal kurrë nga shtëpia pa pasur një arsye të fortë: një takim që vlen, një mbledhje, një punë. Më parë, kjo kohë me familjen ka qenë më e pakët për shkak të angazhimeve që kisha. Tani është dukshëm më e madhe. Por, tashmë, familja është zvogëluar. Djemtë kanë jetën e tyre, që do të thotë se kanë më pak kohë për mua, ashtu siç kisha unë më pak kohë për ta kur isha në moshën e tyre. Tani kaloj shumë më tepër kohë me babain tim, që është i moshuar dhe kjo është një nga kënaqësitë e fituara me largimin nga politika. Dhe sigurisht me Donikën, gruan time.
Jeta në fshat i ka ndryshuar raportet tuaja me ushqimin?
Me ushqimet kam marrëdhënie shumë të mira. Volumet e mia trupore e tregojnë fare qartë këtë gjë. Me gatimin, gjithashtu, kam marrëdhënie të mira, sado që gruaja ime nuk më jep shpesh rastin të gatuaj.
Biografi
Besnik Mustafaj (1958) punoi mësues në rrethin e Tropojës, gazetar në “Zërin e Popullit” në fillim të viteve ’80, përkthyes në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste, për t’u bërë më pas pedagog në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1990 angazhohet në Lëvizjen e Dhjetorit për rrëzimin e regjimit komunist. I ofrohen disa poste politike, nga të cilat pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë. Gjatë veprimtarisë së ngjeshur politike, nuk hoqi dorë nga letërsia. Është autor i “Motive të gëzuara”, “Pragu i verës”, “Fytyrë burri”, “Bregu i lumit të kthjellët”, “Vera pa kthim”, “Shqipëria, midis krimeve dhe mirazheve”, “Një sagë e vogël”, “Daullja prej letre”, “Ditari i një ambasadori në Paris”, “Boshi” dhe i shumë shkrimeve të tjera. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës.