TemA, 8 Janar 2013
Besnik Mustafaj, ish- ministër i Jashtëm dhe aktualisht pjesë e Partisë Demokratike, në një shkrim për Panorama komenton fushatën e linçimit që ka ndërmarrë Partia Demokratike ndaj Kosta Barjabës.
“Aq e madhe ngjan tronditja që ka shkaktuar në vendin e shqipeve “bëma e bandës Barjaba”, sa, për një sy të parrahur me realitetin shqiptar, shoqëria jonë do t’i ngjante një shoqërie mirëfilli puritane. Dhe me të drejtë. Cila shoqëri tjetër në botën e sotme do të tronditej kështu nga kulmi në themel pse një anëtar i saj paska dashur të përvetësojë 283 dollarë? Asnjë,” shkruan Mustafaj.
Ai thotë se PD nuk mund të ndërmarrë këtë fushatë, bazuar tek një fakt i pakonfirmuar nga Drejtësia.
“Përtej faktit të paprovuar ende nga Drejtësia nëse ka ndodhur apo jo ajo që thuhet, ne pamë e po vazhdojmë të shohim në këtë rast një fushatë të vërtetë linçimi, në të cilën janë përfshirë me zell të madh dhe me verbëri e anakronizëm po aq të madh strukturat më të larta politike e civile, në të cilat presupozohet se është e përqendruar ajka e shoqërisë tonë.
Gjykuar mbi përdorimin publik që po i bën Partia Demokratike këtij episodi, jepet përshtypja se kjo parti beson se gjeti kalin e betejës me të cilin do ta dërrmojë kundërshtarin e vet deri në zgjedhjet e ardhshme, për t’i fituar me siguri këto zgjedhje. Unë jam njëri nga themeluesit e kësaj partie, katër herë deputet i saj në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e para të lira më 1991-shin e deri në vitin 2009. Sot jam anëtar i Këshillit të saj Kombëtar. Dhe jam krenar për kontributin në këtë Histori. Por, pikërisht në emër të kësaj Historie, nuk mund të pajtohem me sjelljen publike dhe politike të Partisë Demokratike në këtë rast. Një forcë politike që beson te shteti i së drejtës, nuk mund ta fusë në komunikimin e saj publik një fakt të pakonfirmuar nga Drejtësia,” shkruan Mustafaj.
Madje ai shkon më tej kur thotë: “Ndërmarrja dhe udhëheqja e kësaj fushate linçimi ndaj familjes Barjaba, në dhunim të plotë të parimit të prezumimit të pafajësisë, por në shërbim të një përfitimi politik, qoftë edhe të përkohshëm, nxjerr në pah jo vetëm hipokrizinë, por edhe një cinizëm e shpirt cingun të pashoq të udhëheqjes së kësaj partie”.
Kritika rezervon Mustafaj edhe për opozitën.
“Udhëheqja socialiste iu bashkëngjit me një nxitim prej frikacakeje fushatës linçuese ndaj Barjabës, nisur nga Partia Demokratike duke hedhur nga ana e vet e sipas stilit socialist gurët e baltën, që kishin në dorë. Partia Socialiste po ashtu nuk tregoi se ka ndonjë lidhje të qëndrueshme me prezumimin e pafajësisë si parim thelbësor i shtetit të së drejtës”.
Në fund Mustafaj ka një mesazh për fëmijët e Barjabës.
“Dhe një fjalë përmbyllëse do e kisha me zemër në dorë për djalin e Kostës, Ilirin, të cilin e kam takuar vetëm një herë rastësisht në rrugë, por që i kam lexuar disa shkrime me vlerë. Ai nuk duhet të thyhet e të dekurajohet për shkak të hipokrizisë, të cinizmit e të mungesës së parimësisë me të cilën u sollën përfaqësuesit e lartë të shoqërisë sonë ndaj prindërve të tij. Kjo fjalë vlen edhe për motrën e tij më të vogël. Iliri dhe moshatarët e tij, shpresoj unë, do t’i bëjnë analizën e tyre kësaj ngjarjeje dhe të kuptojnë më mirë si të luftojnë për ta ndryshuar Shqipërinë. Prej tyre, pres unë, ndryshimin e vërtetë, i cili nuk ka të bëjë aspak me arnimet që kemi bërë ne, prindërit e tyre gjatë këtyre njëzet vjetëve”.