Nga Mero Baze, 2 Mars 2012
Kuvendi i Lezhës gati 600 vjet më parë ka vetëm një simbolikë në kujtesën historike të shqiptarëve, atë që për herë të parë krerët e fiseve shqiptare u bënë bashkë dhe pranuan të luftojnë të bashkuar kundër një pushtuesi. Dhe nëse vlen ndonjë herë për tu kujtuar kjo ngjarje, vlen vetëm nëse ia arrin kësaj simbolike. Sali Berisha bëri pikërisht të kundërtën. U nis drejt Lezhës jo vetëm i vetmuar, por dhe me një urrejtje të madhe ndaj çdo shqiptari tjetër që është pjesë e shtetit, pushtetit apo politikës në këtë vend.
Urrejtjen më të madhe e demonstroi ndaj Presidentit të Republikës. Presidenti ishte i ftuar të merrte pjesë dhe të fliste në Lezhë sipas Bashkisë dhe Protokollit të Shtetit. Por një ditë para, Sali Berisha ka përmbysur gjithçka. Ka ndryshuar programin dhe Protokollin e Shtetit dhe e ka lënë Presidentin si spektator në një ngjarje simbolike të Bashkimit të Shqiptarëve. Arsyeja e vetme është se në një takim të tillë simbolik Presidenti është simbol i unitetit.
Sali Berisha nuk mund të pranojë që simbolika e tillë të shkojë për një institucion që ai e ka shpallur armik, një institucioni që ky ia ka prerë besën. Dhe e primitivizoi gjithçka. I bëri të ndjehen të turpëruar Protokolli i Shtetit, Bashkia e Lezhës dhe të ftuarit nga Kosova. I pamëshirshëm për t’i përdorur deri në fund ata që i shkojnë pas, tentoi që dhe shkatërrimin e kësaj simbolike t’ia faturonte atij që e zboi praktikisht nga festa.
Të njëjtën urrejtje e demonstroi dhe ndaj opozitës, të cilën as kish denjuar ta parashihte si pjesë të simbolikës së Besëlidhjes Shqiptare. Ai shkoi tek varri i Skënderbeut një ditë pasi kishte humbur betejën më të rëndësishme të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut, betejën për të fituar Evropën.
Nëse Skënderbeu qoftë dhe simbolikisht u bë kalorësi i Perëndimit në Shqipëri, Sali Berisha shkoi tek varri i tij një ditë pasi u bë zyrtarisht i padëshiruari i Perëndimit në Shqipëri. Ai shkoi aty pasi priti që Serbia të ringrihej nga rrënojat e bombardimeve të Perëndimit dhe të na parakalonte në garën drejt Evropës, duke e pasur tani e tutje një postbllok më shumë në këtë rrugë dhe duke vënë në pikëpyetje rrugëtimin tonë të përbashkët me Kosovën drejt Perëndimit.
Ai shkoi tek varri i Skënderbeut një ditë pasi kish bërë gjithçka kundër asaj që Skënderbeu ka bërë për historinë dhe simbolikën tonë si një vend me vokacion perëndimor. Shkoi si dhunues i simbolikës së jetës së tij, njësoj si një varrmihës. Shkoi tek njeriu që bashkoi krerët shqiptarë gati 600 vjet më parë, jo vetëm fillikat, por për të demonstruar urrejtje ndaj kujtdo që nuk është me të.
Por shkoi dhe për një makth që po e bren kohët e fundit, makthin se shqiptarët po e shikojnë dita- ditës edhe si një antishqiptar. Aleanca Kuq e Zi, një lëvizje politike që tenton të ringrejë krenarinë e shoqërisë shqiptare ndaj gjesteve poshtëruese të pushtetit, kishte njoftuar para Berishës një miting në Lezhë pikërisht tek vendi ku u mbajt Besëlidhja Shqiptare.
Berisha tentoi t’i anulojë me polici dhe ta frikësonte mbështetësit e saj. Biles ishte ky një nga shkaqet pse ai vendosi të shkojë në Lezhë. Ideja se shqiptarët po e zhveshin dita- ditës nga gjithë maskat që ai ka pasur në fytyrë këto 20 vjet e ka futur në panik dhe nxitoi të dukej patriot. Mblodhi aparatçikë, punonjës bashkie, ujësjellësi, policë dhe nxënës dhe nuk mbushi dot një sallë në Pallatin e Kulturës së qytetit rrethuar me qindra policë.
Në të njëjtën kohë rrugëve të Lezhës mijëra djem dhe vajza të rinj të këtij vendi, veshur me flamuj kuq e zi, përshëndetur nga çdo ballkon nga qytetarë të Lezhës marshuan triumfalisht drejt vendit ku është bërë Besëlidhja Shqiptare, me një dekor mbresëlënës dhe me parulla që lënë pa gjumë Sali Berishën. “Gjergj, me ty e fituam Evropën, me këta e humbëm”, ishte më kryesorja dhe më domethënësja. Diferenca ishte e fortë dhe e qartë. Ai që tentoi të shkonte vetëm dhe ta përdorte për vete Besëlidhjen e Lezhës, mbeti vetëm dhe besëprerë siç është. Shqiptarët nuk iu bashkuan atij, por shkuan vetë të veshur me flamuj tek vendi që e kanë simbol bashkimi.
Duhet të kenë qenë orë të këqija për Sali Berishën, i cili u rrethua nga 4– 5 mijë qytetarë në një sallë të ftohtë pa drita në Lezhë, ku donte të bënte sikur festonte. Festa e vërtetë ishte jashtë, atje ku njerëzit i bashkonte vërtetë simbolika e Besëlidhjes së Lezhës. Brenda mureve pa drita të pallatit ishte ai që tentoi ta përdorte për vete këtë festë. Ishte mënyra më e mirë për të poshtëruar një Besëprerë në ditën e Besëlidhjes.
Shprehja me e degjuar ne Shqiperi eshte: Gjithçka eshte ne rregull, po, po, gjithçka eshte ne rregull.
Ky eshte paradoksi.
Mero Baze kerkon qe t’i shohe te lumtur shqiptaret, por lodhet kot, vetem sa fut veten ne telashe. Ka nje thenie shume te bukur: “Mos u lodh qe t’i mesosh derrit te kendoje, rezultati: ti lodhesh dhe derri irritohet.” (Bravo, thënie me mend!)
Comments are closed.