Bernd Fisher: Berisha ka frikë se mund të arrestohet pas zgjedhjeve

0
34

Xhevdet Shehu, 30 Maj 2013

Studiuesi dhe profesori i mirënjohur amerikan, Bernd Fisher, njëherësh dhe analist i njohur i historisë dhe çështjes shqiptare, flet ekskluzivisht për gazetën “DITA” tri javë para zgjedhjeve shumë të rëndësishme të 23 qershorit. Ai e quan demokracinë aktuale në Shqipëri një ‘demokraci autoritariste’ dhe arsyeton pse e ka krahasuar vendin tonë me Ukrainën dhe Venezuelën. Ndërkaq ai e konsideron të natyrshëm rotacionin politik që pritet të ndodhë dhe largimin e Berishës nga pushteti. Mirëpo për të është absurde këmbëngulja e Berishës për të fituar një mandat të tretë, ndërkohë që thotë se “mandati i tij më i fundit ka qenë tërësisht negativ dhe Shqipëria në shumë mënyra ka bërë hapa mbrapa”. Por, sipas Profesor Fischerit, Berisha “frikësohet nga arrestimi nëse humbet pushtetin”. Sa i vërtetë është premtimi i Berishës për të hequr vizat me Shtetet e Bashkuara dhe pse Edi Rama është më i përgatitur se Berisha në vitin 1991 për të marrë pushtetin.

– Profesor Fischer, sa të rëndësishme i mendoni për Shqipërinë zgjedhjet e 23 qershorit?

– Ndërsa të gjitha zgjedhjet janë sigurisht të rëndësishme, zgjedhjet e qershorit janë ndoshta më të rëndësishme se zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri. Këtë e them për disa arsye. Së pari BE-ja duket se e ka vënë theksin më shumë në këto zgjedhje si për inkurajimin e Shqipërisë, ashtu dhe për ta paralajmëruar. Shqipërisë i janë mbyllur tri herë dyert nga BE. Nëse do të ketë sërish probleme me këto zgjedhje, unë them se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas dyerve të Europës derisa të mbahen zgjedhjet e duhura. Çdo herë që Shqipëria zhvillon zgjedhje me të meta, ashtu siç bëri në vitin 2009 dhe 2011, zgjedhjet e ardhshme bëhen edhe më të rëndësishme. Kryerja e zgjedhjeve të ndershme është një komponent kritik në vendosjen e sundimit të ligjit. Pa sundim të ligjit, Shqipëria nuk do të jetë e mirëpritur në BE dhe investitorët e huaj do të vazhdojnë të qëndrojnë larg. Ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë stanjacionin ose do të përkeqësohet. Si rezultat, zgjedhjet e ardhshme janë më shumë se politike, ato janë po aq dhe ekonomike për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

– Si një njohës i shkëlqyer i ngjarjeve dhe zhvillimeve politike shqiptare, mendoni se klasa aktuale politike është e shkëputur nga mendësitë diktatoriale?

– Ndërsa unë besoj se ka pasur disa përmirësime në këtë drejtim, ka ende shumë pak demokraci brenda partive, madje edhe atyre të reja siç është Aleanca Kuq e Zi. Sinqerisht është e vështirë për të parë se si demokracia në përgjithësi mund të funksionojë normalisht në Shqipëri pa demokracinë brenda partive politike. Megjithatë, unë jam i inkurajuar nga fakti se tani ka disa çështje të cilat i ndajnë palët, duke iu dhënë votuesve një zgjedhje më të qartë se sa në të kaluarën.

– Disa muaj më parë ju e keni konsideruar demokracinë shqiptare si ‘demokraci autoritariste’ dhe e keni krahasuar Shqipërinë me Venezuelën dhe Ukrainën. Pse?

– Unë mendoj se termi “autoritarizëm demokratik” është më i sakti që e përshkruan sistemin e sotëm politik në Shqipëri. Por ndërkohë mendoj se ka sigurisht edhe shumë dallime që mund të gjenden në shtete si Venezuela dhe Ukraina. Në fakt ky është një sistem demokratik në formë, por është jo demokratik në përmbajtje. Zhvillohen zgjedhje, por ato nuk janë të lira dhe të ndershme. Nuk janë partitë politike, por një parti që mbizotëron për një periudhë të gjatë. Ka një kushtetutë që ndan pushtetet, por dokumenti shfrytëzohet vetëm kur ai u shkon për shtat dhe pushteti është i centralizuar në çdo rast. Ne e kemi parë këtë sigurisht me zotin Berisha, i cili qartazi ka minuar institucionet e pavarura, përfshirë presidencën, shërbimet e sigurisë, gjykatat, prokurorinë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe shërbimin civil në përgjithësi. Në këto rrethana, vetëm mund të shtohen pikëpyetjet në angazhimin e Z. Berisha ndaj sundimit të ligjit. Unë besoj se demokracia është duke vuajtur. Problemi nuk është fatal, por unë mendoj se kërkon vëmendje të menjëhershme.

– A prisni ju të ndodhë rotacioni politik në këto zgjedhje dhe pse?

– Është e vështirë të flas për këtë nga distanca, por mendoj se po të mos ndodhë ajo që përflitet lart e poshtë, pra nëse pengohet një aleancë e minutës së fundit midis PD-së dhe Aleancës Kuq e Zi apo dhe Frymës së Re Demokratike, opozita ka një shans të mirë për të fituar. Shumë votues janë të zhgënjyer tërësisht nga politika dhe nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh. Shumë prej tyre janë thjesht duke luftuar për të mbijetuar nga dita në ditë. Si me të gjitha zgjedhjet, gjithçka do të varet nga përqindja e pjesëmarrjes në votime, që, sipas parashikimeve, pritet të jetë mjaft e ulët.

– Profesor Fischer, Kryeministri aktual Sali Berisha, pas tetë vjetësh në qeverisje po kërkon me ngulm një mandat të tretë. A ka motiv për ta kërkuar këtë?

– Unë them se motivimi i Z. Berisha është që të mbesë në pushtet për aq kohë sa ai mundet. Ai gjithashtu mund të frikësohet nga arrestimi nëse humbet pushtetin. Unë mendoj gjithashtu se ai e sheh interesin e vet si interes shtetëror – pra, çfarë është e mirë për zotin Berisha, është e mirë për Shqipërinë. Unë mendoj se në një moment kjo mund të ketë qenë e vërtetë, por ajo nuk është më e vërtetë. Z. Berisha e ka dominuar Shqipërinë që prej rënies së komunizmit. Vitet e tij në pushtet kanë prodhuar një tablo të përzier. Sigurisht që ka pasur arritje të rëndësishme, duke përfshirë edhe hedhjen e themeleve për një demokraci funksionuese dhe të ekonomisë së tregut, duke zhvilluar një politikë të jashtme konstruktive në përgjithësi, dhe duke u shpërblyer me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por unë kam frikë se zoti Berisha nuk ka arritur aq sa kishte mundësi të arrinte.

Mandati i tij më i fundit ka qenë tërësisht negativ dhe Shqipëria në shumë mënyra ka bërë hapa mbrapa. Ai ka vënë në rrezik demokracinë. Shprehjet e tij nacionaliste i kanë tëhuajtur fqinjët dhe miqtë. Ai nuk ka qenë i zoti t’i bëjë ballë korrupsionit dhe krimit të organizuar që mbretërojnë në vend. Ekonomia nuk është e shëndetshme dhe gjithnjë e më shumë shqiptarët jetojnë në një gjendje të rëndë të varfërisë. Sigurisht shumë prej vështirësive ekonomike të Shqipërisë vijnë edhe për shkak të rënies ekonomike globale, por politikat e Z. Berisha nuk kanë ndihmuar për të dalë nga kjo gjendje. Shqipëria mund të ishte më pranë BE-së. Mund të kishte më shumë investime të huaja direkte. Z. Berisha fajëson opozitën për shumë nga këto, por përgjegjësia mbetet kryesisht në anën e qeverisë. Qeveria merr kredi për sukseset e Shqipërisë, dhe ajo duhet të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj. Qeveria e ka fuqinë dhe përgjegjësinë për të vepruar me maturi dhe të kërkojë kompromis për të fituar bashkëpunimin e opozitës. Z. Berisha përderisa ka bërë shumë rrallë debate dhe kompromise të arsyeshme në të kaluarën, që nuk duket se janë në natyrën e tij, ai ka pak gjasa ta bëjë këtë në të ardhmen.

– Nëpër mitingjet elektorale Kryeministri Berisha po u premton shqiptarëve heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara brenda katër viteve të ardhshme. A e shikoni të realizueshëm një premtim të tillë?

– Unë kam dëgjuar shumë pak rreth heqjes së vizave të udhëtimit të lirë për në SHBA. Unë do të isha shumë i habitur në qoftë se Departamenti Amerikan i Shtetit do t’ia bënte këtë dhuratë të vlefshme Z. Berisha me rastin e zgjedhjeve. Unë them se ky është thjesht një premtim zgjedhor që zoti Berisha, nëse rizgjidhet, nuk do të jetë në gjendje të mbajë. Unë jam kurioz të di nëse zoti Berisha, duke menduar te shpresa e tij më e mirë për rizgjedhje, u premton shqiptarëve një tjetër mënyrë të thjeshtë për t’u larguar nga vendi. Unë kisha shpresuar se tashmë ai do të përqendrohej në ndërtimin e politikave që do t’i inkurajonin shqiptarët të qëndronin në Shqipëri, jo për ta braktisur vendin e tyre.

– Gjatë viteve të pushtetit të Berishës kanë ndodhur dy ngjarje të rënda: tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë dhe vrasja e katër protestuesve të opozitës në 21 janar 2011. Këto ngjarje nuk janë zbardhur ende. Mendoni se kujtimi i tyre do të ndikojë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

– Këto dy ngjarje tragjike dhe pasojat e tyre edhe një herë e bëjnë të qartë se sundimi i ligjit do të duhet ende shumë kohë për t’u vendosur në Shqipëri. Tragjedia e Gërdecit ishte një rezultat i habitshëm i korrupsionit, pakujdesisë dhe lakmisë, ndërsa personat përgjegjës për tragjedinë nuk janë sjellë para drejtësisë. Vrasja e protestuesve të opozitës ishte e pafalshme, si edhe fakti që qeveria e ka toleruar atë. Këto ngjarje duhet të kujtohen dhe unë pres që drejtësia të shkojë në vend për to.

– Sa të përgatitur e shikoni Partinë Socialiste për të ardhur në pushtet dhe a konsideroni se shumë dukuri negative të qeverisjes aktuale do të jenë më pak të pranishme?

– Z. Rama është sigurisht shumë më i përgatitur se sa ishte zoti Berisha kur erdhi në pushtet në vitin 1992. Si kryebashkiak i Tiranës Z. Rama ka fituar përvojë të konsiderueshme ekzekutive dhe administrative dhe e ka prezantuar këtë në politikat novatore dhe krijuese, shumë prej të cilave ishin mjaft pozitive. Unë mendoj se zoti Rama ka potencial të rëndësishëm, por, që të jetë efektiv, ai do të ketë nevojë për të ushtruar artin e kompromisit. Nëse ai zgjidhet, unë shpresoj se ai do të qeverisë për popullin dhe jo vetëm për ata që do të fitojnë.

– Profesor Fischer, zgjedhjet shqiptare gjithnjë janë kontestuar si të manipuluara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, por janë pranuar duke lejuar historinë e manipulimeve. A është e drejtë, normale dhe demokratike kjo?

– Unë besoj se me këto veprime komuniteti ndërkombëtar mbart të paktën disa përgjegjësi për gjendjen jofunksionale politike të Shqipërisë. Duke përsëritur tërheqjen e një vije në rërë – edhe atëherë kur kjo linjë është e kaluar, duke tërhequr një tjetër – bashkësia ndërkombëtare është bërë gjithnjë e më pak efektive. Kur nuk ka kërcënim të atypëratyshëm, politikanët shqiptarë duhet të mos i dëgjojnë këto leksione të tyre, kjo është e gjitha që pritet prej tyre. Unë e kuptoj motivimin e komunitetit – të inkurajojnë reformat përmes përforcimit pozitiv. Kjo qasje ka bërë që Bullgaria dhe Rumania të pranoheshin para kohe në BE, me shpresën që ky përforcim pozitiv do të inkurajonte reformat. Por kjo nuk ka funksionuar shumë mirë. Kjo qasje nuk ka gjasa të funksionojë gjithsesi me Shqipërinë.

– Ju faleminderit Profesor Fischer!

Kush është Profesor Bernd Fischer

Profesori Bernd Fischer, një ekspert mbi Shqipërinë

Fort Wayne është një qytet mjaft i njohur në shtetin Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka një lidhje aq të ngushtë me Shqipërinë, sa nuk mund të mendohet. Ky qytet është shtëpia e një burri modest, që mban dy “kapele”: një si profesor për historinë e Ballkanit, me specializim në Shqipëri, dhe një si ndërlidhës i shpeshtë me Shqipërinë për llogari të qeverisë amerikane. Megjithatë, Bernd Fischer të tregon se nuk është diplomat, ai thjesht “udhëton” nëpër qarqet e brendshme të qeverisë shqiptare. Ai është këshilltar për agjencitë e qeverisë amerikane, si një analist i klimës politike të Ballkanit. Shumë organizma shtetërore konsultohen me të, përfshi Zyrën e OKB-së për Drogën dhe Krimet, Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes dhe departamentin e shtetit të Inteligjencës dhe Kërkimit. Ai ka shkruar disa libra mbi Shqipërinë, ndër të cilët përmendim “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, “Shqipëria 1943-1945”, “Enver Hoxha dhe diktatura staliniste në Shqipëri”.