Bernd Fischer: Shqipëria është autoritarizëm demokratik si Venezuela dhe Ukraina. Ku shkuan ‘duart e pastra’?

0
39


TemA, 23 Dhjetor 2012

Historiani i njohur Bernd Fischer, në një intervistë për GSH, thotë se Shqipëria është një autoritarizëm demokratik.

“Kam frikë se Shqipëria ka zhvilluar një sistem, i cili mund të përshkruhet si një autoritarizëm demokratik, një version më pak brutal që mund të gjendet në vende si Venezuela dhe Ukraina,” thotë Fischer.

Ai komenton edhe raportin e Transparency International dhe Global Financial Integrity.

“Dikush pyet se çfarë ndodhi me premtimin e “duarve të pastra”. Dhe në fund, padyshim, janë qytetarët shqiptarë që po vuajnë për kaq kohë dhe që paguajnë koston. Sistemi politik dhe ekonomik e bën të vështirë të mbahen familjet në këmbë, kështu ato që munden, shpesh më të mirët dhe më të zgjuarit, largohen nga vendi. Këto probleme nuk janë të pakalueshme, por ato duan më shumë vëmendje nga ana e elitës politike,” thotë Fischer.

Historiani thotë se elita e këtij vendi është shkëputur nga njerëzit.

“Ka pasur shumë diskutime në Shqipëri rreth mentalitetit të elitës sunduese. Ndërsa është thënë shumë, besoj se ka diçka për t’u pretenduar. Besoj se ka një shkëputje esenciale midis një pjese të elitës politike të Tiranës dhe njerëzve”.

Ai shkon më tej kur thotë se europianët janë shumë të durueshëm me Shqipërinë dhe këtë e shfrytëzojnë politikanët këtu.

“Besoj se europianët kanë qënë jashtëzakonisht të durueshëm me Shqipërinë dhe përgjithësisht ndihmues. Europa e pranon se shumë gjëra janë në rrezik në Shqipëri e në rajon dhe se ajo nuk mund ta braktisë Shqipërinë në fatin e saj. Kjo është një nga dobësitë e Europës, që është shfrytëzuar nga politikanët shqiptarë. Dështimi i fundit në arritjen e statusit të vendit kandidat ishte qartësisht i parashikueshme jo vetëm për shkak të dështimit në miratimin e reformave të kërkuara, por besoj edhe për shkak të këtij theksi shqetësues që u vu mbi nacionalizmin”.