Berishës i shterojnë shpifjet, tashmë kërcënon bizneset që s’e kanë paguar

0
67

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, kërcënon në një konferencë për shtyp bizneset që nuk janë klientë të Argitës dhe shokë të Shkëlzenit

Kriza politike në vend vazhdon të thellohet, ndërsa kryeministri, Sali Berisha, u shfaq mbrëmë në media në një konferencë për shtyp duke sulmuar me një gjuhë të ashpër shumicën e biznesmenëve që kanë marrë leje ndërtimi në Tiranë.

Vendi po zhytet në një spirale shumë të rrezikshme, pasi kryeministri i vendit po quan mafioze, jo vetëm opozitën, por dhe biznesin.

Kur pritej që kryeministri të jepte ndonjë mesazh për situatën e vështirësuar politike në vend, Berisha doli dhe shpalosi atë që e quajti dosje të krimit e që në fakt nuk ishte veçse një dosje, ku thuhej se kush kishte marrë leje ndërtimi në Tiranë.

Berisha nuk u përmbajt dhe që të lëshojë fyerje në drejtim të biznesmenëve, pasi i quajti mafiozë. Duke lakuar dhe transformuar emrat e tyre në mënyrë fyese, Berisha tha se do i gozhdonte dhe ata, siç kishte bërë me Aldo Baren.

I pyetur se, nëse këto fakte do i dërgonte tek organet e drejtësisë, Berisha tha se me këtë çështje do merret gjykata. Berisha nuk u përgjigj se si ka lejuar për një mandat këtë mafie në vendin tonë, por tha se aleanca punisto-mafioze do të marrë përgjigje të shpejtë.

Kryeministri foli dhe për zgjedhjet duke i quajtur ato të certifikuara nga ndërkombëtarët.

“Por kupola mafioze ka vendosur të mos njohë vullnetin tuaj dhe qeverinë legjitime të 28 qershorit. Kërkesa e aleancës punisto-mafioze kërkon të nxijë një prej arritjeve më të mëdha në kulmin e demokracisë. Ky grup udhëheq klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan. Këta nuk kanë hallin e kutive, kanë hallin e ekonomisë së tyre këta. Unë me darë do çmontoj perandorinë e krimit. Unë kam vullnet të hekurt, unë”, – tha Berisha.

Kryeministri më pas përsëriti një teori që e ka nxjerrë në ditët e para, kur shpalli aleancën me kryetarin e LSI, Ilir Meta, se Rama i kishte kërkuar ndarje pushteti. Berisha tha se Rama i kishte kërkuar postin e presidentit pas mbarimit të mandatit të presidentit aktual. Kryeministri tha se nuk do e tolerojë një gjë të tillë.

“Ndarje pushteti nuk do të ketë kurrë, për këtë duhet të jeni të sigurt”, – u shpreh Berisha.

Berisha shtoi gjithashtu se i ka bërë lëshime Ramës, por dhe këto ia ka bërë me pikatore.

***

Dje, kryetari i mazhorancës është takuar e ka biseduar për rreth një orë me ambasadorin amerikan, Withers, e zyrtarin e lartë amerikan, Daniel Fried, ku mendohet të jetë biseduar edhe mbi krizën politike shqiptare.

Zyrtarët e lartë socialistë kanë paralajmëruar edhe dje se afati për hetimin e zgjedhjeve problematike ka përfunduar, duke nënvizuar se kryeministri Berisha kushteve të opozitës iu kundërvuri një gjuhë vulgare e agresive.

Kur Partia Socialiste ka paralajmëruar mesditën e së enjtes një mbledhje të gjerë të grupit parlamentar me drejtuesit e degëve në rrethe e ata vendorë për të marrë vendim mbi përshkallëzimin e qëndrimit, që tashmë, sipas opozitës, do të jetë drejt zgjedhjeve të parakohshme, mazhoranca ka vijuar sulmin frontal ndaj liderit të opozitës, Edi Rama.

Kuvendet e degëve të Partisë Demokratike janë shndërruar në forume sulmi ndaj kundërshtarit politik, ndërsa të gjithë drejtuesit e partisë janë udhëzuar që kudo që të ndodhen të kenë si objektiv sulmi verbal Edi Ramën.

Po dje, ish-presidenti Meidani, i pyetur në një aktivitet publik mbi kërkesën e opozitës për hetimin e kutive, e quajti këtë një pretendim të ligjshëm, ndërsa gjuhën e Berishës, vulgare e të padenjë për koment.

Kur kriza shqiptare ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët, të cilët çdo ditë kërkojnë zgjidhje, protagonistët e saj nuk kanë ofruar asnjë plan për daljen nga situata e rëndë, duke vënë në lojë fatin e shqiptarëve për viza e integrim.

Rama-Berishës: Nuk do t’ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, pasi ka humbur përfundimisht ekuilibrin mendor, është lëshuar në një fushatë akuzash e shpifjesh.

Rama tha se Berisha beson se do e nxjerrë vendin forcërisht nga kriza. Kryetari i PS deklaroi se Berisha nuk do e trembë kurrë popullin opozitar.

“Sepse Sali Berisha nuk është burrë që di të përballet me armët e së vërtetës, po një burracak që kërkon të shpëtojë nga përballja e pashmangshme me të vërtetat e këtij populli duke kërcënuar disa që të dëgjojnë të tjerët.

Më kërcënon mua, që të dëgjojnë deputetët, kërcënon deputetët, që të dëgjojë populli opozitar dhe nesër, të jeni të sigurt, do të vazhdojë me kërcënimet në popull, sepse e di, më mirë se të gjithë, më mirë se unë dhe se ju, që ka grabitur zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë.

Por ky gojë e mendjeshthurur di po ashtu që e ka zhytur vendin në një krizë nga ku nuk e nxjerr dot demokratikisht dhe, i gjori Sali, gënjen veten se do ta nxjerrë forcërisht.

Kujton se do t’u mbyllë gojën forcërisht atyre që erdhën 100 mijë më 20 nëntor dhe do të vijnë dyfish herën tjetër.

Sali Berisha kujton se arsyeja e forcës do mundë forcën e arsyes.

E ka të kotë.

Nesër, në mesditë, në orën 12, unë do t’i drejtohem të gjithë popullit opozitar me një mesazh të plotë.

Për sot i them Sali Berishës: Meqë e përmend shpesh tim atë, dije se nuk do të mundesh kurrë ta përkulësh Edi Kristaq Ramën.

Nuk do të mundesh kurrë të cenosh nderin dhe dinjitetin e familjes sime, çfarëdo të thuash dhe sado ta përsërisësh.

Nuk do të arrish kurrë të zmbrapsësh Partinë Socialiste, deputetët dhe deputetet e saj që po i bëjnë vendit një shërbim historik dhe nuk do të të ndahen, derisa të të ballafaqojnë me të vërtetën.

Nuk do t’ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar, që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t’i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të Familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre”, – tha Rama

Sqarimi i Ramës: Unë nuk jap leje ndërtimi dhe as kontrolloj KKRT

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi, po firmos leje që jepen nga KRRT me 9 anëtarë.

4 anëtarë janë të emëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe 4 anëtarë janë të zgjedhur nga Partia Socialiste, përfshirë edhe mua si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Anëtari i 9 është zgjedhur konsensualisht, edhe nga PS, edhe nga PD. Ky formulim i KRRT është bërë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, sepse deri në vitin 2007 shumicën që ka vendosur gjithçka e ka pasur Sali Berisha, më parë kryeministrat e tjerë e kështu me radhë. Po ashtu, nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, ku unë të kem përdorur votën time për të bërë shumicë.

Lejet janë dhënë me votë të plotë të KRRT, ndërkohë që deri në vitin 2007 s’kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të KRRT që kontrollohej nga njerëzit e Saliut, edhe pse kam firmosur, siç ma dikton ligji çdo vendim të atij organi kolegjial.

Ashtu sikundër nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, të dhënë mbi ndonjë pronë publike, ndërkohë që për shpifjen lidhur me gjoja shitjen nga ana ime të një prone publike te parku “Rinia” sot është depozituar një padi civile ndaj Sali Berishës dhe Sokol Olldashit në Gjykatën e Tiranës, ashtu sikundër është depozituar edhe një padi për shpifje lidhur me leje ndërtimi bërë nga foltorja e Partisë Demokratike dhe do të depozitohen përditë padi për çdo shpifje që do nxjerrë goja e përdalë e Çafkës që na qeveris.”

Citat

Edi Rama: “A ju kujtohet si u zgërdhi doktor çafka në Pallatin e Brigadave, kur përqafoi Fatos Nanon, pasi nuk kishte lënë monstruozitet pa thënë për tetë vjet kundër tij?

S’besoj ta keni harruar, kur iu tha shqiptarëve: “Ju keni të keqen se i merrni shumë seriozisht këto gjëra!”

Po për Ilir Metën, a ju kujtohet se çfarë balte e vreri derdhi për vite të tëra?

Dhe ja tani ku e ka vënë në prehër dhe e përkëdhel si kukullën e tij!”