Berisha “zhurmon” Brukselin me “pakënaqësinë” amerikane për opozitën

0
32

Nga Tema

Kryeministri Sali Berisha po përpiqet të bëjë objekt të debatit politik dështimin e miratimit të projektligjit për Gjykatën Administrative, që kërkon domosdoshmërisht votat e opozitës. I ndodhur në Sarandë, gjatë përurimit të një rruge për në plazhin e Lukovës, Berisha iu rikthye polemikave në distancë me liderin e opozitës, Edi Rama, duke i kujtuar atij “detyrimin” për të votuar projektligjin e qeverisë për Gjykatën Administrative.

Duke shpresuar të përdorë politikisht një deklaratë politike të ambasadës së SHBA në Tiranë, që shprehte pakënaqësinë për mosmiratimin e këtij ligji, Berisha shpreson se fushata e tij e re do të ngulisë në opinionin publik “probleme” të opozitës me faktorin ndërkombëtar.

Berisha i bëri këto komente një ditë pasi kryetari i opozitës qartësoi qëndrimin e tij politik dhe teknik mbi ligjin. Zoti Rama theksoi një ditë më parë se politikisht opozita nuk është e gatshme të ofrojë votat e saj për një projektligj, pa përfunduar më parë procesi i transparencës së zgjedhjeve. Rama tha se opozita nuk ka ndërmend t’i ofrojë Berishës një gjykatë tjetër në varësi të tij, nëse ai nuk jep prova që respekton institucionet në Shqipëri. “Nuk jemi aspak të predispozuar që t’i japim Sali Berishës një tjetër gjykatë, me të cilën ai të bëjë çfarë të dojë. Ndërkohë që pa pikë dyshimi jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për të çuar të gjitha gjerat përpara duke zhbllokuar parlamentin përmes hapjes se procesit të transparencës, duke kontribuar në transformimin e këtij drafti kaq problematik në një draft të gjithëpranuar”.

Nga ana tjetër, opozita theksoi se qeveria nuk ka respektuar as vërejtjet dhe sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare për këtë ligj, duke iu referuar 22 sugjerimeve që EURALIUS, USAID, Millenium Challenge Corporation dhe OSBE më 30 mars të këtij viti i kanë depozituar Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ka marrë këto vërejtje në pranverë të këtij viti, ka shprehur gatishmërinë e shumicës për t’i respektuar ato, por u ka kërkuar ndërkombëtareve të ndërmjetësojnë tek opozita për pranimin e tyre. Institucionet perëndimore, që janë marrë me hartimin e draftit, në të vërtetë janë vënë në pozitë të vështirë për shkak se nuk kane dashur të përfshihen në spekulimin politik rreth kësaj çështje, edhe pse deklarata e ambasadës së SHBA, duket se e tejkaloi nivelin e shqetësimit teknik për këtë çështje.

Berisha përpiqet të zhurmojë letrën e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle

Kryeministri Berisha u përpoq dje të injoronte letrën e Komisionerit Fyle rreth krizës politike në vend, duke u “kujtuar” për përgjegjësinë e opozitës rreth Gjykatës Administrative. Edhe pse opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se refuzimi për Gjykatën Administrative është së pari politik, Berisha vazhdoi dhe dje të fliste për një qëndrim antiperëndimor të opozitës rreth kësaj çështje. Në qëndrimin e saj pas kthimit në Kuvend, opozita ka theksuar se do të ngrijë bashkëpunimin institucional me shumicën nëse nuk respektohet kërkesa e saj themelore për transparencën e zgjedhjeve. Kriza politike e prodhuar nga ky qëndrim, është kthyer në problem ndërkombëtar dhe ka qenë objekti i misioneve politike të Këshillit të Evropës dhe më pas të Bashkimit Evropian.

Dje Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i është drejtuar Berishës me një letër ku kërkon që kryeministri i vendit të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e krizës politike, e cila buron nga shmangia e këtkesës për transparencë të zgjedhjeve prej opozitës. Deklarata e Komisionerit për Zgjerim, e cila rikthen përgjegjësinë tek qeveria shqiptare dhe fokuson raportet e saj të brishta me Brukselin, duket se ka nxitur Berishën të “barazojë” peshën e përgjegjësisë së tij për krizën politike, me peshën e përgjegjësisë që opozita ka për refuzimin e miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative.

Sulmi i djeshëm nga Lukova për Gjykatën Administrative ngjan më tepër si një përpjekje për zhurmim e letrës së Komisionierit Evropian sesa si shqetësim për mosmiratimin e ligjit për Gjykatën Administrative.

Vërejtet euro-amerikane për projektin ‘Berisha’ rreth Gjykatës Administrative

Edhe pse qëndrimi i opozitës kundër projektligjit për Gjykatën Administrative është politik, sërish ka dhe një anë teknike. Organizatat më serioze në vend, që merren me asistencë ligjore për shtetin shqiptar, EURALIUS, USAID, Millenium Challenge Corporation dhe OSBE, më 30 mars të këtij viti i kanë depozituar Kuvendit të Shqipërisë vërejtjet e tyre për këtë projekt.

Në një draft me 22 vërejtje për projektin, ekspertët ligjorë ndërkombëtarë i sugjerojnë Kuvendit disa vërejtje thelbësore për projektin.

Kështu për shembull një vërejtje serioze ka të bëjë me përvojën e gjyqtarëve në Gjykatën Administrative. Në vërejtjet e sugjeruara kërkohet qartë që anëtarët e Gjykatës Administrative duhet të kenë një eksperiencë 5-vjeçare në këtë fushë. Ekspertët propozojnë ndryshimin e nenit 5, në pikën 2 të draftit për këtë cështje ku theksohet se përvoja e gjyqtarit në Gjykatën Administrative të shkallës së parë apo në seksionin administrativ të gjykatës së shkallës së parë në pesë vitet e fundit përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përbën përparësi të kandidatit në emërimin e tij gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit.

Ekspertët e huaj sugjerojnë se në pesë vitet e para të punës së këtyre gjykatave, përvoja si gjyqtar në një prej seksioneve administrative të zakonshme është e mjaftueshme. Vërejtet e tjera kanë të bëjnë me afatet e shqyrtimit të kërkesave, mënyrën se duhet të financohet Gjykata, kohën kur duhet të hyjë në fuqi ligji si dhe përfshirjen në buxhetin e vitit që vjen të buxhetit të Gjykatës Administrative. Ka po ashtu vërejtje dhe sugjerime rreth nivelit të shkallëve të gjykimit dhe shqyrtimin e ankesave nga gjykata të tjera.

Eskpertët kanë bërë propozimet e tyre dhe me mënyrën se si duhet dhe kur duhet të shfuqizohen nenet e ligjit për Komisionin e Shërbimit Civil.