Berisha zbulon një nga cilësitë e veta kryesore: Nuk kam gënjyer kurrë; dhe këtë ia detyroj babait tim

0
45

ResPublica.al, 17 prill 2013

Panorama ka zënë të publikojë ca intervista atipike të personazheve të rëndësishëm të politikës e të jetës publike shqiptare. Janë “atipike”, pasi pyetjet janë bërë nga adoleshentët. Është një iniciativë e Leonard Bombajt, i cili më pas ka bërë një libër me intervista të tilla.

Dje ishte intervista e Edi Ramës, ndërsa sot ishte ajo e Berishës. Ky i fundit flet për fëmijërinë e tij (është nga rastet e rralla që e bën këtë këtë), flet për prindërit, motrën, vëllain, për pasionet, hobet, për Edith Piafin, që ai e ka dëgjuar për herë të parë në moshën 6 vjeç – kështu thotë – në radion e qendrës së komunës, dhe ajo ia kish ngjethur trupin dhe e kish lënë të topitur me zërin e saj, për Xhek Londonin, për Skënderbeun që e ka pasur idhull.

Përmend më shumë se njëherë guximin si cilësinë e tij më të mirë, të cilin e ka farkëtuar në Viçidol (në foto shtëpia ku ka lindur e është rritur Berisha. Re.Pu.), “ku në oborr të shtëpisë të dilte gjarpëri, e nëna më thosh: mos e prek se është ora e shtëpisë!, dhe unë si fëmijë nuk duhej ta shihja, më tutje ishte ujku po të shkojë me dele, duhej ta kaloje lumin mbi një tra, e ti mund të bije, alpet kanë qenë me mot të ashpër, e ti mund të humbisje orientimin prej mjegullës”.

Ka një moment që të bën përshtypje më shumë se të tjerët. Vjen pas pyetjes: Po dy cilësitë më të këqija cilat janë? Dhe Berisha vijon në të tijën, vijon të përgjigjet për cilësitë e vyera që ka. Dhe flet për sinqeritetin: “Babai im nuk gënjente kurrë. Dhe është jashtë çdo lloj diskutimi që unë nuk di të kem gënjyer ndojëherë. Kulti im ka qenë sinqeriteti. Dhe këtë ia dedikoj babait”.

Re.Pu.