Berisha të çon te Rama

0
30

Kimete Berisha

Këshilli i Evropës, ka dështuar që ta gjej një plak të përshtatshëm dhe bindës për ta autorizuar që gjatë pranverës (2013) zyrtarisht të shkoj në Tiranë për t’i pajtuar gjaqet ndërmjet kandidatëve shqiptarë që luftojnë për pushtet shqiptar. Një zyrtar i lartë i KE-së, (ish-punëtor i Misionit në Kosovë), duke më lutur që ta mbaj anonim, bashkë me “Projektin-propozim-Pajtimin” e KE-së, edhe kësaj here më dërgoi një letër me një fjalë “Turp! Turp! Turp!” Hiç s’është turp, le të binden rusët se sa vështirë e kanë shqiptarët të pajtojnë gjaqe pa ndihmën e Këshillit të Evropës!

Projekti i KE-së për pajtimin e lidershipit shqiptar në Shqipëri, analizon mundësinë e abstenimit të votës në rast keqpërdorimi të saj. Në Projekt, si aneks ish edhe një prospekt për udhëzime kandidatëve se si ata mund ta vrasin njëri-tjetrin, e jo t’i shtyjnë votuesit në luftë civile (vëllavrasëse)!

Kaini e vret vëllain Avelin, Romuli vëllain Remin, Salihu nuk e ka vëlla Edin, ndaj ende nuk e ka vra. Po nga policia e tij, janë vrarë dhjetëra shqiptarë!

Po zhvillohet një luftë fjalësh ndërmjet pleqve të PD-së dhe bandillave të PS-së. Sali Berisha u shpall plak nga rinia pesëdhjetë vjeçare e PS-së. Njeriu është plak pa fajin e tij, prandaj Sali Berisha, po duket herë pas here si viktimë e pleqërisë së tij.

Argumenti i moshës në Evropë konsiderohet diskriminim i dënuar me ligj. Ageism do të thotë diskriminimi në bazë të moshës. Edi Rama, nuk po përdor argumente që e dëmtojnë rëndë Sali Berishën, që janë vrasjet e protestuesve në oborrin e kryeministrisë për shembull, ose Gërdeci.
Edi Rama e ka zgjedhur një fakt natyror për ta luftuar Berishën. Vërtetë Sali Berisha është plak. Kush njeh pleq dhe është shoqëruar me ta e di mirë që plaku derisa të shikohet në pasqyrë nuk i bie në mend që është plakur.
Secili plak ka dëshirë të vishet bukur, të duket bukur, të blej këpucë të reja, të duket i ri, të shoqërohet me njerëz të rinj, dhe sidomos të mos e quajnë plak. S’ka plak që nuk e urren moshën e tij. Por, plaku nuk ka ardhmëri. Kjo e bën të dëbueshëm.
Pleqëria është si Parajsa. “Të gjithë duan të shkojnë në Parajsë-por askush nuk dëshiron të vdes”.

Pleqëria është mençuri. Plaken njerëzit e mençur, egoistët që japin pak dashuri, dhe e ruajnë zemrën që të mos u plas nga pikëllimi. Prandaj, njeriu vdes i Ri.
Argumentin e moshës që po e përdor Edi Rama është universal, jo karakteristikë e Sali Berishës, por karakteristikë e të gjithë njerëzve të botës, që do të kenë fatin të plaken një ditë.
Edi Rama për vete, i meson elektoratin e tij që të mos e quajnë: xhaxhi e as zotëri. Kërkon nga ata ta thërrasin Edi, se kështu ndjehet i ri. Po, gjithmonë dikush është më i vjetër se ti, dhe ti je më i vjetër se dikush tjetër.
Por, Edi Rama po e kursen Sali Berishën që nuk po ia përmend viktimat. As KE-ja se din pse!

Sali Berisha, po e shfrytëzon postin e kryeministrit dhe projektet qeveritare për fushatën e tij. Programi i tij për mandatin e ardhshëm janë projektet qeveritare të viteve të kaluara. Po duket sikur po bëhet fushatë presidenciale.

Asgjë e re nën këtë Diell.
Për dallim nga fushata e kaluar, Sali Berisha tani nuk është virtuoz. Duket sikur po përton të fitoj. I zbrazur, si amfiteatër antik, po përdor fjalë antike, fjalë të “mëdha” kundër kundërshtarit. I tha Edi Ramës: “Ti po harron që unë jam mjek. Si mjek që jam, unë e di që ti vuan nga “kompleksi i Edipit”.
Sali Berisha nuk është psikolog, por ka qenë dikur kardiolog. Qysh është e mundur që një kardiolog (që pacientin e fundit e ka “shëruar” para disa dekadave), flet me kompetencë për “kompleksin e Edipit”. Kurrë nuk ia kisha fal. Sepse, ata që vuajnë nga “kompleksi i Edipit”, janë të lidhur në mënyrë patologjike me nanat e tyre aq fort, sa që ëndërrojnë ta vrasin babën e tyre për t’ua marrë nanën.
Tipizim pervers i Sali Berishës, fishek i fundit. Fjali që të çon në Ferr.
Sali Berisha nuk e përmendi kompleksin e Elektrës, rastet kur vajza ka dëshirë të fshehtë ta vras nanën e saj. Po, ndoshta e përmend.

“Projekt Pajtimi” (mes PD-së dhe PS-së), jep shembuj fascinant nga “historia e votimeve” të lira, se si veprojnë votuesit ndaj kandidatëve ekscentrikë. Kish raste kur votuesit bëjnë “abstenim alegorik”! Do të thotë: kandidojnë kafshë, e jo njerëz, se Engelsi njerëzit i quante “kafshë politike”.

Projekti i KE “për pajtim” sqaron raste kur votuesi lodhet nga politika (antikombëtare), ndaj nuk preferon më “kafshë politike” të Engelsit, po shkon e kandidon bash-bash kafshë (origjinale) jopolitike. Në prospekt jepet shembull rasti kur në San Paulo (1958), kali i Nilit Cacareco, u kandidua për deputet dhe fitoi 100 mijë vota më shumë se rivalët e tij human! Pastaj Shimpanza Teo (1988), nga Partia e Republikës u kandidua për kryetare të Rio de Janeiro, me parullën “votoni majmunin-do ta keni majmunin”, dhe u radhit e treta në listë, pasi fitoi 400 mijë vota.

“Projekt pajtimi” ka marrë për detyrë t’i mësojë shqiptarët se si abstenohet kundërkandidati, pa pasur nevojë ta vrasësh fizikisht! Përmendet si për “parasysh” niveli psikologjik i votuesve në Shqipëri, nënvizohen statistikat (World Health Organisation , 2004), që thonë se në Shqipëri mbi 1 milion njerëz vuajnë nga sëmundjet shpirtërore dhe depresioni, 247.412 nga shizofrenia. Llogarita: 30 % e 1 milion të sëmuarve janë shqiptarë, ndaj nuk dinë si mund ta abstenojnë Sali Berishën, që është shumë lehtë, duhet veç ta abstenosh Edi Ramën dhe Iliri Metën!
Kujtojnë se nëse në pushtetin shqiptar hyjnë antishqiptarët, kështu pengohet vëllavrasja!

Pse i është dashur prospektit të nënvizojë “kontributin” e gazetës së përditshme amerikane “New York Times” (2 Prill 1995), ku shkruan se Sali Berisha e ka thyer embargon e Bill Klintonit, dhe e ka furnizuar Slobodan Milosheviqin me derivate per makinerinë e tij luftareke, që i ka shërbyer për të vrarë e masakruar kroatë, boshnjakë e shqiptarë.

Sali Berisha që premtoi e nuk e realizoi premtimin për zbardhjen e “Masakrës së Tivarit”, e bëri për ta fshehur autorësinë e tij në kontributin që vet i dha Milosheviqit për të realizuar masakrat në ish-Jugosllavi.
Aty nuk analizohet rasti pse Ibrahim Rugova e nënçmonte Sali Berishën, nuk e pranonte në takim. Berisha rrjedh nga Aleanca avangardë postkomuniste. Karizma e tij është aq minoritare sa (ai) Kushneri ia pat ndaluar vizitën në Kosovë (viti 2000). Kushneri nuk e dinte se Berisha do të na këshillonte të mos bëjmë asgjë pa e pyetur UNMIK-un!

Por, dashuria e verbër e shqiptarëve të Kosovës për Sali Berishën, do të shndërrohet në urrejtje, në çastin kur do t’u kthehet drita e syve.

Në disa pika të “Projekt Pajtimit” bëhet alegori situata politike në Shqipëri, dhe aty përmendet Perandori Kaligula, me rastin e emërimit të kalit të tij Incitatus për konsul në Senatin e Romës. Aluzion i kot, se Sali Berisha nuk është perandor, por as Edi Rama nuk është kali! Si do të mundet Evropa t’ua mbushë mendjen shqiptarëve se kafshët në politikë përdoren (edhe) si kandidate që votuesit të protestojnë kundër homo-kandidatëve politik! Kot e ka, se në Shqipëri nuk bëjnë punë në politikë as kafshët e ndryshme (jo)politike!

Që nuk bëjnë punë kafshët si në San Paulo, na bind Maria Wick që zbuloi se të gjitha kafshët në trojet shqiptare (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri), vdesin nga depresioni! Shimpanza Lili nga zoo praku i Shkupit (e cila i kuptonte 2000 fjalë anglisht), u sëmurë nga depresioni, dhe në gjendje të rëndë nervore, u dërgua të risocializohet në Holandë!

Këshilli i Evropës ofron këshilla si të satirizohet sistemi i korruptuar politik, parime që nuk i përfill as Aleanca Kuq e Zi, të cilët abstenimin e kuptuan “kuq e zi”, prandaj në dorë u mbeti vetëm shqiponja e vizatuar në pëlhurë.

Jo. Voto, por jo për kafshë politike, por për bash-bash kafshë jopolitike! Se, nëse ti nuk del në votime, armiku t’i merr krejt votat! Satira e Kaligulës nuk pi ujë në Shqipëri, se kali i Kaligulës nuk kishte kundërkandidat, qëlloi vetëm një kal (i ngjeshur me parzmoren e Aleksandrit të Madh), por kur qëllojnë dy (atllarë) nuk lidhen për një hu greko-serbo-shqiptar.

Sipas KE-së, mënyra më e preferuar për t’u pajtuar shqiptarët, është “vota e protestës”! Ku e di votuesi a i jep votë kafshës jopolitike apo asaj politike të Engelsit!
Po votuesët e Tiranës nuk janë debilë si ata të Miltonit, që duke mos e pasur të qartë për kë votonin, ia dhanë 52 % të votave (më 1938) mushkës ngjyrë kafe, e quajtur Boston Curtis, kandidate për zonën elektorale Milton (Washington). Votuesit në Shqipëri ende nuk dinë t’i përdorin “armët e ftohta”, e Evropa kërkon që ata të dinë të bëjnë votime ironike?!

Sali Berisha si Mitsuo Matayoshi (i vetëquajtur i vetmi Zot), gjatë fushatës zgjedhore (2013) në mënyrë literare ( me uragan të zjarrtë-e me flakë kuçedre) votuesve ua shtron rrugën që ata të ikin në kushte të volitshme nga Shqipëria, ndërsa kundërshtarëve u premton se express do t’i dërgojë në ferr!

Sali Berisha të çon te Edi Rama. Arroganca e tij më shtyn të dëshiroj që t’i fitojë zgjedhjet Edi Rama që nuk më pëlqen, numri që mua personalisht ma ka ndryshuar jetën. Nr.29.