
Shekulli Online, 27.05.2011
Disa javë më parë, “Shekulli” botoi një vëzhgim mbi masat e shtuara të sigurisë së kreut të qeverisë. Ato përfshinin përdorimin e një makine plus në eskortë, e cila kishte një antenë valë-bllokuese në pjesën e sipërme të saj, bllokimin e rrugës ku ndodhet apartamenti i familjes Berisha në një perimetër të gjerë, rrethimet shtesë dhe dopio-dyert brenda ambienteve të kryeministrisë, blerjen e një makine të blinduar me çmim të pazakontë etj. Me sa duket, këto masa nuk kanë mjaftuar. Ekspertët vërejnë masa shtesë.
Qen antiminë dhe kontrolle të rrepta në televizionet ku shkon Berisha
Javët e fundit pjesëmarrja e kryeministrit Sali Berisha në emisione televizive paraprihet nga një kontroll i rreptë mbi ambientet e vetë televizionit.
Është bërë rregull që përpara se të mbërrijë Berisha, mbërrin në televizionin e planifikuar për bisedë njësia speciale antiminë. Ekspertët e policisë dhe qentë e trajnuar për të dalluar objektet shpërthyese kontrollojnë me imtësi të gjitha ambientet.
Madje, qentë hyjnë edhe në mjediset e punës së gazetarëve. Në fotografinë që shoqëron këtë vëzhgim, duket gazetari i njohur Artan Hoxha, dhe pranë tij një nga qentë që përdoren për kontrollet e sipërcituara. Fotoja është bërë pak para mbërritjes së kreut të qeverisë S. Berisha për një intervistë në televizionin e lajmeve “News 24”.
Kontrollohen me imtësi tryezat e punës, koshat e plehrave deri edhe çantat e gazetarëve. Ndërkohë, pak minuta përpara hyrjes së kryeministrit, truprojat e tij marrin nën kontroll godinën. Ato vendosen në korridore dhe lëvizjet e stafit janë të kufizuara. Garda e Republikës merr në ruajtje edhe perimetrin e jashtëm të godinës. E gjithë kjo ndodh edhe në ato televizione që konsiderohen pro-qeveritare.
Jeleku bëhet papritur veshja më e zakonshme e kreut të qeverisë
Në blogun online “Respublica.al” është botuar ndërkohë një vëzhgim shumë interesant. Një nga ekspertët që shkruan në këtë faqe të drejtuar nga gazetari i njohur Mustafa Nano, duke komentuar shtimin e habitshëm të rasteve kur Berisha shfaqet në publik me jelek, shkruan:
“Kam disa kohë, që me syrin e specialistit vërej përmes ekranit vizitat e Kryeministrit në përurime apo mitingje elektorale. Të bie në sy dashuria e madhe e tij për jelekun, një veshje tradicionale e jona. Por çudia nuk qëndron këtu, por tek jeleku tjetër antiplumb, që i veshin Berishës poshtë atij të traditës. Kjo më bën të mendoj se shanset për një klimë të butë politike në Shqipëri janë zvogëluar me mijëra herë, ndaj koraca mbrojtëse është e nevojshme për një njeri që shtyp me pushtet prej diktatori çdo aneks tjetër politik, jashtë stanit të tij.
Në mes të vendit tënd, edhe me antiplumb, më duket sa paradoksale, aq dhe e tmerrshme. Janë instaluar armiqtë e “diktatorit të ri”, apo frika prej zullumeve e bën të jetojë me fantazma makbethiane? – shtrohet pyetja në blogun në fjalë.
Po të shohësh fotot me vëmendje bie në sy që në shumë prej tyre, jeleku krijon një gufim të dukshëm të pjesës së përparme të trupit, çka të bën të mendosh që ai nuk është thjesht një veshje, por një koperturë për atë që gjendet poshtë këmishës. Për shumë ish-ekspertë të policisë së shtetit, të cilëve u vumë në dispozicion disa nga këto foto, konstatimi i shkruesit në blogun e Nanos, nuk është pa baza.







