Berisha sfidon Arvizunë: Jam në kontakt me DASH. Por Jonathan Moore mbështet ambasadorin

0
42

TemA, 28 Maj 2013

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore ka nisur takimet në Tiranë, duke u ndalur fillimisht në selinë e Partisë Socialiste.

Nuk ka pasur ndonjë prononcim për mediat, por Zëri i Amerikës raporton se në qendër të bisedimeve do jetë çështja e KQZ-së dhe situata parazgjedhore.

“Ky është vetëm takimi i parë dhe gjatë kësaj vizite unë do të kem takime me njerëz sot dhe nesër. Jam i kënaqur nga takimi me zotin Rama. Pres me padurim të takoj kryeministrin, të takoj dhe zotin Meta. Do të bëj një vizitë dhe në Durrës dhe në fund do të kem shumë për të thënë. Në këtë pikë, jam vetëm në fillim të vizitës,” tha Moore pas takimit me Ramën.

I pyetur nëse shpreson në një marrëveshje për KQZ-në, Moore tha: “Sigurisht që ne na pëlqen të shohim, siç e kemi thënë shumë herë më parë, siç e ka bërë të qartë edhe ambasadori Arvizu, duam të sigurohemi që njerëzit të kenë besim te procesi elektoral, te institucionet dhe në rezultatin e zgjedhjeve. Por siç e thashë, unë sapo e nisa vizitën time këtu. E vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të qenë këtu në Shqipëri dhe do të kem më shumë për të thënë nesër, pasi të kem përfunduar vizitën time nesër në mbrëmje”.

Moore vjen në Tiranë kur kryeministri Sali Berisha ka nisur një sulm ndaj përfaqësuesit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Zëri i Amerikës shkruan se kryeministri Sali Berisha nuk ka lënë asnjë shteg për kompromis, ndërsa është shprehur se për KQZ-në zbaton vetëm ligjin. Pyetjes së Zërit të Amerikës, Berisha i është përgjigjur duke thënë se ai është në konsultim të vazhdueshëm me Departamentin e Shtetit për këtë çështje. Nuk dihet nëse me këtë Berisha nënkupton kontaktin direkt me DASH, duke shmangur ambasadën në Tiranë./ep