Berisha rinis nga vicklat

0
153


Redaksia e “Shekulli”-t, 16.05.2011

Në 8 maj e quajti numërimin në këto zgjedhje si numërimin më të saktë në botë. Në 16 maj pas 8 ditësh rraskapitëse në zvarritjen e numërimit, i njëjti person rinis të hedh vicklat e përhershme. Nëse ka ndonjë gjë që karakterizon në vijimësi karrierën politike të Berishës është mospranimi i humbjes.

Dhe duke patur parasysh që të vetmet zgjedhje që ai ka fituar janë ato të 22 marsit 1992 (ku për shkak të rrethanave do fitonte kushdo që ishte në krye të PD-së), i bie që ky njeri nuk ka pranuar kurrë një rezultat elektoral. Dje pamë absurditetin e rradhës.

Berisha nuk pranon rezultatin e numërimit të votave në Tiranë, megjithëse ai u krye faqe gjithë botës dhe ishte quajtur nga po ky njeri “numërimi më i saktë në botë”.

Përflitet që llogaritë e PD-së i ka bërë i njëjti “profesor” që përllogariti strategjinë elektorale të PS në 2009. Por megjithë kalkulimet algjebrike bazuar në hiletë pa fund që mundëson abuzimi me pushtetin, kyb (pushteti) kësaj radhe e humbi edhe garën kryesore, atë për kryeqytetin. Është thuajse komike që kësaj radhe janë vetë “regjizorët” ata që ankohen se nuk u pëlqeu “filmi”.

Deklaratat e dhëna menjëherë pas mbylljes së procesit, më datë tetë maj qëndrojnë në antipod të atyre të dhëna një javë më vonë, pas përfundimit të numërimit. Prezenca aktive e vëzhguesve, mobilizimi i shumë militantëve nga palët, afria e mediave dhe raportimi i gjithçkaje në mënyrë të atypëratyshme, e blindoi procesin e numërimit, sa i përket besueshmërisë publike mbi rezultatin.

Po ashtu, firmat e hedhura nga të gjithë komisionerët, në çdo procesverbal, duket se ia japin edhe qëndrueshmërinë ligjore këtij rezultati. Fituesi është fitues, megjithë keqardhjen e madhe të humbësve, të cilët ndoshta për shkak të manipulimeve të kamufluara parazgjedhore në Tiranë, u shfaqën të sigurtë deri në kutinë e fundit për fitoren.

Skenari ngeci për 10 vota. Milionat e eurove shpenzuar për strategët amerikanë të fushatës së Bashës, shpenzimet për të sjellë dhjetra avionë me “votues të sigurt”, krijimi i një sistemi shtrëngues për administratën publike, që të kanalizohej vota aty ku duhej, blerja e mediave si institucion, dhe e “intelektualëve” si anti-institucion, blerja e mbështetjes prej “përfaqësuesve të huaj”, të gjitha këto nuk harrohen dot lehtë në një parti ku paraja e pushteti përbën vlerën kryesore, në mos të vetmen vlerë (jo vetëm në sensin e materializmit vulgar post-tranzicional, po edhe sepse i përputhet ideologjikisht si çdo partie të djathtë në botë).

U tha në 2007 se fushata për Olldashin kushtoi rreth 7 – 8 milionë euro, po fushata totale për Bashës natyrisht që ka kushtuar shumë më tepër. Kjo kosto e ekzagjeruar e bën Berishën të gëlltisë deklaratën që dha vetë në 8 maj, dhe nëse këtë e bën Berisha, natyrisht që detyrohet ta bëjë dhe Basha, i cili gjer më tash s’ka treguar ndonjë grimë vullneti vetjak. Nuk është hera e parë që Berisha ha fjalën e vet, as që lëpin atë që ka pështyrë, gjithsesi së fundmi u përpoq shumë të ndërtojë një tjetër figurë për veten. Sa keq që as Basha nuk ia realizoi ëndrrën…

Të zhgënjyer nga rezultati i një numërimi masiv, që është ndjekur prej televizionit nga miliona shqiptarë, Berisha ka rifilluar të përdorë instrumentat që ka në dorë, duke shpresuar në një ristanizim të procesit paselektoral. Ristanizimi nuk duhet kuptuar si dukuri që lidhet vetëm me “padronin” e KQZ-së, Ristanin, po duhet lexuar si ai fenomen që prek institucionet e së drejtës, dhe ato që kanë për tagër të gjykojnë, kur uzurpohen nga militanti si qenie e zhveshur nga qytetaria.

Një dreq e di se çfarë po gatuhet në magjen e Berishës, ndoshta ai prodhon zhurmë për të shmangur (siç shkruajnë shumë lexues në Shekulli Online) statusin e humbësit siç bëri me statusin e vrasësit të 21 janarit, – po është e rrezikshme kjo rishfaqje e dëshirës për të ndërruar rezultatin në tavolinë. E thënë kjo pikërisht nga një person si Berisha që ka akuzuar muaj me rradhë rivalin e tij Rama pikërisht që kërkoka “ndryshim rezultati në tavolinë”, është e paimagjinueshme si nivel cinizmi dhe paturpësie.

Deklaratat e dhëna në 8 maj, pas mbylljes së procesit të votimit

Berisha: Numërimi më i saktë në botë

Ligji shqiptar i numërimit të votave dhe teknologjia më e avancuar e instaluar në këto qendra realizojnë procesin e vlerësimit dhe numërimit më të saktë në botë.
Jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se PD-ja Aleanca për Qytetarin është e vendosur të njohë, vlerësojë dhe të respektojë çdo votë, për rrjedhojë të vlerësojë dhe pranojë çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve.

Unë dëshiroj që edhe kundërshtari të këtë gatishmërinë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga praktika e ankthit, të votës së qytetarëve dhe të vendosë burrësisht për të njohur çdo rezultat siç del në sytë e të gjithë botës, ky ishte një proces tërësisht normal.

Lulzim Basha në 8 maj: Do të njoh rezultatin e zgjedhjeve

Pjesëmarrja rekord dhe transparenca e procesit kërkojnë që të gjitha palët të njohin dhe të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Në këto zgjedhje, të gjithë qytetarët e Tiranës janë fitues. Të dhënat objektive, siç është pjesëmarrja rekord, sondazhet dhe exit-poll-et janë jashtëzakonisht premtuese. Jam i vendosur të pres përfundimin e procesit të numërimit. Pres të numërohet vota e qytetarëve të Tiranës. Zgjedhjet e ndershme, proces transparent i numërimit dhe respektim i rezultatit. Ky është shërbimi më i mirë për qytetin tonë dhe për vendin.