Mero Baze
Dy muaj më parë shtypi botoi disa foto shumë familjare të Sali Berishës dhe gruas së tij, me fëmijët e Enver Hoxhës. Fotot tregonin stinë të ndryshme shëtitjesh, pasi njëra ishte shëtitje me varkë në liqen dhe tjetra në një dhomë dimri me oxhak. Fotot nuk kanë nevojë për koment, dhe vet Berisha u kufizua në komente pas botimit të tyre. Ai thjesht shpjegoi se djali i Enver Hoxhës dhe nusja e tij me të cilën ai ka pasur dhe ka miqësi, janë mbështetës të PD-së. (?!!!)
Edhe pse është qesharak si arsyetim, jemi të detyruar ta marrim si të mirëqenë, si të vetmin shpjegim zyrtar që ka dhënë për ato foto, por nuk duam ta vëmë në pozitë të vështirë dhe ta pyesim sot nëse i ka ftuar miqtë e tij të vjetër në mitingun festiv që do të mbajë, meqë ata i konsideroj si mbështetës të PD-së ?
Ajo që është e frikshme dhe regresive në antimitingun e sotëm të pushtetit, është se Dita simbol e rrëzimit të monumentit të një diktatori, po përdoret si një “Ditë urrejtje” kundër opozitës njësoj si në Libi, apo Iran. 20 vjet pas rrëzimit të një monumenti të diktatorit komunist, Shqipëria është në rrugë për të rrëzuar Monumentin e Korrupsionit, simbol i të cilit është Sali Berisha. Njësoj si në vitin 1991, dhe tmerrësisht njësoj si në vendet e botës arabe këto muaj, Sali Berisha po imiton diktatorët në ikje dhe ne vdekje, në të gjitha detajet. Ai po vret për të ndalur protestat, po organizon ditët e urrejtjes kundër opozitës dhe po fyen gjakun e të vrarëve për drejtësi para zyrës së tij, nga dritaret zyrës së tij.
Ai po jeton njësoj si diktatorët paranojën e vrasjes së tij, eliminimin fizik me armë apo helm, dhe mbi të gjitha po dërrmohet nga ideja se ai mund të shkoj dhe para drejtësisë. I plakur në fytyrë nga tensionet, me buzë të plasur dhe të pashëruar prej disa muajsh, me një retorikë paranojave për armiqtë që e rrethojnë, ai është bërë sot më shumë se kushdo tjetër personazhi i medias botërore, që e citojnë për diktator plak, apo që e rendisin në mes të atyre udhëheqësve politikë në botë që po ikin nga betejat kundër diktaturave të korrupsionit.
I rrënuar nga kjo klimë, ai po përdor ditën simbol të triumfit të opozitës në Shqipëri, për të mbjellë urrejtje kundër opozitës duke ngjallur një frymë të frikshme antidemokratike në këtë vend. 20 vite pas rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, ne kemi një qeveri që po investohet kundër protestave me armë në dorë dhe përfaqësues fiktivë të Lëvizjes së Dhjetorit që kërkojnë që historia të ndalet në vitin 1990 dhe të mos ketë më protesta dhe luftë për drejtësi në këtë vend. Njësoj si në logjikën e krerëve të nazizmit në Gjermani, që mendonin se liria u arrit kur erdhi në pushtet Hitleri, dhe Berisha dhe ndjekësit e tij mendojnë se betejat për liri mbyllen aty ku ata vijnë në pushtet dhe pas kësaj çdo gjë është e ndaluar.
20 vite pas rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, unë si gazetar jam më pak i lirë se në Shkurt të vitit 1991 për të shkruar, janë më shumë i rrezikuar nga falangat e krimit se atëherë dhe intelektualët e vendit tim janë më të frikësuar se atëherë për të folur. Në ditën simbol të opozitës në këtë vend, ne po prodhojmë 20 vite më pas një ditë urrejtje për opozitën për arsyen e vetme se ajo rrezikon pushtetin e Diktaturës së Korrupsionit në vend dhe udhëheqësit të saj, Sali Berisha.
Kjo është arsyeja, që sot shumica e shqiptareve janë nervozë, pasi Diktatura e Korrupsionit, pasi u ka vjedh paret nga xhepat e tyre, pasi u ka vjedh pronat dhe dinjitetin, pasi u ka vjedh taksat dhe të ardhurat e tyre përmes ryshfeteve, tani po u vjedh dhe ditën kur ata duhet të protestojnë kundër kësaj tiranie të re për të shembur Murin e Korrupsionit. 20 vite pas rënies së Perdes së hekurt, mbarë bota po tronditet nga shembja e mureve të tiranive të korruptuara, të cilat nuk kanë më asnjë lidhje me ideologjitë. Mubaraku nuk ishte as i majtë as i djathtë, por një diaktor hajdut, Ben Ali nuk ishte as i majtë as i djathtë por diktator hajdut. Një i tillë është dhe Sali Berisha.
Ndaj ai sot është njeriu më pak i gëzuar realisht në shesh. Atij nuk i shijon koncerti, atij i shijon frikësimi i opozitës dhe zhdukja e saj. Por ai bën një gabim fatal në llogaritë me historinë. Ai duhet ta linte pa bërë pis 20 Shkurtin për të qenë dita simbol e opozitës. Por nuk ka vend për tu shqetësuar. Jo shumë kohë më vonë, ne do të kemi përveç 20 Shkurtit dhe një datë tjetër, ku opozita e këtij vendi do të përkujtojë rënien e pushtetit të Sali Berishës.
Sot Sali Berisha nuk ka thirrur një koncert festiv për të përkujtuar atë që rrëzoi populli i Tiranës më 20 Shkurt 1991. Sot Sali Berisha po përpiqet ti heq frikën vetes se ai nuk ka ndërmend të rrëzohet. Koncerti i tij festiv mbi një bulevard ku janë vrarë nga dora e tij katër qytetarë shqiptarë i ngjan dekretit të Ramiz Alisë në Shkurt të 1991 për mosprekjen e monumenteve.
Është e frikshme ta mendosh se për të rrëzuar bustin e diktatorit, nuk u derdh asnjë pik gjak, edhe pse kish dekrete presidenciale që e mbronin, kurse për të protestuar para zyrës së Sali Berishës janë vrarë deri më sot katër qytetarë. Kjo është diferenca e tij e frikshme me ata që ikën nga pushteti më 20 shkurt 1991. Diktatorët mes të tjerash krahasohen dhe me gjakun që derdhin duke ikur.