Eshtë padyshim figura më kontraverse e historisë shqiptare, një nga tre kulmet e trekëndëshit që përfshijnë Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. E njëjta teknologji e aftë të krijojë një marrëdhënie të paprerë mes dashurisë dhe urrjejtjes, gënjeshtrës dhe autosugjestionit. Sali Berisha është një figurë plot ditëhije, por me shumë më shumë hije sesa dritë. Përmasat e një puzzle politik, copëza të të cilit nuk ndodhen vetëm në Shqipëri
Nga Lorenc Vangjeli, JAVA, 2 Korrik 2013
Pothuaj pesë vjet më parë, në gusht 2008, Sali Berisha suprizoi me një veprim që zakonisht e bëjnë të dashuruarit. Në majën e malit të Dajtit ai fshehu në shishe një mesazh, që pretendoi se do të hapej vetëm në vitin 2020. Të dashuruarit, premtimet e dashurisë i hedhin në det. Berisha, asokohe dhe gjithë kohën tjetër është dashnor i madh e pasionant i pushtetit dhe mesazhin e tij e mbylli në mal. Pothuaj pesë vjet më pas, të dielën e zgjedhjeve, megjithatë, ai kuptoi se dëshmitarët e tij të 23 viteve, i dhanë divorcin me pushtetin. Tre ditët që pasuan ai heshti dhe të mërkurën, pranoi dhe vetë një gjë të tillë e tha të vetmen fjali që nuk e kishte thënë kurrë në jetën e tij: Po iki! Dhe ktheu krahët përballë një turme pasionante që i përpinte fjalët dhe dëneste.
Ndoshta më shumë se për ikjen e pabesueshme të tijën, dëneste për veten. Çdo humbje është në proporcion me pritshmërinë personale: Berisha humbi pushtetin real dhe u duk se dënesi, dikush humbi portofolin e ministrit, mandatin e deputetit, por ata nuk ndodheshin në turmë që t’u dallohej dënesja, shumëkush tjetër kuptoi humbjen e skuadrës për të cilën bënte tifozllëk, pavarësisht se ishte po aq i varfër, po aq i dërmuar sa tifozi i skuadrës tjetër fituese që festonte pikërisht atë për të cilën pala tjetër qante.
Një epilog befasues
Një politikan, në ballafaqimin e tij me të nesërmen, më së shumti mbahet mend për epilogun e karrierës së tij direkte politike sesa për vetë karrierën e tij. Në epilogun e tij Berisha mund të mburret se la pas dhe iku me zgjedhje që ishin absolutisht më të mirat në gjithë atë set zgjedhjesh alla shqiptare. Edhe pse gjatë fushatës e përpara saj përdori gjithçka kishte mundësi e në dorë, që nga administrata dhe strukturat e shtetit, nga policia, tek fëmijët e deri tek hipokrizia, gënjeshtrat e lumi i parave, ai i rezistoi tundimit që të ndërhynte në pikën thelbësore të zgjedhjeve: numërimin e votave. I rezistoi dhe tundimit se do të vazhdonte të ishte qëndrestar dhe se do të “ngrinte buzëqeshjen e fituesit”, siç kishte premtuar të bënte dhe bëri në 2001-shin. Në të kundërt, pranoi rezultatin dhe me një gjest të jashtëzakonshëm politik që i fliste më së shumti të nesërmes, morri mbi vete gjithë përgjegjësinë për disfatën elektorale.
Duke shfajësuar kështu gjithë të tjerët në parti, duke ju hequr atyre sikletet e pafundme të debateve e rivaliteteve të llojit, çfarë bëra unë e çfarë bërë ti dhe duke hapur në këtë mënyrë, skenaret e PD-së së nesërme. Një proces që hyri në tranzicion disa mujor dhe që në fillim të vjeshtës do të afrojë rezultatin e tij, por që padyshim dhe jashtë çdo dyshimi, në thelb do të ketë emrin, fytyrën dhe vulën personale të vetë Berishës, pavarësisht formës që do të zgjidhet. Tashmë ai ka kuptuar nevojën e rithemelimit të PD-së. Mbasi mblodhi gjithkënd që kishte përzënë në vite, mbasi më së fundi të gjithë e pranuan si “destin” që kjo parti është pronë private e atij vetë, Berisha paralajmëroi transferimin e tapisë së saj. Në dukje e ka bërë zgjedhjen.
Ai është Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, i vetmi që ka konkuruar dy vjet më parë me drejtuesin e opozitës që tani dy vjet më pas i mundi të gjithë. Ka një pafundësi arsyesh që e çojnë Berishën drejt një zgjedhjeje të tillë, ashtu siç ka dhe një mori arsyesh që pikërisht kjo kandidaturë e mundshme dhe krijesë e tij politike, mund të rrëzohet. Luajaliteti i tij me Berishën e sidomos problemet e mbartura nga e shkuara që nisin që me rrugën Durrës-Kukës e deri tek e Premtja e Zezë e 21 Janarit, mund edhe të kthehen kundër tij. E sigurt është që e nesërmja e PD-së do të reflektojë ekuilibret e rinj, brenda drejtuesve trandicionalë të saj si Topalli, Olldashi, Bode e Patozi, Imami, Ruli e të tjerë, por në proporcion me atë sesa do të dojë vetë Berisha të krijohen këto ekuilibra.
Vota për demokracinë
Sali Berisha është padyshim personazhi më kontravers i Shqipërisë pluraliste dhe me siguri do të jetë i fundmi i trinomit të ndryshëm/të ngjashëm me paraardhësit e tij, Zogu e Hoxha. Ahmet Zogun e urrente në rininë e tij komuniste, e përbuzte gjatë rinisë së tij politike dhe e dashuroi me pasion në pjesën e fundit të karrierës së tij të vrullshme. Enver Hoxhën e idhujtarizonte në rininë e tij komuniste, e urreu egërsisht në rininë e tij politike dhe e imitoi dukshëm në pjesën e fundit të karrierës së tij.
Ai ishte edhe njëri, edhe tjetri.
Ai ishte herë njëri dhe herë tjetri.
Sali Berisha bashkohej me Zogun dhe Hoxhën në arrogancën me të cilën ushtronte pushtetin dhe diferencohej nga bashkëpunëtorët, bashkohej në mënyrën sesi personalizoi politikën dhe ndërtoi e lejoi bashkëpunëtorët t’i ngrejnë kultin e frikshëm të individit, ngjante me ta në mënyrën sesi trajtoi miqtë e armiqtë dhe ishte identik me ta në shkëputjen totale nga realiteti. Ndryshon nga ta vetëm në kontekst kohor dhe modelet e kostumeve që vesh, ndryshon në formë, por jo në thelb me ta, njëlloj ballkanas e dinak, njëlloj i gatshëm të shenjtërojë çdo mjet për hir të qëllimit për pushtet dhe pushtetit si qëllim në vetvete.
Sali Berisha është qënie e mirëfilltë politike, me shumë dritëhije, me shumë më shumë hije sesa dritë, ai njeri është kasaforta e mbyllur e gjithë paqartësive, anktheve e dilemave që kanë shoqëruar rrugëtimin e vendit në pluralizëm. Duke nisur që me dhjetorin e 90-ës, rolit të tij në atë kapërcyell kohor, faktit sesi u përfshi, kush e përfshiu dhe si monopolizoi një lëvizje që nuk ishte e tij.
Ai qëndron pas gjithçkaje të mirë dhe të ligë, që ka ndodhur në Shqipëri; i aftë të personalizonte gjithçka në anën e tij politike, por shumë shpesh kushtëzues i anës tjetër të gardhit politik, i gatshëm për pirueta që do t’i merrnin mendjen çdo balerine, por që e ktheu baletin politik në ringun e vetëm të politikës shqiptare. Autoritarist dhe pragmatist, ai gaboi vetëm në një pikë të verifikuar dhe nga eksperienca e varfër politike në vend: pushteti bie nga pesha e tij.
Më shumë se kaq, Berisha ra sepse ju kundërvu sistemit dhe u shndërrua në një rrezik serioz për vetë demokracinë që në thelb parasheh balancën dhe kontrollin mes pushteteve. Pikërisht këtu e sulmoi instikti i pagabueshëm i shqiptarëve: në 23 qershor, në thelb, ata nuk votuan as Edi Ramën, as Ilir Metën e gjithë koalicionin e majtë, ata nuk votuan as vetëm kundër partisë së tij, por votuan për demokracinë. Ky lexim i ndryshëm i natyrës së votës së shqiptarëve, ka gjasa të jetë i vërtetë nëse
krahasohet thelbi i dy sistemeve që zëvendësuan njëri-tjetrin njëzet e ca vjet më parë: njëlloj si në komunizëm, në vend të demokracisë reale, u tregtua partitokracia si demokraci. Ka pluralizëm, por vendos për çdo gjë e gjithçka vetëm një parti, ka liri tregu, por liria është e kontrolluar dhe pilotuar vetëm për klientë korrektë politikisht, ka liri fjale, por dhe liri për të mos dëgjuar kundërshtarin dhe zërat ndryshe. Diskriminimi i shqiptarëve sipas përkatësisë politike u bë mbizotërues dhe kjo ishte e fundit gjë që votuesi do të falte. Ndaj e ndëshkoi me votë regjimin hibrid të ndërtuar. Më shumë se për të sotmen e dy mandateve rresht të demokratëve, shqiptarët refuzuan modelin e frikshëm të mandatit të tretë.
Sepse nëse Shqipëria do të ishte vetëm disa qindra kilometra më tutje në Lindje, ajo nuk do të kishte asnjë ndryshim nga ish-republikat sovjetike që bëjnë rregullisht zgjedhje, por që para tyre dihet mirë se kush do të zgjidhet. Berisha ra sepse ishte koha që ai të binte. Madje ra vonë! Ra atëherë kur Sali Berisha e kishte bërë të udhës t’i drejtohej vetes me emër dhe mbiemër njëlloj si personazhet e Big Brother-it dhe të lejonte të tjerët ta quanin prijësi ynë. Ra sepse duke qenë në këmbë nuk mund të afronte më asgjë tjetër për një vend të zhytur më shumë se në krizë ekonomike, në një spirale krize ekzistenciale. Ra sepse nuk i frymëzonte më asgjë shoqërisë shqiptare.
E mbani mend Enverin?
Edhe nëse ndërtohej një shkollë, një qendër shëndetësore, një hidrocentral apo qoftë dhe jepej një e drejtë studimi, formula ishte e qartë: ajo ishte dhuratë e partisë dhe e udhëheqësit. Ngjante se partia e komunistëve të djeshëm që pretendonte se ndërtonte një vend pa taksa për qytetarët, kishte një xhep magjik nga nxirrte paratë me të cilat paguhej zhvillimi i vendit dhe gjithë jeta e tij. Në fakt e gjitha kishte të bënte me rolin rregullator që shteti komunist përdorte në shpërndarjen e të ardhurave që prodhonin vetë qytetarët. Nuk paguhej për arsimimin dhe spitalet, por paratë dilnin po nga xhepat e përbashkëta të tyre, paguanin qera minimale për banesat apo energjinë, por paratë vinin sërish nga puna e papaguar e tyre.
Ishte përsëritur aq shpesh kjo lloj gënjeshtre groteske sa ishte kthyer në bindje popullore atëherë dhe në kartë politike sot kur përdoret e njëjta teknologji. Çfarë thotë vetë Berisha në fjalimin e tij të fundit? “Ne duhet të jemi krenarë sot me Partinë Demokratike, sepse për të bërë të vërtetë ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar të qytetarëve shqiptarë, ne ndërtuam në mbarë vendin qindra ujësjellës dhe sisteme kanalizimi, një seri sistemesh të pastrimit të ujërave të ndotura dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë. Por, në mandatin tonë të ri ne do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturë ujore më moderne që ekziston.
Shqipëria – vend i zhvilluar, për ne ishte dhe është para së gjithash Shqipëria e dijes. Për të arritur këtë objektiv ne mbi dyfishuam rrogat e mësuesve, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla fillore, nëntëvjeçare, të mesme, korpuse universitare. Ne sot, njëlloj si vendet e zhvilluara, kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, nga vetëm 45 shkolla që kishin internet dhe nga vetëm 700 kompjuter që ishin shkollat tona pak vjet më parë, sot kanë mbi 24.500. Shqipëria ka arritur nivelin e vendeve të zhvilluara për studentë për 1000 banorë dhe përqindjen e nxënësve që ndjekin shkollat e mesme”.
Marrëzi apo një gënjeshtër e përsëritur e shtuar me pretendimin se PD e futi Shqipërinë në NATO dhe hoqi vizat për udhëtimin në vendet e BE-së? Eshtë qeveria ajo që ndërton rrugë apo qeveria duhet të ndërtojë politika? E shpiku qeveria internetin e Facebook-un që e referon shpesh, apo ato janë zhvillime normale teknologjike? Ishte Shqipëria që hyri në NATO apo ishte politika e zgjerimit të NATO-s që i siguroi vendit vend nën këtë sistem global sigurie? Ishte PD që hoqi rregjimin e vizave apo kjo është gjithashtu pjesë e politikës së hapjes së BE-së në vendet e Ballkanit? Natyrisht që vendi ka plotësuar kritere dhe kushte të caktuara, por kjo është thjesht dhe vetëm detyra e saj. Nuk
mund të quhet arritje ajo çfarë është normale. Njëlloj si rritja e rrogave e pensioneve që është përgjigja për shtrenjtimin e nivelit të jetesës, por që nuk i jep përgjigje pyetjes: sa më shumë të mira materiale blejnë shqiptarët me këto rroga e pensione të shtuara në krahasim me vite më parë. Dhe kur vjen puna tek rrugët, sërish njëlloj siç do të bënte Enveri, ka vetëm heshtje për pyetjen: si janë ndërtuar, a janë ndërtuar realisht ato që duheshin ndërtuar dhe a do të duhej të ndërtoheshin më mirë? Keqkuptimi i madh komunist që e sheh qeverinë si një lloj kryetari komune që ndërton ujësjellësa dhe kanalizime u mbart po nga vetë botëkuptimi komunist i vetë Berishës. U mbart deri në pikën që ai me siguri e beson edhe vetë se gjithçka në këtë vend që është frut i zhvillimit normal të vendit, është garantuar prej atij vetë. Nga kjo pikpamje, shqiptarët i thanë “Jo!” edhe politikëbërjes sipas stilit të Babo Natale-s me thes në dorë që diku hedh një rrugë rurale, diku një qendër interneti e diku tjetër një ujësjellës apo një urë.
Basti për historinë
Ky është padyshim basti i madh i Sali Berishës. Një njeri që ka ditur të ngjallë dashuri dhe urrejtje si pakkush në këtë vend. Gjithmonë do të ketë shqiptarë që do ta duan marrëzisht dhe shqiptarë që do ta urrejnë me të njëjtin pasion. Për të janë shkruar mijëra kilometra me letër dhe në 23 vjet ka qenë pjesë e bisedave të çdo shqiptari sepse ai ka ndikuar në jetën e çdo shqiptari. Për të do të vazhdohet të shkruhet edhe më tej dhe
shumë madje. Por e vërteta për të nuk gjendet vetëm në Shqipëri. Pjesë të portretit të tij politik, të para dhe të pas viteve
90’, janë të skicuara dhe gjetkë. Ndoshta duhet të kalojnë 25 apo 50 vjet kur të qëmtohen dhe pjesë të tjera të padukshme të puzzle-s të këtij personazhi të jashtëzakonshëm që në qershorin e vitit 2008 ka mbyllur një mesazh privat në shishe dhe që e ka fshehur diku në malin e Dajtit.
P.S. “…por, në mandatin tonë të ri ne do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturë ujore më moderne që ekziston”. Kjo frazë është përsëritur disa herë në fjalimin e kryeministrit në detyrë Sali Berisha. Në fjalimin që deklaroi dorëheqjen e tij nga funksionet në PD. Ky lapsus dëshmon se pjesë të konsiderueshme të fjalimit kanë qenë copy paste nga fjalimet e fushatës. Por ky është vetëm një detaj. E tëra qëndron tek modeli i gënjeshtërt, tek realiteti virtual që ky teknolog i pashoq i manipulimit të njerëzve ka krijuar në 23 vjet, që për ironi të fatit e ka megjithatë një gjë të dobishme. Ai është një model që duhet të vazhdojë të ekzistojë si një shembull që nuk duhet ndjekur. Jo aq për efekt të kontrastit, por për të treguar se si nuk duhet të jetë politika shqiptare e ushqyer prej tij me egërsi dhe arrogancë deri në pikën kuy litari i zullumit u këput ngaqë u trash tej çdo arsyeje.