TemA, 28 Dhjetor 2012
Kryeministri i kumton stafit të tij: Kam një lajm të veçantë për ju, jemi të katërtit në botë për mirëqenie. A thua nuk e ka thënë këto tre ditë fare këtë gjë
Kryeministri Sali Berisha realizoi një pritje për bashkëpunëtorët e tij me rastin e festave të fundvitit.
Por edhe pse ata janë njerëzit që bashkëpunojnë me Berishën, kryeministri u dha një lajm të ri e të veçantë: Shqipëria është në vend të katërt në botë për mirëqenie ekonomike.
Që të kuptohemi, nuk ka mbetur njeri pa e mësuar se e ka përsëritur këto tre ditë kaq shumë, por stafi i tij duhet ta mësojë një fakt të tillë. Ndoshta nuk e dinin.
“Por unë kam një lajm shumë të veçantë sot për ju dhe për mbarë shqiptarët. Në një studim, në një analizë e bërë nga një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, analizë e zhvillimit të 140 vendeve të planetit, tregon se ne kemi qenë persistentë në programin tonë të zemrës së dhimbsur dhe të fytyrës njerëzore. Sot është një kohë në të cilën e vërteta e pamohueshme është që vendet e pasura varfërohen, vende apo tregje emergjente shkojnë drejt mëkëmbjes së vazhdueshme. Në këtë proces tërësia e reformave nuk mund të ketë qëllim më fisnik, nuk mund të ketë qëllim më madhor se mirëqenia e qytetarëve. Ky grup ka nxjerrë dy koeficiente, koeficientin e shndërrimit të pasurisë në mirëqenie, koeficientin e shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Njëra është pasuria ekzistuese, tjetra ajo që krijohet në rritje. Ky grup i Bostonit gjen se në përpjekjen e saj për të shndërruar pasurinë në mirëqenie Shqipëria renditet e 19-ta në planet. Ky grup analizon 51 treguesit më kryesorë të zhvillimit.
Ky grup analizon këta tregues në të gjithë kohën, por kryesisht në pesë vitet e fundit. Në qoftë se Shqipëria shënon një pikavarazh prej 44.1 përqind e shtrirë në tërësinë e saj, në pesë vitet e fundit, Shqipëria ngjitet në 97. 8 përqind. Ka vetëm një vend në botë që merr pikë më shumë se Shqipëria në pesë vitet e fundit dhe ky është Brazili. Grupi të gjithë treguesit i analizon në një këndvështrim, këndvështrimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i zhvillimit të qëndrueshëm. Ky jo vetëm gjen Shqipërinë një vend të orientuar tërësisht në rritjen ekonomike të qëndrueshme, por gjen Shqipërinë një nga katër vendet më të mira në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët.
Po të kthehemi dhe të analizojmë të gjithë përpjekjen tonë, ata 51 tregues janë secili që prek në lëkurë qytetarin e vendit, janë të ardhurat. Asnjë vend nuk ka rritur rroga dhe pensionet sic i ka rritur Shqipëria. Është përmirësimi i infrastrukturës dhe asnjë vend tjetër, ndoshta, në 5-6 vite nuk ka ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në mënyrë që të lehtësojë jetën e qytetarëve. Është furnizimi me ujë. Është përmirësimi i arsimit dhe asnjë vend tjetër nuk ka trefishuar numrin e studentëve siç ka trefishuar Shqipëria në një hark kohor gjashtëvjeçar.
Matet dhe është tregues, sigurisht, aksesi në shërbimin shëndetësor. Shqipëria renditet e treta në Evropë për aksesin më të lehtë të mundshëm në shërbimin shëndetësor. Unë mora disa nga treguesit, por këto janë 51 tregues, të cilët ky grup konculence me statistikat që ka marrë nga institucionet më serioze ndërkombëtare në analizën e tij rendit Shqipërinë në shndërrimin e rritjes ekonomike, 5 vitet e fundit, në mirëqenie për qytetarët në katër vendet e para në botë, renditje në të cilat është Zvicra, Brazili, Zelanda e Re dhe Shqipëria,” tha Berisha.







