Berisha: Prekja e monumentit në Luginën e Preshevës, provokim për gjithë shqiptarët. Serbia do spastrim etnik

0
33

TemA, 5 Janar 2013

Kryeministri Sali Berisha ka dalë me një deklaratë në shtyp disa ditë pasi tensioni në Luginën e Preshevës është rritur ndjeshëm, pas kërcënimeve të Serbisë se do të heqë një monument të ngritur për martirët e rënë në mbrojtje të shqiptarëve nga regjimi i Milosheviç.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se janë autoritetet vendore që vendosin për monumentet.

“Ushtria Çlirimtare e Luginës së Preshevës lindi në kohën kur qytetarët shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare në jugun e Republikës së Serbisë ishin, sipas raporteve të OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, qytetarët më të shtypur të Europës e madje ndoshta të botës. Me luftën dhe sakrificën e tyre sublime, luftëtarët e lirisë i imponuan regjimit të Millosheviçit një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar, zbatimi i të cilës është jetik për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe i domosdoshëm për paqen e stabilitetin në rajon. Shtojmë këtu se në çdo vend të lirë janë autoritetet vendore dhe jo ato qendrore që vendosin për monumentet historike apo kulturore që duan të ngrenë në territorin e njësisë së tyre vendore,” thuhet në deklaratën e Berishës, që thekson se marrja e këtyre kompetencave nga Beogradi është shkelje e konventave evropiane për liritë e të drejtat njerëzore.

Më pas Berisha e ngre më shumë tonin, duke deklaruar se Serbia kërkon spastrim etnik në këtë territor. Madje ai i quan ata që kërkojnë të heqin monumentin si vandalë.

“Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Ajo ka inkurajuar qëndrimin konstruktiv dhe pjesëmarrës të pakicës shqiptare në Serbi në jetën e vendit. Por qëndrimi i fundit i autoriteteve të Beogradit, mosrespektimi deri në alergji i të rënëve të kombit shqiptar nga ana e tyre është një provokim ndaj mbarë shqiptareve, përpjekjeve të tyre serioze për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve të reja me fqinjët e tyre.

Qeveria shqiptare i bën thirrje autoriteteve të Beogradit të lënë mënjanë praktikat e vjetra albanofobe, të respektojnë pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Serbi dhe jep ndihmesën e saj në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Qeveria shqiptare i bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos provokohen në asnjë rrethane nga ata, të cilët kanë vetëm një qellim, të spastrojnë etniksht komunat e tyre, t’i largojnë ata me një mënyrë apo një tjetër nga trojet e tyre etnike mijëravjeçare. Vërtet vandalët mundet me forcën dhe dhunën shtetërore të rrënojnë një përmendore të luftëtarëve, atë të Martirëve të Lirisë së shqiptarëve, por ky është vetëm akt frike. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë”.