Berisha po tenton t’i japë dimension human krizës

0
40

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Rajmonda Bulku është përpjekur të bëjë sot aq sa mundet, një rol politik. Ka lexuar publikisht një letër të shkruar nga Sali Berisha për gratë greviste të opozitës, përgjigjen e të cilave e ka marrë pak minuta më vonë. Ajo që bie në sy në gjithë këtë debat të tentuar nga Sali Berisha, është përpjekja për të pranuar një dimension human të krizës, atë të sakrificës njerëzore të grave të opozitës. Njësoj si aktorja e njohur Bulku, e cila tani ka marrë rol politik, ashtu dhe politikania Topalli u përpoq dje të merrte rolin e një aktoreje duke shkuar në spitalin ku kishte shkuar në urgjencë një deputete greviste.

Me mentalitetin e njeriut të pushtetit, që i ka të gjitha gjërat në dorë, zonja Topalli “garantoi” zonjën deputete se për cdo problem shëndetësor që ajo mund të kishte, do t’i zgjidhej pasi zonja Topalli kishte dhënë porosi. Ky mentalitet rrënues që ka për shtetin ligjor dhe funksionimin e institucioneve zonja Topalli, dëshmon se në vitin 2010 edhe për t’u kuruar normalisht në një spital të pushtetit të Sali Berishës, duhet të japë porosi zonja Topalli apo zoti Berisha.

Edhe gjatë regjimit komunist, kur Berisha ishte edhe mjek edhe sekretar partie, të sëmurët e ardhur nga burgjet komuniste mund të merrnin trajtim mjekësor pa ndonjë problem, pavarësisht se ata mund të ishin internuar apo burgosur po nga Sali Berisha si sekretar partie. Në vitin 2010 një kryetare parlamenti guxon të artikulojë publikisht faktin se një deputete e opozitës e ka jetën e garantuar vetëm po të japë porosi pushteti për shëndetin e saj. Kjo frymë e ndarjes klasore të shoqërisë reflektohet spontanisht pastaj në gjithë piramidën e administratës shëndetësore.

Autoritetet e grevës së urisë sot janë shprehur të shqetësuar për një lloj qëndrimi armiqësor të mjekëve që presin njerëzit me probleme nga greva e urisë. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, nëse ata kanë dëgjuar zonjën Topalli për porositë që duhet të jepen për të sëmurët. Meqë zonja Topalli ka dhënë porosi publike vetëm për një deputete, që ajo e njeh, me sa duket mjekët presin porosi për cdo armik të klasës që sëmuret dhe shkon në spital. Detaje të tilla primitive të sjelljes publike të zonjës Topalli ilustrojnë më së miri mënyrën se si pushteti përpiqet të përdorë cdo institucion shtetëror apo publik për qëllime politike.

Dhe kur arrijnë që në këtë histori të inkriminojnë dhe sistemin shëndetësor, i cili dhe në diktaturë ka pasur lirinë të kurojë armiqtë e sistemit, përvec rasteve të veçanta kur përdoreshin mjekë të inkriminuar nga regjimi për eliminime fizike, do të thotë se kemi bërë aq shumë hapa mbrapa në kohë, sa Sali Berishës si kryeministër i një sistemi demokratik, do t’i vinte turp nga Sali Berisha, mjek dhe sekretar partie i një sistemi komunist.