“Berisha po ligjëron kontrabandën e plehrave drejt Shqipërisë”

0
39

Nga Bledar Lumani

Flet ambientalisti Lavdosh Ferruni

Një nga zërat me të njohur në fushën e mbrojtjes së mjedisit, thotë për gazetën TemA se tashmë plehrat e Napolit do të vijnë në Shqipëri. Sipas tij, ky është një rrezik i madh për vendin. Ai thotë se pas vendimit fshihen qeveritarët, për shkak se ai u miratua në fshehtësi, pa asnjë konsultë dhe pa u miratuar të tjera ligje që i hapin rrugën atij.

Si e komentoni vendimin e qeverisë për plehrat?

Vendimi i fundit i qeverisë për importimin e mbetjeve për përdorim, riciklim dhe përpunim të tyre, është një vendim totalisht i kundërshtueshëm. Kjo, të paktën për periudhën në të cilën Shqipëria është sot, ku ka një mungesë totale dhe të theksuar kontrolli dhe ku mundësia e abuzimit është jashtëzakonisht e madhe. Kjo nuk është një mundësi e abuzimit të fitimit të njërit ndaj tjetrit, pasi kjo është vetëm njëra anë. Mundësia e abuzimit është me mënyrën që këto mbetje do të shkatërrojnë ambientin në mënyrë të pariparueshme për dekada të tëra. Ky është shqetësimi më i madh që vjen pas këtij vendimi të marrë nga ana e qeverisë.

Përse u mor tani ky vendim dhe a mendoni se ka ndonjë prapavijë pas tij?

Mendoj që ky vendim mund të jetë frut i ndonjë bashkëpunimi të kompanive internacionale, por dhe të kompanive më të vogla, që janë shumë të interesuara për zhvendosjen e mbetjeve nga territoret ku ato operojnë, ku ka sanksione shtrënguese shumë të forta. Me këtë vendim ato gjejnë një ambient “dashamirës” për importin e mbetjeve. Kjo industri nuk do të sjellë të ardhura në vend dhe mund të them se në planin ekonomik ky plan është tepër i pastudiuar në rastin më të mirë, për faktin se dëmtohet rëndë bujqësia, peshkimi, duke qenë se ndotja fillon që në det nga derdhjet e mundshme, të cilat mund të jenë edhe toksike. Por ky vendim do të dëmtojë në mënyrë të dukshme edhe turizmin. Imazhi që do të krijohet në përgjithësi për Shqipërinë, e cila po promovohet si një potencial i madh turistik në Europë, do të dëmtohet jashtë zakonisht shumë. Dhe ky dëmtim nuk do të jetë vetëm në fushën e imazhit, pasi imazhi përkthehet në përfitime më të mëdha ekonomike.

Cili është përfitimi i Shqipërisë nga ky vendim?

Unë nuk mendoj se Shqipëria përfiton ndonjë gjë nga ky vendim. Përkundrazi, do të ketë humbje të pariparueshme. Përjashtim bëjnë pak veta, të cilët do të merren me këtë lloj industrie. Kurse shqiptarët në tërësinë e tyre dhe vetë shteti shqiptar kanë vetëm humbje nga ky vendim.

Pra nuk do të ketë asnjë përfitim financiar?

Sigurisht që nuk ka asnjë përfitim financiar. Nuk mund të ketë përfitim financiar, por edhe nëse do të ketë, ai është i pallogaritshëm me dëmin që do t’i shkaktohet ambientit nga mbetjet. Nëse çështja shikohet në mënyrë integrale, dëmi që i sjell ekonomisë është shumë i madh. Duhet thënë se mjedisi nuk është vetëm një term ekzotik dhe idilik, por një term që ka shumë vlerë. Ekosistemet në ditët e sotme vlerësohen dhe konvertohen me para, pasi vlera e tyre është shumë e madhe, sidomos me ekosistemet shumë të pasura që ka Shqipëria.

Përfituesit e këtij vendimi pra janë një grup shumë i vogël njerëzish?

Absolutisht po. Ky është një favor që po u bëhet një grupi përpunuesish që u bëhet mbetjeve, të cilët me shumë mundësi kanë lidhje me qeveritarë të ndryshëm. E them këtë, pasi nuk besoj se ky vendim do të merrej me kaq nxitim, nëse pas tij nuk qëndrojnë njerëz të lidhur me qeveritarë. Aq më tepër që akoma nuk kemi një ligj të ri për mbrojtjen e mjedisit dhe për menaxhimin e plehrave. Pra, është një paketë që akoma nuk është plotësuar dhe nuk ka dalë një ligj i ri dhe bashkëkohor, që është edhe një detyrim i Bashkimit Europian. Deri më tani është operuar me ligje të vjetra të vitit 2002 si referenca ligjore. Ky nxitim, në një kohë që ligji është nëpër duar, tregon se pas këtij vendimi mund të fshihet një çështje korruptive.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka thënë se ligji i ri rregullon sjelljen e plehrave në Shqipëri. Kjo do të thotë se deri më tani plehrat janë sjellë në mënyrë të pakontrolluar?

Po, kjo është shumë e vërtetë. Këtu kanë hyrë plehra pa asnjë kontroll. Tani përpjekja është është që ligjërohet kjo lloj kontrabande që është bërë me plehrat. Dhe me këtë vendim në fakt i hapet rruga ligjore, jo vetëm një lloj mbetjesh të caktuar urbane, po aq më keq do të lejohet hyrja e një game të gjerë plehrash, me më shumë se 200 lloj mbetjesh, të cilat janë edhe industriale, çka rrit ndjeshëm rrezikun dhe mund të krijojnë probleme të pariparueshme në ambient për një kohë shumë të gjatë.

Kryeministri Berisha tha se në Shqipëri do të importohen vetëm 57 lloj plehrash. Kush do ta kontrollojë këtë gjë?

Jo vetëm 57, por në Shqipëri nuk duhet të hyjë asnjë lloj mbetje. Kjo, për shkak se ka një dendësi të madhe popullsie dhe një hapësirë të vogël fushore, ku është dhe përqindja më e madhe e turizmit dhe bujqësisë. Nuk është e vërtetë që do të hyjnë 57 lloje mbetjesh, pasi janë më shumë se 57. Në VKM-në e qeverisë parashikohet që të hyjnë të paktën 250 lloj mbetjesh. Nëse kryeministri në mendjen e vet bën një selektim të mbetjeve që do të hyjnë në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se do hyjnë aq. Kjo çështje është kombëtare dhe nuk mund të vendoset në këtë mënyrë brenda natës dhe fshehurazi, siç ndodhi, pa u konsultuar më parë me grupet e mëdha të interesit. Qeveria duhet të ishte konsultuar me komunitetin dhe të gjithë aktorët e mundshëm të këtij vendi, dhe jo vetëm me bizneset që merren me riciklimin e plehrave. Kjo, pasi ky është një vendim i thjeshtë, por një vendim që prek gjithë ekonominë shqiptare dhe gjithë mjedisin shqiptar. Për më tepër ky efekt nuk është afatshkurtër, por shtrihet në kohë për dekada të tëra.

Ky vendim tashmë mund të vihet menjëherë në zbatim?

Me hyrjen e këtij vendimi në fuqi, tashmë në Shqipëri mund të hyjnë plehra të ndryshme. Ky është një gabim tjetër shumë i madh ligjor, për faktin se ky importim mbetjesh nuk mund të bëhet pa integrimin e të paktën dy rregulloreve të tjera, të cilat funksionojnë në Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për transportimin e këtyre mbetjeve dhe ligji për riciklimin dhe përpunimin e tyre, ligje që nuk ekzistojnë në Shqipëri. Pra në jemi para një situate që i kemi hapur rrugën një vendimi, i cili e ka rrugën e mbyllur për proceset e mëtejshme, pra për përdorim dhe riciklim të tyre, për shkak se mungon ligji për to.

Për këtë vendim është marrë mendimi i ambientalistëve nga qeveria?

Nuk është marrë asnjë mendim në mënyrë absolute. Kjo është një fatkeqësi e madhe, aq më tepër kur ne jemi pjesë e konventave të ndryshme, të cilat e kanë domosdoshmëri pjesmarrjen tonë në ligjet dhe vendimet me përmasa kaq të mëdha. Ne do të përdorim të gjitha mundësitë që na afron legjislacioni për ta kundërshtuar këtë ligj. Madje do të ndërmarrin edhe protesta popullore.

Në Napoli janë duke u zhvilluar protesta të dhunshme për plehrat. Rrezikojmë ne që plehrat e tyre tashmë të vijnë në Shqipëri?

Sigurisht që po. Tashmë në gjithë hapësirë globale ekziston një problem i madh, ai i plehrave, duke parë që konsumi është shumë i madh. Transportimi i këtyre plehrave deri më tani ka ndodhur në vendet e Afrikës. Por tashmë në këto vende po bëhet gjithmonë e më e vështirë për dërgimin e mbetjeve, për shkak të ndërgjegjësimit të tyre. Duke qenë kështu, mendoj se Shqipëria është gjetur si një terren mjaft i lehtë për të transportuar mbetjet nga vende të ndryshme.

Pra Shqipëria ka marrë rolin e shteteve të Afrikës, duke u kthyer në koshin e hedhjes e mbetjeve të ndryshme?

Mendoj se po. Pasi nuk ka asnjë vend tjetër në Europë që të lejojë kaë lehtësisht mbetjet e të gjitha llojeve, përfshirë dhe ato industriale dhe urbane, siç po bën në fakt qeveria shqiptare.