BERISHA PO IKËN, PËRSHËNDETUNI ME TË!

0
45

SOKRAT HABILAJ, 21 Qershor 2013

Natyrisht që ai po ikën. Po ikën në një turravrap të pa fund nëpër sheshe e pllaja, nëpër qytete e katunde, nëpër studio televizive, mes një dalldie turmash dhe dëshire të tij të papërmbajtur për t’i takuar të gjithë, për të folur me të gjithë dhe për të folur për të gjitha, tipike kjo për një ikje “të madhe”. Po ikën me një dëshirë të papërmbajtur për të folur për gjithçka di për politikën globale dhe garat me kuaj, për letërsinë dhe seksin, për modën dhe perçen, për kanunin dhe anijet kozmike, për Oksidentin dhe fermanët e mykur, dëshirë kjo tragji-komike e të gjithë të moshuarve që në çastin e fundit, duan t’i hedhin tej maskat. Me sa duket edhe vet ai, e ka kuptuar se po ikën, por personi me emrin Sali, e bashkë me të edhe të tjetër, nuk po e lenë kryeministrin Berisha të iki denjësisht.

Duket se ikjen e tij, ashtu si ardhjen, për shkak të tij dhe të tjerëve, do ta ndjekë një fat i trishtë. Duket se ai, po për fajin e tij dhe të tjerëve, ndryshe nga të gjitha ikjet, do të privohet nga ritet e nderit dhe të respektit në çastin e ikjes. Nuk është fisnike as për atë as për ithtarët e tij që t’ia heqim mundësinë e ikjes dinjitoze, por ajo që nuk mund të pritet është të ndryshojë. Ajo që duhet thënë është fakti se se pas një përcjellje jo dinjitoze, “turpi” nuk është i atij që iku, por i atyre që mbeten pas. Ne, të gjithë pa përjashtim, nuk duhet t’ia lejojmë vetes një “turp” të tillë.

Ju ish të persekutuarit e regjimit që iku, të burgosurit, të dënuarit pa gjyqe, ju që gjithë jetën komunizmin e keni pasur si makth, ju që në fillim të viteve nëntëdhjetë shpresuat se shpëtuat përfundimisht nga ai, ju që edhe në çastet më të zymta kurrë nuk e keni menduar se hija e komunizmit do t’ju ndiqte edhe një jetë tjetër në demokraci, ju që keni pasur kohën e mjaftueshme që ta kuptoni se komunizmi me demokracinë janë vite drite larg njëra tjetrës, ju që e dini se udha e një komunisti për t’u bërë demokrat është një mision absolutisht i pamundur, ju pra nuk duhet të kishit pasur edhe “një shans” më shumë që të bindeni se komunizmi shqiptar ishte jo vetëm më i egri, por ai ishte edhe më hileqari, më skuthi. Ju që u ndatë denjësisht me komunizmin para shumë viteve kur ai ishte i egër, edhe tani që ai është hileqar dhe skuth, natyrisht që do dini të përshëndeteni me të në ikje e sipër, po aq denjësisht. Ju që latë jetën tuaj nëpër pritat që ju ngriti komunizmi i egër, është çasti të përshëndeteni me “pas komunizmin”, me komunizmin hileqar dhe skuth.

Ju njerëzit e thjeshtë që përgjithësisht partitë ju kanë vetëm lista zgjedhjesh, ju që në çdo katër vite vraponi shesh më shesh e miting në miting, ju që ndërsa shikoni fytyrën e “prijësit”, besoni pafajësisht se ai mendon vetëm për ju dhe pastaj humbisni në trishtimin tuaj katër vjeçar, ju që për dyzet vite në një marrëzi të paparë i bëtë duart gjak nga duartrokitjet për një “prijës” që vetëm prijës nuk ishte, ju që me sa duket nuk keni nxjerrë asnjë mësim se prijësit që rrinë gjatë mbi kokë, të vetmen mjeshtëri që mësojnë është si t’ua matin juve kokën me spango, ndërsa jeni duke parë ikjen e tij, duhet ta kuptoni se kjo është gjëja më normale që mund të ndodhë edhe në një vend i pa mësuar si duhet me demokraci, siç është vendi ynë. Ju që jeni viktimat më të pafajshme të të gjitha qeverisjeve të këqija, duhet ta lini atë në fatin e tij njerëzor dhe t’i ktheheni vetes suaj, sepse ai po ikën dhe ju nuk duhet t’i mbeteni peng asnjë sekondë më tej.

Ju nëpunësit e këtij vendi që keni besuar naivisht se jeni tej politikës, ju që e dini se ky vend ka plotë të papunë, se ka sa të duash të varfër, se ka lypsa dhe hallexhinj, por nuk ka më të përdhosur se ju, duhet të gjeni një çast guximi dhe t’i shikoni në sy fëmijët tuaj. Ju që e dini se ata presin prej jush bukën e përditshme, duhet t’u thoni se ai po ikën. Ju që ende nuk e keni provuar t’ju hedh dikush në udhën e madhe, ju që ende nuk e dini se shpesh është më dinjitoze të hidhesh në udhë se sa të bëhesh eunukë, tani që ai po ikën duhet t’u thoni fëmijëve tuaj se jeni ju prindërit e tyre dhe bukën e përditshme, atyre jua dhuroni ju dhe askush tjetër.

Ju lloj-lloj gazetarësh, analistësh, opinionistësh, ju që pak nga pak prodhuat tek vetja juaj një racë politikanësh më të këqij se vet politikanët, ju që kurrë nuk e kuptuat se kur ikën një prijës, të cilit i thurët himne, ju mbeteni pjesa më qesharake e epokës pas prijësit, ju që askush nuk ju kërkon që tani në ikje të tij të flisni ndryshe, por thjesht, nëse mundeni, t’i mërmërisni, sa shumë na lodhe, ka ardhur koha ta kuptoni se edhe kockat kur lëpihen, një ditë bëhen bajate! Ju që i bëtë shërbimin më të keq katundit tonë të madh, duke i dhënë pamjen e skutave të provincës së shpirtit tuaj servil, përshëndetuni me të dhe nëse ju nuk mund ta bëni ndryshe gazetarin, analistin apo opinionistin, mos kini asnjë merak. Pas tij do vijë një tjetër, e një tjetër dhe ju tani keni përvojë në profesioni tuaj. Lëpirja është një profesion i vjetër, nuk e shpikët ju, as mbaron me ju.

Ju pjesëtarët e gardhit të tij, që deri tani nuk e kishit parë veten pa të, ju që vetëm dëgjonit dhe tundnit kokën kur ai fliste, ju që ai ju mori gojën, ju mori kundërshtimin, ju mori guximin, ju mori burrërinë, ju që iknit prej tij për pak kohë, si të dalldisur nga trimëria dhe pastaj të bindur dhe kokulur afroheshit pranë tij si djem plangëprishësh, duke shijuar thërrimet që ju hidhte ai, ju që ai ju ktheu në një tufë anonimësh, të paktën tani në ikje shikojeni me guxim në sy dhe i thoni se jeta do vazhdojë edhe pa të dhe ju do të keni mundësinë të thoni mendimet tuaja lirisht. Ju që ai ju dhimbsej se lodhej aq shumë për fatet e këtij vendi, ju që habiteshit me veten tuaj që nuk e ndiqnit dot hapin e tij, në këtë çast ndarje, duke e përshëndetur, i uroni pushime të mbara.

Ju që keni provuar mbi vete shkopinjtë, a plumbat e pushtetit të tij, ju që keni parë përbuzjen e tij, vetëm se nuk ishit dakord me të, ju që nuk patët “fatin” ta takonit direkt atë, por patët një “fat” më të keq që imazhin e tij ta shikonit tek fytyrat e shpëlara të dhjetëra shefave e shefeve të tij, ju që demokracinë e mendonit ndryshe, ju që ai u vuri në provë edhe dashurinë tuaj ndaj vendit tuaj, duke ju privuar bukën e gojës, duhet tani dini se tani nuk është koha për inat, por thjesht për t’i dhënë një përshëndetje në ikje.

Ju ithtarët e tij që menduat se ai ishte dielli, hëna, ylli, uji, ajri apo drita, ju që gjithçka e lidhët me të, duke harruar se ai një ditë do të ikte, ju që padrejtëisht menduat se ai ishte vetëm juaji, duke harruar se ai ishte edhe yni, ishte i të gjithëve edhe pse ai nuk u bë dot “yni”, ju që në të drejtën tuaj, ushqyet kaq shumë dashuri për të, ju që krenoheshit sa dilte se u bënte të harronit hallet, të cilat nuk kishin asnjë ndryshim nga pjesa tjetër që nuk e mbanin për idhull atë si ju, ju që shpesh harronit bukën e fëmijëve tuaj, ju që ndoshta ende nuk keni nxjerrë mësime nga dalldia e përcjelljes me ulërima të një prijësi tjetër, duhet ta përshëndesni qetësisht dhe nuk keni asnjë arsye që ta përjetoni keq ndarjen me të. Ju që jeni në të drejtën tuaj që ta adhuroni dikë, ju që duhet të dini të respektoni edhe të drejtën e të tjerëve, e cila mund të mos jetë ngritur mbi bazë adhurimesh, vazhdoni ta adhuroni, por tani është koha të ndaheni qetësisht me të, sepse thjesht ai po ikën.

Ju që mendoni se keni mëkatuar, ju lloj-lloj shefash dhe servilësh që nga nxitimi për t’i shërbyer sa më shumë atij, shkelët mbi ligje dhe norma, shkelët edhe mbi njerëz të tjerë që nuk ishin si ju, ju që nga babëzia për t’u pasuruar vet, keni rendur si të marrë për të shqyer sa më shumë copa nga trupi i drobitur i këtij vendi, ju dallkaukë që përplasnit shqelmat cep në cep, duke menduar se kjo tokë ishte një mall pa zot dhe dolët ju zotët e vërtetë të saj, ju që menduat se “prijësin” do ta kishit si çadër përherë mbi vete, është koha që të shpëlani dhe të qetësoni sadopak ndërgjegjen tuaj, duke e përshëndetur me të.

Nëse ende dikush druhet se ai do të hedhë gurë në ikje, kjo nuk përbënë asnjë problem. Në fund të fundit, askush nuk ikën i lumtur.