TemA, 25 Korrik 2012
Kryeministri Sali Berisha, në mbyllje të mandatit të dytë ka nisur të kuptojë çmenduritë që ka prodhuar pushteti i tij. Në mbledhjen e sotme të qeverisë u shfaq një Berishë me çehre të lodhur, me sytë e skuqur dhe me zë të këputur. Ai foli fillimisht për problemin e doktoraturave, duke thënë se po bëhen më shumë doktorë shkencash se sa njerëz me diploma universitetesh.
“Ai që do të mbrojë doktoratën duhet ta mbrojë atë në prani të stafit kombëtar dhe ndërkombëtar. Se do vijë një ditë që do kemi më shumë doktorë shkencash sesa njerëz me diploma universitetesh. Ne jemi që universitetet të shfrytëzojnë të gjithë kapacitetet e tyre për të doktoruar, por ajo duhet mbrojtur në përputhje me ligjin,” – tha Berisha.
Më pas Berisha foli për zhurmat nga diskotekat në vend. Berisha pranoi se fakti që Shqipëria është një vend i padurueshëm nga zhurmat vjen pasi zyrtarët janë të korruptuar.
“Nga zhurma prej diskotekave ky vend po bëhet vend surrealist. Ky vend duket si vend i realizmit fantastik. Do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore. Unë ftoj me shumë njerëzi dhe miqësi pronarët e këtyre lokaleve të mos i kaplojë babëzia. Ka një orar që njerëzit duhet të flenë. Të mendojnë se përveç lokaleve të tyre ka pushues, ka të sëmurë, ka foshnje, të cilët përtej një kohe të caktuar nuk mund ta tolerojnë atë që ata krijojnë në lokalin e tyre,” tha Berisha.
Kryeministri tha se do miratohet një akt normativ për të kufizuar oraret e lokaleve të natës. Berisha kërkoi që akti të zbatohet në mënyrë rigoroze.
“Korfuzi i telefononte Sarandës, i thoshte ç’po ndodh, na lini të flemë. Një çmenduri, kjo është primitivizëm. Kjo është të mos respektosh asnjë standard, asnjë gjë.
Ky akt normativ përcakton masat më të rrepta për ata që nuk zbatojnë këtë akt normativ.
Nëqoftëse dikush në çmenduri kërkon të tronditë një qytet dhe të dalin turistët e të bërtasin të terrorizuar nga zhurma, kjo është sikur tu thuash njerëzve që mos shko në Shqipëri se atje çmendesh nga zhurma.
Ju garantoj se në të gjitha rastet pas qëndron korrupsioni. Kjo zhurmë e tmerrshme është krim ndaj mjedisit.
Ky akt do të hyjë në fuqi dhe do të zbatohet nga secili prej jush zotërinj ministra.”