Berisha përuron sot supermarketin e Familjes së tij

0
59

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, do jetë i pranishëm në përurimin e një prej pronave të Familjes së tij. Bëhet fjalë për hipermarketin “Megatek”, në kthesën e Rinasit, ndërtuar nga Damir Fazlliç në bashkëpunim me Lulzim Bashën.

Hipermarketi i tipit, bëje vetë, (Do it yourself), është një investim i rëndësishëm për Familjen kryeministrore, aq sa Berisha u investua personalisht për të mbrojtur këtë investim, kur prokuroria nisi hetimet për aferën e pastrimit të parave nga Damir Fazlliç.

* * *

Pasi gazeta “TemA” solli faktet që implikonin vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi, kunatin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe sekserin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, në një aferë pastrimi parash, prokuroria nisi hetimet.

Kunati i Lulzim Bashës, Erion Isufi, ishte fija lidhëse e këtyre aferave. Pas nisjes së hetimit, prokurorët vendosën që të ngrijnë pasuritë e tij dhe kompanitë e Damir Fazlliç.

Në mesin e tetorit të kaluar, prokurorët e Task-Force që po hetonin për veprimtarinë e serbo-boshnjakut Fazlliç, urdhëruan bllokimin e aseteve të dy kompanive të Isufit, “Reno Albania” dhe “SRF Development”. Gjithashtu, në të njëjtën kohë u kërkua bllokimi i llogarive bankare të kompanisë “Global Construction” sh. a., dhe asetet e kompanisë “Megatek” sh. a, ku Erion Isufi rezultonte të ishte anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të këtyre dy shoqërive anonime të themeluara përkatësisht në vitin 2006 dhe 2007. Burime zyrtare të prokurorisë thanë atëherë se ngrirja e llogarive dhe aseteve të kompanive ishte një masë emergjente, me qëllim që të mos lëvizej asnjë qindarkë prej tyre.

* * *

Por, një ditë pas bllokimit të këtyre kompanive, kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp dhe i shpërfytyruar lëshoi një seri akuzash ndaj kryeprokurores, duke shënuar kështu një sulm të paprecedent ndaj organit të akuzës. Njeriu që urdhëron sot shkatërrime biznesesh, tha se prokuroria po dëmtonte bizneset, që në fakt ishin nën kontrollin e vajzës së tij dhe ministrit Basha.

Kanë ndodhur veprime shumë të rënda gjatë 4 ditëve të fundit, motivet e të cilave duhet të qartësohen. Është goditur biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar, në mënyrën më të pabesueshme, janë ngrirë llogari, asete të kompanive dhe firmave, të cilat nuk kanë, në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër, asnjë penalitet të vetëm. Këto janë dy motivet bazë që argumentojnë se përse qeveria do të kërkojë hetim ndërkombëtar”, – tha Berisha.

Më pas Berisha kërcënoi hapur prokurorinë. “Ata që veprojnë në këtë mënyrë, janë ata që i vënë kazmën pavarësisë së një institucioni jetik dhe vendimtar për shtetin ligjor. Unë mbetem i vendosur të bëj çdo përpjekje për pavarësinë e këtij institucioni. Natyrisht, veprime politike të tilla do të marrin përgjigjen që meritojnë”, – tha Berisha.

Qeveria do të procedojë me dekret për këtë vendim, pasi ky është një problem i ngutshëm. Ajo do të bëjë dekretin për të kërkuar hetim ndërkombëtar. Kjo nuk do të thotë aspak se do të përjashtohen nga hetimi prokurorët shqiptarë. Kategorikisht jo! Kjo do të thotë që në hetim do të marrin pjesë dhe prokurorë të huaj, të cilët do t’u thonë shqiptarëve dhe vendeve mike, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, partnerëve tanë se cilat janë “keqbërjet” e qeverisë shqiptare, cilat janë të vërtetat mbi bllokimet e sekuestrimet antiligjore të pasurive të kompanive që kanë qenë shtyllë e suksesit të biznesit të brendshëm shqiptar. Sikundër, parlamenti do të krijojë një komision hetimor parlamentar. Kjo, jo për dosjen përkatëse, sepse ligjet e vendit nuk lejojnë as ndërhyrjen më minimale në një çështje që është në hetim, por parlamenti do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme”, – vijoi më tej kryeministri.

* * *

Sot biznesi për Familjen Berisha po ecën fjollë. Hipermarketi, ku janë investuar miliona dollarë prej tyre, do të hapet. Çështja e pastrimit të parave është mbyllur për arsye teknike, ndërsa prokuroria është bërë inekzistente.

Nuk ka hetim ndërkombëtar e as komision parlamentar. Prokuroria është zmbrapsur, ndërsa Lulzim Basha, Damir Fazlliç dhe kunati i ministrit, Erion Isufi inspektojnë rregullisht punimet në pronën e tyre. Një filmim amator i tregon ata duke parë pasurinë që kanë ndërtuar falë pastrimit të parave dhe abuzimit duke përdorur pushtetin.