Berisha përballë dëshmitarëve të djal(l)it

0
70

Nga Mero Baze, 19 Shtator 2012

Sali Berisha po hezitonte gjatë të merrej me ta. Edhe pse Aleanca KuqeZi ka një vit që është formuar, Berisha përveç ndonjë epiteti nuk ka bërë betejë ndaj tyre. Po ashtu ka ruajtur qetësinë ndaj Topit në përpjekje për të bërë indiferentin. Nuk ka qenë strategji e keqe, po të mendosh se një betejë me Berishën, ata i faktorizon.

Prej dje ne kemi një Sali Berishë tjetër. Ai fare papritur ka shpërthyer në një sulm brutal ndaj tyre, me objektiv të qartë baltosjen e tyre, e cila nuk rezulton një veprim i mençur politik. Një arsye jashtë politike duket se e ka shtyrë drejt kësaj beteje. Atë që ka vite që e bën me opozitën zyrtare, në përpjekje për tu mbushur mendjen shqiptarëve se të dy palët janë të këqija, dhe pikërisht për këtë shkak nuk ia vlen ndryshimi, Berisha prej dje filloi ta bëjë dhe me opozitën e re.

Duke u marrë kaq gjatë me baltosjen e Edi Ramës dhe opozitës zyrtare, Berisha në të vërtetë ka krijuar një klimë kundraproduktive për partinë e tij. Nëse për një moment besojmë se shqiptarët krijuan një përshtypje se sipas Berishës “të dy palët janë të këqija”, lindja e një opozite të re përmes dy partive me start të kënaqshëm, do të kthehet në një rrezik pikërisht për Berishën, pasi pjesa e shoqërisë që mendojmë se besoi gënjeshtrën e tij, mund të orientohet drejt opozitës së re.

Baltosja e opozitës zyrtare mund të ketë krijuar vërtet dëshpërim dhe apati, por kurrsesi simpati për Berishën, dhe dalja e një opozite të re bën “nul” gjithë përpjekjet e Berishës, bile ia kthen ato kundër vetvetes.

Për këtë arsye duket se baltosja e re e Berishës nuk ka logjikë politike, por diçka më personale, që lidhet me pushtetin e familjes dhe makthin që ai ka me Shqipërinë post-Berishë. Ajo që kemi të gjithë në mendje është se të dy drejtuesit e dy partive të reja, vijnë nga fluksi politik i Berishës, njohin dhe i njeh elektorati i tij, por njohin dhe mënyrën si ka qeverisur Berisha.

Të dy janë ndeshur me të duke qenë pjesë e pushteteve formalisht të ndara në Shqipëri, dhe sipas deklaratave të Spahiut, të dy janë kërcënuar prej Berishës për një arsye me të cilën Berisha i ka shpallur luftë jo vetëm miqve e rivalëve të vet, por dhe SHBA. Të dy, në përpjekje për të bërë detyrën e tyre, njëri si president dhe tjetri si nënkryetar i KLD, kanë ndeshur, me dashje a pa dashje, gjurmët e të birit të tij në Gërdec dhe janë kërcënuar t’i qëndrojnë larg hetimit dhe gjykimit të këtij procesi.

Siç Topi e ka thënë dhe më parë publikisht, prishja e tij reale me Berishën ka ardhur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar pas ngjarjes së Gërdecit, kur ai kërkoi që hetimi të shkojë deri në fund tek ata që kishin dijeni në krye të qeverisë. Spahiu po ashtu pranoi publikisht se ai u kërcënua me jetë personalisht nga Berisha kur konstatoi se një gjyqtar i Delijorgjit kishte pushuar çështjen ndaj tij, disa ditë para se Berisha plak dhe Berisha i ri, të lidhnin me të marrëveshjen e biznesit vdekjeprurës të Gërdecit.

Pra, krye-arsyeja që ka vënë në lëvizje armiqësinë e madhe të Berishës me këta dy opozitarë të rinj të tij është pikërisht pushteti i familjes. Kjo në të vërtetë është dhe arsyeja përse Berisha u transformua në politikën shqiptare nga një njeri që premtoi “Duart e pastra” në një kryeministër që fsheh duart e përgjakura.

Përfshirja e tij familjare në tragjedinë e Gërdecit ka prodhuar një histori armiqësore jo vetëm me Topin, Spahiun ambasadorin Withers apo gazetarët që e investiguan atë, por dhe me gjithë njerëzit që u përfshin me dashje apo pa dashje në këtë histori. Pas tragjedisë së Gërdecit, ku mbeti i vrarë burri i tezes së Shkëlzenit, Sali Berisha ndryshoi raportet jo vetëm me miqtë dhe armiqtë e tij, por dhe me standardet për karrierë brenda Partisë Demokratike.

Pas Gërdecit në PD bënë karrierë vetëm njerëzit që “patën fatin” të ishin dëshmitarë të krimit të të birit dhe që u treguan të gatshëm të fshehin faktet. Aldo Bumçi, të cilin Berisha e hoqi nga puna si idiot, u rikthye në pushtet si hero, se iu bë fat një copë faksi që vartësi i tij i nisi Shkëlzenit për ta informuar për VKM. Viktor Gumit iu bë fat fakti, jo që ishte nip socialisti, për që Aldoja ia la në dorë atë shkresë për të bërë atë shënimin “për Shkëlzenin”, dhe ia nisi Ministrisë së Mbrojtjes.

Fatmir Mediut iu bë fat ai faks që e la në zyrë ta gjente prokuroria. Enkelejd Alibejt, që po ta vizitosh nuk kalon dot asnjë test normal, iu bë fat korrespodenca si këshilltar i Berishës për Gërdecin dhe udhëzimet që i jepte Ministrisë së Mbrojtjes për të shmangur krizën që prodhoi refuzimi i Bodes dhe Rusmalit për kontratën. Eduard Halimit iu bë fat fakti që ishte zëvendësministër i Drejtësisë kur sekretarja e Aldos deklaronte në prokurori se Shkëlzeni hynte e dilte në zyrën e ministrit dhe se ajo ia ka nisur atë faks atij nga zyra e vet. Të gjithë këta vemje fatlumë janë sot në politikë, jo se Sali Berisha ka respekt për ta, por se i ka dëshmitarë të djal(l)it në historinë e Gërdecit.

Të tjerët e pësuan. Dikush u mënjanua tërësisht nga politika, të tjerë që nuk treguan zell për t’u bërë avokatë të Shkëlzenit dhe historisë së tij, u lanë në hije, ndërsa Topi e Spahiu, të cilët ishin pjesë e një pushteti që duhet të përballeshin me këtë histori, janë shantazhuar dhe u bënë armiq të tij.

Sulmi i egër i Berishës ndaj tyre ka lidhje pikërisht me faktin se ata janë në politikë për të dëshmuar një krim që po fshihet për shkak të pushtetit të Sali Berishës. Shpërthimi i Berishës ndaj tyre ka të bëjë vetëm me këtë fakt. Politikisht atij nuk i intereson sulmi ndaj Topit apo Spahiut, pasi i fuqizon ata politikisht dhe dëmton rëndë PD-në, por dilema e tij e madhe nuk është më PD-ja, por krimet e pushtetit të familjes. Shpërthimi i tij i egër imiton shpërthimet e dikurshme ndaj Edi Ramës dhe opozitës zyrtare, apo ndaj biznesmenëve të afërt me opozitën. Por ata kanë një ndryshim të madh me opozitarët e rinj. Jo se janë më të mirë apo më të këqij, por se ata e njohin Sali Berishën vetëm si kundërshtar dhe kanë komplekset e tyre. Shpesh herë e mitizojnë ose kanë paranoja për strategjitë e tij. Spahiu dhe Topi nuk e kanë këtë problem.

Ata e njohin mirë Sali Berishën, e dinë përse e bën dhe sa fuqi ka. Reagimet e tyre ndaj Berishës tërhoqën vëmendjen e shtypit pasi ata janë në armiqësi me të, për arsyen themelore përse Berisha këmbëngul ta mbajë pushtetin me çdo çmim. Ai është në betejën e jetës së vet për të ndalur përmes gjithë pushteteve zbulimin e kufomave që ka varrosur pushteti i familjes. Spahiu po ia kthen me të njëjtën monedhë, me të njëjtin agresivitet dhe të njëjtën gjuhë. Topi po ashtu, me një gjuhë edhe më torturuese për Berishën. Ky i fundit ka dhe një avantazh më shumë. E njeh më mirë se është në profesion doktor kafshësh!