Fahri Balliu duke ngrënë paçe e pilaf
Nga Eltar Deda*, 12 Korrik 2012
Gjatë këtij dyjavorëshi që kjo aktmarrëveshje diskutohet në komisionet parlamentare, për mua që kaloj të paktën katër herë në javë nëpër këtë rrugë, më ka bërë një përshtypje në drejtim të intensifikimit të punëve për ta përfunduar me ngut këtë investim. Makineri të tonazhit të rëndë të gjitha të përqendruara me materialet inerte, si edhe një përforcim i forcave punëtore për të përfunduar sinjalistikën dhe elementët e tjerë rrugorë. Me të njëjtin intensitet që ju e sollët dhe e futët në rendin e ditës, po me të njëjtin intensitet dhe përqendrim edhe puna në terren.
Sikur të kishte ndodhur ky fenomen përpara 5 vjetësh, shqiptarët do të kishin tre vjet, që do ta shfrytëzonin këtë arterie kaq të rëndësishme, për qytetarët dhe ekonominë e vendit tonë.
Diskutimi për shtesën e kredisë prej 18 milionë euro për projektin e rrugës “Levan-Vlorë” ka dy pamje:
E para, në vlerësimin tim si deputet i qarkut të Vlorës dhe çdo deputeti të PS, çdo lek që shkon për investime publike, që rrisin cilësinë e jetës të qytetarëve, është i mirëpritur dhe do ketë miratimin tonë, siç kemi vepruar për çdo marrëveshje apo shtesë të projekteve të propozuara nga kjo qeveri dhe;
E dyta, debatet në komisionet parlamentare dhe në publik, për miratimin e kësaj shtese të kredisë, nga ne si opozitë, nuk kanë të bëjnë thjesht dhe vetëm me misionin tonë si opozitë, por nuk ka sy që mos të shikojë në dritën e diellit dhe mendje të mos arsyetojë, që kjo shtesë projekti që ju kërkoni si mazhorancë tani pas 7 vjetësh,që ky projekt ka qenë në duart tuaja për të bërë vlerësimet përkatëse në kohë, madje dhe ta kthenit për ndryshime dhe përmirësime, 5 vjet pasi kryeministri juaj preu shiritin e radhës, duke kryer “qokën” e radhës të demagogjive për bum investimesh në këtë vend “buzë Adriatikut”, që mos të kuptojë se kjo shtesë kredie nuk është gjë tjetër veçse korrupsioni i radhës i klanit dhe familjes kryeministrore.
Më kujtohet se këtu e 5 vjet të shkuara, kryeministri i vendit erdhi në një ditë dimri të shkurtit 2007, në mes të një fushate zgjedhore, për të zgjedhurit vendorë. Me një furi dhe një shpurë të madhe, të shkulur nga Tirana, por të mbështetur në mënyrë habitore edhe nga kandidati i radhës së PD-së, për Bashkinë e Vlorës. Aq shumë të habitur ngelëm edhe ne që e ndiqnim nëpërmjet mediave, sa kur iku Kryeministri me shpurën e tij, ekskavatori dhe dhjetë lopatat ngelën aty në të njëjtin vend, për afro dhjetë muaj, i griu kripa deri sa dolën jashtë përdorimit. Sot, ne kalojmë bashkë me ju, ishalla edhe lekët e asaj makinerie, të cilën të zotit ia morët papandehur.
Mu desh të bëja një përshkrim të realitetit në lidhje me këtë investim, të qeverisë shqiptare në arterien kryesore të jugut, mbasi pas një viti, në fillim të sezonit turistik, u përsërit po e njëjta situatë, me po të njëjtin aktor kryesor, kryeministrin e vendit.
Prerje shiriti përsëri për fillim punimesh dhe për habinë e të gjithëve, në fillimin e fushatës zgjedhore të 2009-s. Kryeministri erdhi preu përsëri shiritin për përfundimin e një pjese të aksit rrugor, vetëm me elementë shtresor.
Uroj dhe shpresoj, që këtë herë Kryeministri, para se të fillojë pushimet, për të thyer rekordin e notit,të jetë e katërta e zemrës dhe mos të vijë më, me të njëjtat gërshërë të presë shiritin për këtë rrugë.
Qysh në fillimet e kësaj drame të vërtetë, me këtë rrugë, të nevojave imediate të qytetarëve të rrethit të Vlorës, për të përfunduar një investim i tillë,e kam kundërshtuar dhe kemi hedhur dyshimet tona, si qytetarë të Vlorës, në lidhje me vazhdimësinë e këtij projekti.
Shqetësimet tona, kanë qenë mbështetur në atë se çfarë na përshkruanin në realitet, nënkontraktorët, të cilët e kishin marrë punën nga ana e sekserit, botues, të qeverisë, për investime të tilla.
Me qindra punonjës, të cilët arritën deri aty, sa bllokuan për një periudhë të konsiderueshme punimet, për shkak se nuk u mundësohej shpërblimi i punës së bërë.
Me dhjetëra protesta të banorëve, të cilët nuk kanë mundur edhe sot e kësaj dite që të marrin shpronësimin e tokave të tyre. Gjithsej duke filluar nga komuna Novosel, me 188 familje me vlerë 34 872 675 lekë, komuna Qendër si edhe bashkia e Vlorës, 46 familje me një vlerë të konsiderueshme edhe këto, që shteti u detyrohet.
Diferencimi klientelist i qeverisë, në lidhje me vlerësimin e shpërblimit të të njëjtëve bujqër, me kufij tokësore, qoftë për tokë bujqësore, arë, qoftë edhe për pemëtari, duke filluar nga 16 mijë lekë në vitin 2007, në 4 mijë lekë m2, tani në 2012.
Nuk u mor parasysh, asnjëherë nga na e juaj, se disa fshatra kryesorë janë ndarë në mes dhe nuk u është krijuar mundësia që të kalojnë në anën tjetër për të punuar në tokat e tyre. Në një anë janë shtëpitë në anën tjetër toka bujqësore.
Siç ndodh në të gjitha investimet e tilla tuaja, nuk mund ti shpëtojë edhe ky investim fenomenit të ngritjes si kërpudhat, të pikave të karburantit. Pa asnjë studim dhe pa asnjë leje ndërtimi, ato po lulëzojnë, duke hyrë në tratativa sekserësh të qeverisë tuaj.
Është e pafalshme të nderuar kolegë, që ndërkohë që e miratojmë këtë kredi, kjo rrugë e cila quhet porta hyrëse e turizmit të jugut, për interesa të ngushta, akoma sot e kësaj dite, nuk ka të zgjidhur dy elementë. Së pari akoma edhe për disa vjet kjo rrugë do të jetë segment i shkëputur nga qyteti i Fierit deri në hyrje të saj. Dhe së dyti, mënyrën e lidhjes me rrjetin rrugor të qytetit të Vlorës. Nuk dihet se si do të lidhet me rrugën trans-ballkanike, nuk ka akoma të zgjidhur lidhjen me bay-pasin e qytetit, si edhe nuk dihet se si do të lidhet me unazën, për nga zona industriale.
Turp, që u mbajt peng deri sa u devijua qëllimisht hyrja për në qytet, për të vetmen arsye,sepse duhej shmangur kalimi nëpërmjet pronës së kandidatit të radhës së PD-së për kryetar bashkie në vitin 2011.
Nevojave gjithmonë e më emergjente të investimeve të qeverisë, për qytetin e Vlorës, sidomos për 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, ju iu përgjigjët me një zvarritje të qëllimtë dhe e keni lënë Vlorën, qytetarët dhe ekonominë e saj, një apendiks që nuk mund të zhvillohet.
Nga mbretëreshë e turizmit, sot ju atë nga mosvëmendja, e keni kthyer në një tmerr të turistëve. Projektet e mëdha të cilat realizohen nga buxheti i qeverisë, ju nuk doni qëllimisht ti jepni zgjidhje.
Projekte të tilla si zgjerimi i rrugës, Skelë- Uji i Ftohtë, unaza e vogël e qytetit, rruga nga rrapi- përmbi Tunel, si edhe rruga për nga zona industriale nga kampi i pionierëve,sot e kësaj dite ju i kini në sirtarët tuaj dhe nuk ja dhatë qytetit simbol të pavarësisë, me rastin e 100 vjetorit.
Është fatkeqësi, që porti i qytetit të Vlorës, është kthyer nga porti i dytë në vend për nga rëndësia, në një skelë ku mezi njëherë në muaj, vjen një vapor për tu përpunuar dhe vetëm tani në sezon turistik vijnë tragete për qytetarët.
Nuk mund të rri pa përmendur këtu, qëllimin e mbrapshtë tuaj në të gjitha arteriet e jugut të cilat nuk keni përfunduar as edhe një. E di shumë mirë që mund të replikoni dhe të deklaroni se çfarë keni bërë ju për qarkun e Vlorës.
Mos harroni që i dimë të gjitha dhe se çfarë është bërë dhe për çfarë qëllimi dhe se kush ka përfituar. Por për ne ky përbën një skandal të radhës.
Ky skandal qeveritar, është hapur shkelje e ligjeve dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Këto janë qartazi tipare të një shteti autokratik që është instaluar në këtë vend, ku urdhëron klani se çfarë do bëhet, kur do bëhet, kush do ta fitojë dhe cila është masa se sa do fitojë. Madje dhe për qëllimin që do përdoren, urdhëron përsëri po klani qeveritar.
Ndërkohë që Qeveria e ka më të lehtë të kërkojë të miratojë shtesa të kredive apo të shtyjë afate të projekteve, se sa të përmend cilat institucione janë përgjegjëse për vonesat që kanë sjellë këto ndryshime çmimesh në vite, rritje të kostos së rrugës, rritje të barrës fiskale të tatimpaguesve shqiptare, apo dhe cilët janë njerëzit që kanë shkaktuar këtë dëm ekonomik dhe t’i çojë ata para drejtësisë.
Në fund me lind e drejta që tu drejtohem juve zoti kryeministër. Është turp që nevojën e qytetarëve të Vlorës, për investime, sidomos për 100 vjetorin e shtetit Shqiptar, ju e ktheni në një shembull vjedhjeje, në interes të klanit tuaj përfitues. Kjo është dhurata që ju i bëni Vlorës.
*Fjala e deputetit socialist mbajtur në Kuvend







