BERISHA OSE HUMBËSI QË NDRYSHON RREGULLAT E LOJËS

0
42

Andrea Stefani, 17.05.2011

Kërkesa për numërimin e çdo flete votimi të hedhur jo në kutinë e duhur sugjeron jo vetëm një dhunim të Kodit Zgjedhor, jo vetëm një manipulim për të shndërruar një humbje në fitore, por përbën edhe një tjetër fakt alarmant se Sali Berisha mbetet i vendosur, si përherë, që të mos respektojë çdo vullnet të shprehur me votë, që cenon pushtetin e tij. Dhe nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i dominuar qartë nga një shumicë berishiste, do zbatonte përsëri direktivat e Kryeministrit, Shqipëria do zhytej përsëri në një krizë edhe më të thellë për çështjen e votës dhe stabiliteti i saj politik do të ishte edhe më i rrezikuar.

* * *

Lulzim Basha përpiqet ta legjitimojë taktikën e tij dhelparake me sloganin se çdo votë duhet të numërohet. Por, në fakt, kjo është një gjë që tashmë ka ndodhur. Çdo votë është numëruar dhe disa nga ato janë cilësuar të pavlefshme për parregullsi apo gabime nga më të ndryshmet të votuesve. Një nga këto gabime është edhe hedhja e fletës së votimit jo në kutinë e duhur. Është një dukuri e ngjashme me atë të një lojtari futbolli që bën gol në portën e vet. Në vetvete, pretendimi i Bashës dhe Berishës duket sikur ka një logjikë: nëse fleta e votimit në kutinë e gabuar shpreh qartë vullnetin e votuesit, përse të mos llogaritet si e tillë? Dhe në rast se një rregull i tillë do të ishte fiksuar që në nisje të procesit të votimit, do të ishte e ndershme të veprohej pikërisht kështu.

Por faktet tregojnë të kundërtën. Tregojnë se numëruesit janë udhëzuar që të klasifikojnë si të pavlefshme, votat e hedhura në kutitë e gabuara. Dhe prandaj ato janë cilësuar si të tilla në të gjitha tavolinat e numërimit të votave. Ky ka qenë rregulli për të gjithë. Dhe është pikërisht respektimi i rregullave ai që ruan barazinë mes forcave konkurruese. Sepse, sado e logjikshme të duket kërkesa e Bashës për t’i dhënë vlerë një vote të hedhur keq, ajo dhunon një rregull të pranuar nga të gjithë në fillim të procesit. Ne jemi të bindur se Basha nuk do kërkonte atë që po kërkon sot, sikur ato 10 vota që e ndajnë nga Rama t’i kishte marrë ai.

Madje, jemi të sigurt që edhe KQZ do kishte vrapuar të pasqyronte rezultatin paraprak në njësinë 5, ashtu sikundër kishte bërë me njësitë e tjera, dhe jo ta censuronte për turp. Por sado e logjikshme të jetë një kërkesë në fund të një procesi, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me të drejtën për sa kohë bëhet në dhunim të një mënyre të vepruari që është fiksuar si rregull i procesit të numërimit. Dhe rregulli i gjithëpranuar (edhe nga Basha e Berisha) ishte që votat e hedhura gabim duhet të shpallen të pavlefshme.

* * *

Vullneti i Berishës nuk mund të tolerohet të bëhet aq absolut sa të dhunojë, si t’ia dojë qejfi, Kodin Zgjedhor dhe precedentët e sjelljes së KQZ. Për shembull, nuk mund të tolerohet që në vitin 2007 votat e hedhura gabim të cilësoheshin të pavlefshme, sepse kështu donte Berisha dhe në vitin 2011 të cilësohen të vlefshme, sepse kështu i intereson sot Berishës. Ajo që mbi të gjitha e bën një rregull të padrejtë nuk është thelbi i tij, por fakti që ai nuk zbatohet njëlloj për të gjithë. Vërtet Rama nuk mund të dalë sot kundër hapjes së kutive por, nëse Berisha do kërkojë hapjen e kutive sot, duhet t’u tregojë shqiptarëve se përse e kundërshtoi një gjë të tillë për 2 vjet me radhë, duke i shkaktuar Shqipërisë një krizë të paparë e cila edhe u përgjak më 21 janar. Kërkesa e Berishës dhe Bashës bie në kundërshtim edhe me Kodin Zgjedhor.

Në një nen të këtij të fundit shkruhet se quhen të pavlefshme edhe votat kur “fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ”. Në kuptim të këtij neni të KQZ, numëruesit nuk kanë pasur asnjë rrugë tjetër veçse t’i vlerësojnë votat e hedhura gabim si të pavlefshme. Sepse kanë gjetur në kuti të ndryshme fletë votimi me ngjyrë dhe përmbajtje tjetër nga fleta e miratuar nga KQZ për ato kuti. Dhe e ka kot Njazi Kosovrasti që përpiqet të argumentojë të kundërtën.

Por atë e kundërshton në mënyrë bindëse Klement Zguri, pjesëtar i shumicës në KQZ, me një deklaratë bërë qysh në vitin 2007. Në atë kohë Zguri deklaroi dhe duket se Kosovrasti ka qenë dakord, sepse nuk e kemi dëgjuar të shprehej kundër, që fleta e votimit e gjetur në kutinë e gabuar duhet të konsiderohet e pavlefshme, pasi gabimet gjatë votimit mund të jenë të gjithanshme dhe procedurat që ndiqen janë të përcaktuara me ligj. Ndërkaq, të zbatosh kërkesat e Berishës dhe Bashës do të thotë të bësh lesh arapi të gjithë procesin tashmë të përfunduar.

Do të thotë të ndryshosh jo vetëm rezultatin për kreun e Bashkisë së Tiranës, por edhe atë të organeve të tjera. Sepse nëse ka pasur vota për Bashën apo Ramën të hedhura gabim në kutitë e tjera, kjo do të thotë që ka pasur edhe vota të kutive të tjera të hedhura gabim në kutinë për Ramën dhe Bashën. Por mbi të gjitha është të privilegjosh palën që ka rezultuar humbëse duke ndryshuar një rregull të fiksuar qysh në nisje të procesit. Dhe kjo është të prishësh demokracinë, thelbi i së cilës, është barazia para rregullave dhe ligjeve.