Berisha, Opozita, Hitleri, Kriza

0
33

Genc Burimi, 07.12.2009

Mund të kuptohet fare mirë shokimi që ngjall te një pjesë e opinionit publik shqiptar urrejtja verbale e kryeministrit ndaj kryetarit të opozitës. Dalja e Berishës me të katër rrotat nga të gjithë “kanunet” që njeh demokracia moderne që prej Monteskjes, nuk nderon as atë, as partinë që ai përfaqëson dhe as Shqipërinë. Populli priste dhe pret një fjalim tjetër: – si do të dalim nga kriza ekonomike – dhe jo një fjalim të denjë për një prokuror të Iranit që kontrollon me llambë dore se çfarë bëjnë shtetasit në shtrat. Do të kemi rastin të shpjegohemi më poshtë.

Por, shokimi nuk mund të mos jetë i njëjtë, kur analistë seriozë të këtij vendi krahasojnë Berishën me Hitlerin dhe fjalimin e të parit me Mein Kampfin e të dytit. Në këtë rast po ashtu nuk nderohet as demokracia dhe as Shqipëria, dhe as ajo gazete ku botohen opinione të tilla. Është një provokim shumë më i rëndë se i pari. Berisha i takon konjukturës, Hitleri historisë. Nuk mund të guxohet krahasimi me këtë të fundit, pa interpeluar ndërgjegjen botërore dhe faqen më të errët të historisë së saj. Do të kemi rastin, po ashtu, të shpjegohemi në pjesën e fundit të këtij artikulli.

1 – Berisha dhe populli

Sali Berisha ka pasur shansin që pak udhëheqës në planet e kanë pasur. Shansin se populli shqiptar i dha një shans të dytë. Më 2005, ai u rikthye në pushtet. Kjo ndodhi vetëm 8 vjet pas luftës civile, e vetmja që ka njohur kombi shqiptar. Një rekord. Nëse nuk ishte Berisha që e organizoi atë luftë, ishte ai, si presidenti i ynë më 1997 që nuk e evitoi. Atë që amerikanët nuk i falin sot Xhorxh Bushit ka të bëjë shumë më pak me luftën në Irak sesa me krizën planetare financiare. Nuk qe Bush që e provokoi, por Sudet dhe Alimuçajt e Amerikës. Paçka, për qytetarët e thjeshtë ishte Xhorxh Bush në timonin e anijes Amerikë. Është ai që merr me vete mallkimin e përjetshëm për falimentimet në seri dhe për radhët e gjata të të papunëve. Kurrë më ai s’do të guxojë t’i rikthehet politikës në plan të parë apo të japë konferenca si ish-presidenti Klinton.

Mjafton ky paralel për të kuptuar super shansin që pati një Berishë në Shqipëri me 2005. Mjafton kjo, që ai të reflektojë 100 herë para se të lëvizë një herë dhe të mos të zhgënjejë as popullin e tij dhe as partnerët perëndimore. Berisha e di këtë më mirë se artikullshkruesi dhe më mirë se 3 milionë e gjysmë shqiptarët që ka nën hyqëm. E vërteta është se prej 2005-ës, ai eshte me tolerant me mediat, ndërkohë që para 1997 fjala televizion privat i shkaktonte alergji. Ai është shumë më i përkulur ndaj perëndimorëve, ndërkohë që me 1996 arrestonte pesë anëtarë të Omonias, dhe u thoshte grekëve dhe amerikanëve shikoni punët tuaja. Ai është shumë më i kujdesshëm me evazionin fiskal, ndërkohë që deri më 1997 fajdet bënin kërdinë në emër të liberalizmit ekonomik aq i shtrenjtë për pushtetin e Berishës asaj kohe.

Qe kur ka riardhur ne pushtet, ai ka vene rregulla e taksa, ate qe nuk paten guximin ta benin socialistet. Taksa qe nuk u pelqejne mbase te gjitheve, por qe i japin Shqiperise pamjen e nje vendi te normalizuar dhe qe e nxjerrin ate nga lista e vendeve me te prapambetura te globit. Po ! Berisha ka ndryshuar. Imazhi I Shqiperise ne bote pa piken me te vogel te dyshimit ka ndryshuar. Por ndjenja e revoltes dhe e marazit social ne vend eshte shtuar. Opozita pa shume probleme arrin te mbledhe ne kryeqytet masa te pazakonta protestuesish per nje vend demokratik e te stabilizuar. Si duhet shpjeguar kjo ?

Asyeja duhet kuptuar dhe tek ai fjalim 30 minutesh qe kryeministri mbajti ne parlament. Disa shkuan deri aty sa ta krahasonin me nje fjalim te Hitlerit ( !!!) por qe nuk eshte me pak fjalimi me i keq qe mund te jete mbajtur nga kryeministri i nje vendi kandidat per BE. Me ate fjalim, Berisha tregoi se nuk ka kuptuar popullin e tij, mesazhin e ketij te fundit. Ai nuk eshte nje mesazh per me pak mafie, qofte ajo puniste. As per me pak jete te shthurrur, qofte ajo ediramiste. As per me shume monopol te dhunes se ligjshme qofte ajo dara e Shtetit te se drejtes qe I heq dhemballet mafias. Jo kryeminister! Populli shqiptar, si ai I Hondurasit, i Frances, apo i Mongolise, i Gjermanise apo i Italise , kerkon para se gjithash mireqenie ekonomike. Me pune te pastert (modeli suedez) apo me trafiqe te pista, (modeli italian apo nanoist) ai do mireqenie. Ju u ngulitet shqiptareve ne koke slloganin « me duar te pastra dhe rrogat plot », sot ata kane pershtypjen e hidhur se ne qeveri duart nuk jane te pastra, dhe se ne baze, xhepat nuk jane aspak plot. Fjalimi juaj mbi putanët, « kur fshati digjet » i le popullit te kuptoje se ose e merrni per budalla, ose jeni bere ju i tille, siç este imazhi qe kerkon t’ju ngjise opozita. Nje opozite qe vete po ashtu, po gabohet ndoshta edhe me shume se ju tek mesazhi unikal, subliminal, « hapni kutite ». Edhe opozita s’e ka kuptuar se « fshati po digjet ». Si do te dalim nga kriza ekonomike perpara asaj politike ? Jemi te gjithe ne si shqiptare qe prej 17 vjetesh po gabohemi.

2- Demokracia dhe ekonomia

Në periudhën 1992-1997, Berisha dukej se udhëhiqej në mesazhin e tij drejt popullit nga slogani i kryeministrit të Francës të mesit të shekullit të XIX, Guizot, kur u thoshte francezeve: “Pasurohuni dhe mos u merrni me politikë”. Të dhënë pas pasurimit, shqiptarët i kishin sytë gjetiu dhe nuk panë as rrahjen shokuese të përfaqësuesve të opozitës që protestonin kundra farsës së zgjedhjeve të 1996-ës. Por, rënia e piramidave zgjoi instinktin politik të shqiptareve. Populli nuk përtoi t’ia nxjerrë Berishës ato “gjëra të tjera” që kishte neglizhuar teksa pasurohej, siç ishin liritë publike apo mungesa kronike në investime, rrugë e shërbime publike që Berisha i kishte përbuzur në emër të tërheqjes së shtetit nga ekonomia. E majta e Nanos, Majkos dhe Metës, midis 1997-2005, nuk bëri më shumë, më përjashtim ndoshta të lirive publike.

Pas 2005-ës, Berisha ndërroi mesazh. Pasurimi vetjak (himni i piramidave), zbret në plan të dytë. Në plan të parë të programit të tij dalin ato prioritete që kishin qenë më parë sekondare: investimet publike (premtime për rrugë, drita, ujë, e deri për internet në shkollat më të skajme gjeografikisht). Theksi vihet tek roli i Shtetit, për më shumë rregull, për ligj, për dinjitet kombëtar. Qeveria Berisha 2 rezultoi në më shumë taksa dhe në më pak trafiqe më botën e jashtme. Investimet publike u bënë marramendëse me një buxhet rrugësh që gllabëroi buxhetin e shtetit pa privilegjuar investimet e tjera publike. U bllokuan deri te mjetet lundruese që të bllokoheshin trafiqet me botën e jashtme pa bllokuar ato brenda për brenda vendit, ku Lazarati vazhdon të mbetet një simbol. U shtuan fjalimet që imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar dhe që dinjiteti kombëtar po rivihet në këmbë.

Por, në opinion llogaria po bëhet ndryshe: populli siç humbi pasurinë me Berishën 1 (piramidat), ashtu dhe me Berishën 2 nuk fitoi gjë të madhe. Përkundrazi aty humbi te taksat më të larta dhe te shterimi i të ardhurave nëntokësore që vinin më parë nga trafiqet me botën e jashtme. Punësimi për të gjithë që mund të ishte një kompensim nuk u realizua: 14% papunësi zyrtare (35% reale) trashëgoi Berisha më 2005 nga qeveria e Nanos, po 14% papunësi i dhuroi ai shqiptarëve më 2009.

Populli do të kishte fituar realisht po të kishte pasur më shumë prodhim industrial e bujqësor, më shumë eksporte e si rrjedhim më shumë të ardhura nga vendi sesa nga diaspora (modeli brazilian, indian, kinez). Po të kishte ndodhur kjo, populli shqiptar i zënë me punë të ndershme për t’u pasuruar do të kishte pasur ndoshta më pak motivacion të merrej me kutitë e votimit, me Gërdecin, me familjen kupole. Por, kur pakti social për më shumë mirëqenie nuk u realizua populli jo vetëm që nuk i dha Berishës shumicën e votave në qershor të 2009-ës, por si çdo popull tjetër i zhgënjyer nuk “i fal as gjilpërën”. Aq më pak Gërdecin, familjen, Fazlliun, rrugët e Bashës, të gjitha ato tema që opozita i lakon nga mëngjesi deri në darke te një opinion i mërzitur nga varfëria. Çdo gjë të mbrapshtë që do të bënte Berisha tani, populli do t’ia rikujtonte, dhe shtrenjtë, pasi kur të dhemb xhepi, revolta nga e shurdhët bëhet e zhurmshme. Për opozitën është një lojë fëmijësh për ta rikuperuar këtë inat. Çdo thashetheme mbi Berishën është një pretekst i shkëlqyer për të koalizuar popullatën, për të mbushur rrugë e sheshe, si me një të rënë bilbili. Çdo kritikë, sulm a akuzë e opozitës ndaj qeverisë dhe Berishës, gjen një rezonancë të menjëhershme në popullatë dhe provokon një inat edhe më të madh se me qeveritë e mëparshme.

Nano, po ashtu, pati në ndërgjegje tragjedinë e Otrantos, siç e ka Berisha atë të Gërdecit. Nano, po ashtu, akuzohej për familje -kupole me bashkëshorten e tij të re, siç akuzohet Berisha me fëmijët e tij sot. Por, çuditërisht mllefi që ndjen sot një pjesë e shqiptarëve ndaj qeverisjes së Berishës, nuk ka ekuivalenten e atij që ndjente ndaj Nanos. Pse? Sepse xhepi u dhembte më pak asaj kohe shqiptarëve s’e ç’u dhemb sot. Sepse me Nanon kishte më pak ose aspak taksa. E mbi të gjitha me Nanon lulëzonin trafiqet nga të cilat, mos ta fshehim, krijohej “cash-flow”, para që qarkullonte në përfitim të mbarë ekonomisë shqiptare. Ekuacioni në Shqipëri qe i thjeshte, Nano vidhte, por ama dhe të tjerët po të donin s’kishin përse të kurseheshin. Sot, ky avantazh, shqiptarëve u duket se është vetëm në njërin krah. Ata që janë në majë mund të vazhdojnë të vjedhin, por për ata që janë poshtë toleranca është zero! Është kjo që i revolton shqiptarët më shumë se kutitë e votimit. Ekuacioni detyrimisht nuk mund të funksionojë më. Popullit ose i jepet punë (shoqëritë perëndimore), ose i lihen trafiqet (shoqëritë afrikane), ose i tregohet represioni (diktaturat). Ajo që i mungoi Berishës këto vite, ishte se krah «rendit dhe nderit», krah tolerancës zero (gjysmake dhe ajo se asnjë zyrtar i lartë nuk është «brenda») duhej të kishte rimëkëmbur ekonominë reale në atë shkallë që ajo të zëvendësonte atë nëntokësore.

Asnjëherë opozita nuk do të kishte mbushur sheshe për votën e vjedhur, nëse njerëzit kanë jo vetëm me ç’të mbyllin muajin, por të shkojnë me pushime, të mblidhen në shtëpi normale e të shkollojnë fëmijët në shkolla serioze. Në Rusi këto vitet e fundit asnjëherë opozita nuk ka arritur të mbushë sheshe, megjithëse aty janë vjedhur e stërvjedhur kutitë e votimit. Thjesht, pasi Putini ka arritur ta kënaqë popullin e tij me të ardhurat e hidrokarbureve. Nëse kriza ekonomike vazhdon në Rusi, nuk do të jetë çudi që dhe aty populli do të kujtohet nesër nëpër sheshe për gazetarët e vrarë dhe për të drejtat demokratike të përdhosura që ai i kishte “harruar” gjithë këto vite.

3 – Roli i Perëndimit

Motori është ekonomia. Demokracia vjen mbrapa. Demokracia pa ekonomi prodhon regjime afrikane, ku zgjedhjet janë pluraliste dhe “demokratike”, por opozita nuk i njeh. Ashtu si në Shqipëri. Po Perëndimi? Regjimet perëndimore, BE-ja, ShBA-të, kanë tendencë t’i bekojnë zgjedhjet e vendeve problematike kur udhëheqësit bëjnë lojën e tyre (Shqipëri 2009, Gabon, Tunizi). Por nuk i njohin kur ndodh e kundërta (Iran, Bjellorusi, Zimbabve…). Apo preferojnë të mos shprehen fare kur kanë frikë (Rusi, Kine). Berisha i pëlqen Perëndimit, pasi bllokoi trafiqet me jashtë; bëri paqen me Greqinë (me çmimin që dihet); me Kosovën nuk përzihet shumë e jo më të belbëzojë një dëshirë bashkimi siç e patën dy gjermanitë; aq më pak ai interesohet për shqiptaret e Luginës se Preshevës apo t’u çojë një mesazh mbështetjeje atyre të Maqedonisë kur u falsifikohet historia. Për perëndimin, Berisha po vazhdoi kështu ka ende vite përpara tij në pushtet. Ndërsa Edi Rama për shumë vite do ta ketë gabim për perëndimin, pasi në Shqipëri më shumë se sa demokracia e standardeve evropiane, është stabiliteti që ka rëndësi. Ne fjalimin e Sali Berishës në parlament, dara nuk ishte mesazh për Ramën. Asnjë gjemb nuk do t’i hyjë në këmbë kryeopozitarit. Dara qe mesazh për perëndimin se Sali Berisha garanton stabilitet, se ai meriton të vazhdojë të përkrahet. Demokracia dhe stabiliteti janë kështu dy nocione që nuk duhen ngatërruar. Një vend aspak demokratik është Tunizia e zotit Ben Ali, i cili sapo u rizgjodh president për të disatën herë radhazi, me 99% të votave dhe pa rival politik. Tunizia është po ashtu një vend i stabilizuar në të gjitha planet, ekonomik, social, fetar, dhe atë të paqes rajonale. Kësaj Tunizie perëndimi i dhe uratën për rizgjedhjen e presidentit Ben Ali që vodhi 100% të votave. Këtë botë perëndimore Edi Rama kërkon të shokojë e të alarmojë me disa mandate të vjedhura në Shqipëri. E njeh realpolitikën kryetari i opozitës? Nëse në Tunizi ekonomia nuk ecën mirë, dhe si pasojë populli nis e revoltohet për më shumë “të drejta politike”, do të asistojmë në një ballo tipike të hipokrizisë perëndimore. Nëse Ben Ali nuk garanton me stabilitet, i njëjti perëndim do të çirret për të thënë se zgjedhjet qenë aty skandaloze. Siç qe gati perëndimi ta hidhte poshtë Hamid Karzain në Afganistan, po të kishte pasur një xhoker tjetër serioz. Është ky skenar që mund t’i ndodhe dhe Berishës, nëse situata ekonomike, para asaj “demokratike” i rrëshqet nga duart. Duhet që populli të revoltohet si me ’97, që perëndimi të detyrojë pushtetin në Shqipëri të hapë kutitë e votimit.

Autori i këtij shkrimi ka qenë një nga studentët e dhjetorit ’90. Mos të gënjejmë veten, të rinjtë e sotëm dhe aq më pak historinë. Në fillim nuk u ngritëm për demokraci. U bashkuam me konviktorët për solidaritet, pasi nuk kishin drita te godinat. I ftohti ishte siberian te “Qyteti i Studentit”, prej kohësh ushqimi në mensa ishte mizerabël, dhe udhëtimet Provincë- Tiranë gjithnjë e më të shtrenjta; Për këto u ngritëm dhe këto kërkuam në peticionin tonë të parë. Kërkesat demokratike erdhën mbrapa. Nëse populli nuk ngrihet sot në Kinë, është se regjimi arrin dhe i ushqen njerëzit. Jo vetëm kaq, partia komuniste po i pasuron kinezet, pasi e ka kthyer Kinën në uzinë të botës. Ditën kur kjo mrekulli ekonomike kineze nuk do të funksionojë më, atë ditë populli kinez do të kujtohet se i mungon liria e fjalës dhe do të kërkojë demokracinë; Njeriu kështu është bërë, kështu ka lindur: një homo oeconomicus, para se të jetë një homo politicus. Berisha nuk po bën asgjë origjinale për të përmirësuar punësimin, të ardhurat personale siç mund të ishte nxitja e kapaciteteve prodhuese. Opozita nga ana e saj duhet të ketë një program ekonomik të qartë, e vetëm parullën «hapni kutitë». Shqiptarët duhet të dinë në ç’mënyrë qeveria e ardhshme nga opozitë e sotme do të mbushë qeset e familjeve shqiptare. Opozita po nuk u pyet për këtë, nuk do të përgjigjet.

Ne perendim, ndodh ndryshe. Populli qe e ka kuptuar pse nuk ndihet mire, nuk i bije terthor, por I kerkon opozites nje program te qarte, si ne nje ankand. Nese nuk ia japin, edhe ai preferon te rri ne shtepi, as nuk manifeston dhe as nuk voton, por dhe opozita rri ne shtepi. Kete e pame te gjithe me zgjedhjet e fundit europiane. Nje abstenim i larte, nje opozite qe humbi. Mbare e majta europiane doli e humbur ne zgjedhje ne nje kohe kur ne menyren me paradoksale ishte e djathta liberale ne pushtet qe duhet te mbante pergjegjesine morale dhe politike te krizes financiare te kapitalizmit. E djathta fitoi sepse e majta perveç sharjeve ndaj qeverive egoiste, perveç histerise kolektive mbi bankieret dhe « trader-et » hajduta, nuk shfaqi asgje konstruktive, nuk propozoi asgje konkrete sesi do ti rrise te ardhurat.

4 – Rreziku i fjalimit moralist të Berishës

Varfëria është e dukshme në Shqipëri. E megjithatë do të duhej që ajo të shtohej dhe më shumë, derisa «thika të arrijë në palcë», që numri i shqiptarëve në protesta në rrugë të jetë më i lartë sesa i atyre në shtëpi. Berisha mendon se kjo ka pak gjasa të ndodhë dhe se hapësira e tij për manovra është shumë më e madhe. Por, fjalimi i tij në parlament ishte i kalibrit që të krijojë dëshirë të dalësh në rrugë, pa pritur që të përfundosh lypsar.

Përtej faktit që u morr opinioni publik dëshmitar për tema që nuk i përkasin kur ai pret zgjidhje urgjente për papunësinë, taksat e larta, pasigurinë e pronës etj., Berisha demonstroi në fjalimin e tij një zbrampsje të arritjeve më elementare demokratike të shqiptarëve. Berisha thotë se e kërcënoi Ramën në emër të ligjit dhe Kushtetutës. Por, a nuk është ai që po e shkel Kushtetutën, duke injoruar ndarjen e pushteteve: legjislativin nga ekzekutivi dhe ekzekutivin nga drejtësia? Kur bëhet fjala për të hapur kutitë e votimit, Berisha mbrohet se nuk është ai që vendos, por drejtësia. Por, për të gjykuar Edi Ramën, çuditërisht Berisha nuk ka më nevojë për drejtësinë.

Kryeministri duke përbuzur dy hallkat kapitale të institucionit të pavarur të drejtësisë, hetimin dhe gjykimin, arrin në bindjen se Edi Rama dhe se një numër biznesmenësh që e rrethojnë atë janë, as më pak dhe as më shumë, mafiozët më të rrezikshëm të mafies së Ballkanit! Kjo është goditja më e rëndë që mund t’u jepet institucioneve të brishta shqiptare, mendjeve të hutuara të shqiptarëve që do të kujtojnë se në demokraci gjykon kryeministri dhe jo drejtësia. Fjalimi i tij nëse përkthehet për kancelaritë kryesore në Evropë, me siguri që nuk do të kuptohet.

Në Evropën moderne, nuk është e mundur që dhe një mafioz, i njohur, i arrestuar si tillë, i kapur në flagrancë me drogë apo me prostituta, të trajtohet si mafioz përpara se t’i jetë bërë gjyqi. Ekziston një ligj në Evropën moderne që quhet «prezumim i pafajësisë». Në Francën demokratike, u ngrit mbarë shtypi dhe klasa politike për të dënuar një shprehje lapsus të presidentit Sarkozy, i cili e deklaroi para disa javësh si fajtor ish-kryeministrin Vilpen për një makinacion financiaro-politik që ka ndodhur më 2004. Ka dëshmi se Vilpen mund të ketë qenë i implikuar, por në asnjë mënyrë në emër të ndarjes së pushteteve nuk mundet që presidenti të deklarojë një njeri fajtor para se drejtësia ta bëjë një gjë të tillë. Sulmet shtazarake të kryeministrit të Shqipërisë, i cili pa vendim gjyqësor e konsideron shefin e opozitës si mafioz, të para nga një opinion perëndimor s’mund të lënë kështu veçse me gojë hapur. Në Shqipëri, ashtu si në Kinë, si në Tunizi, si në Kuba e në Kore të Veriut, udhëheqësi i vendit është dhe ligjvënës, dhe hetues, dhe gjykatës, me fjalë të tjera si Luigji i 16 «shteti jam unë»?

Kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Presidenti i Republikës, ekzistencën e të cilit e kemi harruar këto ditë, duhet të thotë fjalën e tij. Në Perëndim do të shokoheshin, gjithashtu, dhe për aspektin moralist krejtësisht të pakuptueshëm të fjalimit të Kryeministrit shqiptar. Ai jo vetëm që foli si prokuror, por si një prokuror i një vendi me ligje të bazuara mbi tekste fundamentaliste. Berisha denoncoi nga parlamenti i një vendi kandidat për BE, jetën e «shthurur» private të një shtetasi. I njëjti Kryeministër, i cili para tre muajsh tregonte fashinacion ndaj meshkujve që duan të martohen brenda seksit dhe ishte gati t’i mbronte ligj, i njëjti Berishë ngre gishtin kërcënues ndaj «orgjive» që, sipas tij, kryetari i opozitës bën në një shtëpi afër Tiranës. Si mundet që debati politik të bjerë kaq poshtë? Në fjalimin e Berishës shtetasi quhej Edi Rama, por mund të jetë çdo shtetas shqiptar që ka qejf të eksitohet i vetëm apo në bandë, të fotografohet apo ta fotografojnë me gruan nudo. Çfarë i duhen kryeministrit tonë këto detaje ekskluzive të jetës private?

Shqipëria nuk është ndonjë sulltanat anadollak i Azisë së Mesme, ku shthurja është vepër penale. A e di Kryeministri që në Evropën ku ai përpiqet të integrojë shqiptarët ligjet mbrojnë jetën private të shtetasve? Le të marrë sërish shembull nga Franca, ku ish-presidenti miterrand kishte maninë të bënte fëmijë jashtë martese, por francezet e gjykonin mbi jetën publike dhe jo atë private. Në inatin qe ka ndaj kryetarit të opozitës, kryeministri të mos përdorë armë, me të cilat rrezikohet e gjitha demokracia e re shqiptare. Precedentin që ai krijon sot, mund ta përdorë një diktator apo «big brother» nesër. E megjithatë, Berisha nuk është Hitleri

5) Hitleri dhe deontologjia në gazetari

Le ta quajmë me emër. Andrea Stefani, nuk është kushdo. Analist i njohur, intelektual i ekuilibruar. Kur Berisha trajton Ramën me të gjitha fjalët, A. Stefani shkon dhe më larg, përtej kufirit të arsyes, duke krahasuar Berishën me Hitlerin. Më shumë se ndaj Berishës dhe elektoratit që e mbështet atë, është një provokim që u bëhet, ndoshta pa vetëdije, hebrenjve. Për Izraelin, por dhe për të gjithë humanistët dhe intelektualët në botë, Hitleri nuk mund të krahasohet me askënd në planet, pasi për Hitlerin ka vetëm një referencë: holokausti. Të banalizosh krahasimin me Hitlerin është ta transformosh holokaustin, ngjarjen me makabër të humanitetit në një fenomen ordiner. Hitleri është unikal, pasi holokausti është unikal. Të paditurit mund ta krahasojnë një politikan me Hitlerin, por kurrsesi një Andrea Stefani që i ka dhënë kaq pika të dobishme referimi opinionit publik shqiptar në shkrimet e tija. Mein Kampfi, të cilit i referohet Stefani për të kuptuar personazhin e Berishës, ishte teorizimi që i bënte Hitleri shfarosjes së milionave çifutëve në emër të hapësirës vitale që duhet të gëzonte Gjermania si raca më e pastër në botë.

Është rrëqethëse të mendosh se një shqiptar mund t’i përafrohet kësaj monstre, qoftë ky shqiptar armik i shqiptarëve. Berisha është një politikan kompleks me të gjitha anët e tija pozitive dhe negative, siç është Berluskoni në Itali, Sarkozy në Francë, Toni Bler në Britani të Madhe. Të tre këta të fundit kanë marrë epitete nga më të ulëtat, nga më fyeset, nga më të urryerat prej opinioneve të tyre publike. Deri te duart me gjak për Toni Blerin, për luftën në Irak dhe mijëra viktima irakiane të pafajshme. Por kurrë nuk mund të imagjinohet të krahasohet me Hitlerin, as ai udhëheqësi perëndimor që kreu gabimin e luftës në Irak, dhe as diktatori më i egër i planetit, ai i Koresë së Veriut që lë popullin e tij të vdesë urie. Jo Berisha nuk është Hitler, ndonëse si ai, ka ardhur në pushtet me zgjedhje. Berisha do të largohet po me zgjedhje. Mos ta harrojmë kurrë se «dëmet e demokracisë, nuk mund të korrigjohen, veçse me demokraci», siç na e thoshte Alfred Smith, politikani i shquar amerikan i fillimit të shekullit të kaluar.