TemA, 3 Dhjetor 2011
Sali Berisha, Fatos Nano apo Ilir Meta nuk ishin në mesin e atyre deputetëve të parlamentit shqiptar, që firmosën ftesën e legjislativit të Republikës Parlamentare të Shqipërisë, në vitin 2002, që Familja Mbretërore të kthehej në atdhe.
Në një dokument që e ruan edhe Oborri Mbretëror dhe që mund të shihet në linkun (albania.dyndns.org/Lek%20bio/petition76depute.htm), tre “të mëdhenjtë” e politikës shqiptare në dy dekadat e fundit, nuk kanë nënshkruar për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, pas gati gjashtë dekadash ekzili nëpër botë.
Leka Zogu për herë të fundit kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1997 për të marrë pjesë në referendumin e organizuar për formën e regjimit më 29 qershor 1997 dhe me 11 korrik 1997 ishte larguar nga Shqipëria. Ai u rikthye për të jetuar dhe ndërruar jetë në Shqipëri më 28 qershor 2002, pas një ftese që Kuvendi i Shqipërisë I bëri zyrtarisht familjes mbretërore. Ndër 76 deputetët e Kuvendit shqiptar ka demokratë, socialiste apo legalistë, por në mesin e tyre nuk janë ata që po kërkojnë sot rivlerësimin e figurës së Leka Zogut, çështjen e referendumit, apo të formës së regjimit.
Në ftesën e deputetëve të Kuvendit Shqiptar për rikthimin e Familjes Mbretërore Shqiptare në Atdhe thuhet se: “Ne, një grup deputetësh të Kuvendit Shqiptar, të mbështetur në respektin që kemi për Historinë e Shtetit Shqiptar e vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesen tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri. Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore e kanë shprehur publikisht prej kohësh dëshirën për të ardhur e jetuar përgjithmonë në Shqipëri.
Ne, deputetët që bëjmë këtë kërkesë, të nisur nga jeta e vështirë por dinjitoze në mërgimin e gjatë, e vlerësojmë dëshirën e tyre si shprehje të dashurisë së sinqertë për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar. Ne e ndjejmë si detyrim moral për të ofruar ftesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore të vijnë sa më parë në Shqipëri. Në këtë mënyrë mendojmë se i jepet fund mërgimit të tyre të padrejtë 63-vjeçar. Besojmë se kërkesa jonë do të gjejë mirëkuptimin e kolegëve te tjerë të këtij Kuvendi”.
Më poshtë është edhe lista që nis me emrin e të ndjerit Pjetër Arbnori, ish-kryetar i Kuvendit deri në 1997, ku bie në sy emir i presidentit aktual Bamir Topi, ish-kryeministrit socialist bashkim Fino dhe të shumë deputetëve të majtë dhe të djathtë, gjithsej 76 dhe ku mungon pikësëpari kryeministri aktual, Sali Berisha, atëherë kryetar i PD-së në opozitës, që e kishte përzënë me polici Leka Zogun në nëntor 1993 dhe që sot organizon funeral shtetëror, në një ditë zie./shqiptarja