Nga Ymer Minxhozi, 2 Qershor 2013
E them që në fillim: unë nuk pretendoj të pyetem për axhendën e udhëtimeve të kryeministrit, i cili ka plotësisht të drejtë të shkojë në çdo cep të Shqipërisë, pa pengesa si ato të Urës së Bunës apo urës së Mifolit dikur. Ai ka të drejtë të mbajë çfarëdolloj fjalimesh dhe të premtojë çfarë i thotë zemra. Theksoj gjithashtu se ky shkrim i shkurtër nuk ka asnjë lidhje me atë incidentin e djeshëm në mitingun e Burrelit, sepse unë akoma nuk kam të dhëna përfundimtare nga ana e policisë: ishin lule apo gurë, ato që ju hodhën makinës së kryeministrit në fund të mitingut. Pra, unë nuk marr përsipër të komentoj lule-gurët apo gurët-lule. Siç do ta shpjegoj më poshtë, titulli i këtij shkrimi lidhet me raportet e qeverisë së Berishës me gjendjen e krijuar në Mat, gjatë këtyre viteve të tranzicionit.
Ashtu si edhe në rrethet e tjera, kryeministri shkoi në Burrel për t’iu kërkuar matjanëve vota, në mënyrë që të mund të vazhdojë qeverisjen edhe për katër vitet e ardhshme. Unë si matjan dhe gazetar, mendoj se ai nuk duhet të kishte shkuar në Mat, as në zgjedhjet e kaluara, as në zgjedhjet e ardhshme. Nuk duhet të kishte shkuar sepse qeverisja e tij ka kohë që është kompromentuar keqas dhe nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë qeverisje për më tej. Sidomos në Mat.
Gjatë këtyre njëzet vjetëve, ky rreth ka bërë dy apo tre dekada prapakthehu. Mati i sotëm të jep përshtypjen e një krahine të penalizuar nga qeveria, në të gjithë treguesit themelorë.
Në fillim të kësaj fushate elektorale, kryeministri u duk i pozicionuar në një qoshe rruge në Zinisht, ku bëhet kryqëzimi i rrugës për në Lis. Ai kishte vënë përpara një tabelë, ku shkruhej: “Ky është zhvillim”! Në një mbledhje të improvizuar me disa qeveritarë dhe roje të Gardës, ai deklaroi: “Në Mat janë bërë investime serioze “. Ndoshta kryeministri e kishte me të vërtetë seriozisht, kur i tha këto fjalë, ndërsa mua kjo më tingëlloi si një tallje aspak serioze, madje një deklaratë cinike në adresë të matjanëve. Sepse edhe demagogjia duhet të ketë një farë kufiri, sepse edhe ata që të dëgjojnë, kushdo qofshin, janë njerëz me sy e me veshë. Ata edhe mund të duartrokasin, por duhet marrë parasysh se edhe duartrokitjet janë të llojeve të ndryshme dhe shumica e tyre mund edhe të zhduken, madje edhe te kthehen në duargoditëse. Ato që mbeten të pandryshuara janë vetëm faktet.
Nën udhëheqjen e Berishës dhe Partisë që ai kryeson, të gjithë shqiptarët pësuan tragjedinë e tmerrshme të 97-tës. Në disa shkrime, ky vit cilësohet thjesht si “viti i mbrapshtë”, ndërsa do të ishte më e saktë të quhej “viti i qeverisjes së mbrapshtë të Berishës”. Pikërisht ai vit, Matin e goditi me një ashpërsi të veçantë. Në asnjë periudhë të historisë moderne, në asnjërën nga luftërat që mbahen mend, Mati nuk ka humbur aq jetë njerëzish sa në 97-tën. Një dorë e zezë u shtri mbi krahinën dhe “Rruga e Dritës” në çdo kthesë të saj ka sot një muranë që daton prej asaj kohe.
Qyteti i Burrelit, nga “qyteti i mollëve” siç e quanin dikur, u kthye në “Qytet-Muranë”. Në ato ditë, nga Tirana vinin jo vetëm urdhëra mobilizimi për të “marshuar drejt Jugut të Shqipërisë”, por edhe urdhëra për të braktisur të gjitha institucionet, për hapjen e burgut, kazermave dhe depove të armëve. Qyteti dhe krahina ju nënshtruan kaosit.
Pas 90-tës dhe gjatë dy dekadave rendi dhe ekonomia e Matit u godit në zemër . Edhe pse në Mat nuk pati “rebelim” e marshime proteste, qeverisja e PD-së u kurorëzuan me më shumë se dyqind të vrarë e të zhdukur, me institucione të shkatërruara. Megjithatë ish-kryetari i shtetit nuk lëvizi nga vendi, ai vazhdoi t’i fryjë zjarrit.
Gjatë dy dekadave, shkatërrimi ekonomik dhe kulturor i Matit ka vazhduar pa ndërprerje. Pothuajse gjithçka ishte ndërtuar gjer atëhere, ju nënshtrua asgjesimit. Përralla mbi “Çekun e bardhë” dhe udhëzimet nga lart mbi likujdimin e “relikeve komuniste”, u materializua edhe në Mat. Gjithçka filloi me ndërprerjen e Hekurudhës Milot-Klos prej 40 kilometrash, u mbyllën minierat, u mbyll uzina e shkrirjes së ferro-kromit, e vetmja në Republikë që kishte mbi njëmijë punëtorë e personel teknik.
U shkatërrua i gjithë sistemi i vaditjes, që përbëhej nga dhjetëra kanale e rezervuare ujëmbledhës, u shkatërrua sistemi shëndetësor, u mbyllën dhjetra ndërmarrje prodhuese të niveleve të ndryshme – në Mat ju shpall luftë prodhimit, por edhe institucioneve arsimore e kulturore. Gjithkujt i lind pyetja: Kush qe ajo dorë e zezë që dha urdhër të shkatërrohet prodhimi i kromit – që nga Bulqiza e Martaneshi, e deri në uzinën e Burrelit, duke ju mohuar punën dhe bukën mijëra punëtorëve e familjeve të tyre? Kush qe ajo dorë e zezë që vuri dorë mbi Hekurudhën që do ta lidhte Matin me pjesët e tjera të vendit dhe do të nxistë prodhimin dhe turizmin? Kush qe ajo dorë e zezë që shkatërroi zonën më të bukur të turizmit malor në Shqipëri – Liqenet e Lurës – një margaritar i maleve tona? Asnjë okupacion i huaj nuk do të sillej kështu me pasuritë e Matit, sepse asnjërit nuk do t’i leverdiste të shkatërronte ato pasuri që do të mund t’i shfrytëzonte për vete. Vetëm hunët që vinin nga shkretëtirat e Mongolisë, bënin marshime nën parrullën: “Pushto-Shkatërro-Kalo”!
Elektrifikimi i të gjithë Shqipërisë u bë në vitin 1970. Në historinë e ecurisë së vendit tonë, ka edhe një ditë që quhet “Festa e Dritës”. Ajo tashmë është harruar, sepse edhe ajo është “relike e komunizmit”. Por unë nuk mund të rri pa përmendur dy hidrocentralet e ngritura mbi lumin Mat. Kam asistuar në fillimin e punimeve në Ulëz dhe pata shkruar një reportazh të thjeshtë nga puna e fshatarëve për hapjen e rezervuarit. Kishte një entuziazëm të papërshkruar tek ata njerëz, që po i vinin fre lumit për ta kthyer në dritë.
Ishin dy hidrocentralet e para në Shqipëri, ishin pionerët e elektrifikimit të Shqipërisë. Prej aty morën zanafillën edhe shtyllat e tensionit të lartë, që dalëngadalë mbushën malet e kodrat dhe e çuan energjinë elektrike deri tek shtëpia më e fundit, në malësitë e thella. Sot kjo duket një histori e largët e disi “jashtë mode”, por ka qenë një histori e jetuar dhe një sfidë unikale edhe për banorët e Matit. Njëri nga ata ndërtues me kazma e lopata më vonë më thoshte: “Dy fëmijët e mij nuk e besonin se drita ka ardhë te shtëpia jonë dhe do të rrije me ne përgjithmonë. Vajza e vogël i thoshte vëllait: Mos e fik dritën se nuk vjen ma. Fëmijët donin të flinin me dritë ndezur…”
Dy hidrocentralet e Matit nuk duheshin shitur, në asnjë mënyrë. Ato duheshin ruajtur e mirëmbajtur qiftë edhe si përmendore të elektrifikimit të Shqipërisë. Ajo qytezë e vogël, por e bukur si panoramë e si njerëz të lidhur me dritën e liqenet, duhej ndihmuar të zhvillohetm, të modernizohet më tej, edhe për turizmin, edhe si monument.
Është krim, që ato hidrocentrale të tjetërsohen, për një grusht parash që nuk dihet se në duart e kujt përfundojnë dhe për çfarë do të përdoren.
Zoti Berisha është një partizan i papërmbajtur i “Shqipërisë Private”. Le të vazhdojë. Por unë do t’i propozoja që, si amator i shquar i “inaugurimeve”, të vendosë edhe një lapidar në Ulëz, ku të shkruhet: “Dikur këto dy hidrocentrale kanë qenë shqiptare dhe janë ndërtuar nga shqiptarët”.
Ndoshta kjo pllakë do t’ju vlejë arkeologëve, pas njëqind apo dyqind vjetëve. Zoti Berisha nuk mori dot pjesë në inaugurimin e këtyre dy veprave, por të paktën tani ka mundësi të marrë pjesë në shitjen e tyre. Veprat industriale, ashtu si edhe çdo objekt tjetër, kanë lindjen dhe vdekjen e tyre, si edhe njerëzit. Nuk merr pjesë në lindje, mund të marrësh pjesë në vdekjen e tyre.
Gjatë njëzet e tre vjetëve të fundit, kam patur rastin të shoh nga afër gjithë vendet e Europës lindore dhe Kinën, ku ka ndodhur tranzicioni. Mund të them se në asnjë vend tjetër unë kam parë fenomenet që kanë ndodhur tek ne. Edhe atje ka patur e ka vështirësi, të cilat janë pjesë e shoqërive që po ndryshojnë drejt kapitalizmit. Por nuk kam parë askund shkatërrime ndërmarrjesh prodhuese për t’i shitur për skrap, nuk kam parë as armiq hekurudhash, apo plantacionesh të pemëve frutore. Nuk mund të gjendet absolutisht asnjë shembëlltyrë e minierave të shekullit të 19-të në Afrikë, si ajo pamje makabër që na paraqet sot miniera e Bulqizës.