Berisha, një korrier diplomatik

0
42

Lorenc Vangjeli

Lorenc Vangjeli, 24.04.2010

Udhëtimi me makinë nëpër Evropë dhe takimi Berisha-Nano në Vjenë; dy detaje që lanë në harresë gjithçka tjetër ndodhi në Bruksel. Jehona e jashtëzakonshme në Tiranë, Rama që bëri sërish të mundur që Pasardhësi dhe Paraardhësi në qeveri të bëhen bashkë dhe ekuacioni i nesërm presidencial: Shanset e Berishës për t´u bërë Papë në Vatikan dhe shanset e Nanos për t´u bërë President në Pallatin e Brigadave. Të gjitha këto nën hijen e 30 prillit, protestës së opozitës dhe në formën e Oltës së Big Brother që i flet vetes në vetë të tretë

Pakkush do të kujtojë se çfarë ka ndodhur në Bruksel, në datat 14 dhe 15 prill, gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian. Vullkani islandez që kishte shpërthyer ndërkohë duke bllokuar qiellin evropian, do t´i jepte një përmasë krejt të paparashikuar jo vizitës në vetvete dhe asaj çfarë kishte ndodhur aty, por kthimit në Tiranë dhe një takimi të ndërmjetëm në Vjenë. Kthimi i kryeministrit u realizua me makinë njëlloj siç ndodhi në anonimat për rreth 6.5 milionë qytetarë evropianë të tjerë apo dhe drejtues të tjerë të lartë qeveritarë evropianë të mbetur “rrugëve”, kurse në Vjenë, Pasardhësi u takua me Paraardhësin. Këto janë dy detajet që shumica e shqiptarëve do të kujtojnë sepse pjesa zyrtare e vizitës u kalua lehtësisht në harresë.

Berisha në ekspozitë

Do thënë se në të vërtetë, ishin detaje spektakolare: kryeministri Berisha me një ngulm të zakonshëm për të gjithë jetën e tij drejt qëllimit që i ve vetes, kreu mbi dy mijë e pesëqind kilometra nëpër Evropë me makinë, kurse në mes të udhëtimit, sipas stilit po të zakonshëm e befasues të jetës së tij politike, realizoi një takim me mikarmikun e hershëm të jetës; Fatos Nanon.

Do thënë, se në të gjitha rastet, për shkak të mënyrës shpesh të cekët të kundrimit të politikës së Tiranës dhe interesit shpesh sipërfaqësor të publikut, këto dy detaje, do të mbulonin padyshim suksesin apo dështimin e mundshëm të vizitës në Bruksel. Si një mjeshtër i jashtëzakonshëm përçimit të mesazhit të tij të rradhës tek qytetari, zoti Berisha, edhe kësaj here ishte në formën e tij të shkëlqyer prej lokomotive që tërheq të gjitha opinionet e mundshme në Tiranë në hullinë që ai vetë zgjedh, duke detyruar gjithkënd të flasë, diskutojë dhe të debatojë për lëvizjen e tij të rradhës, që kësaj rradhe kishte të bënte me lëvizjen me makinë nëpër Evropë dhe takimin me zotin Nano.

Udhëtimi, kthimi

Nuk mund të mungonte metafora për rikthimin në rrugë dhe mënyrë të pazakontë të zotit Berisha në atdhe. Vetë kryeministri thotë se: “Ky ishte një udhëtim i lodhshëm, por një udhëtim i sigurt, sa vetë rrugët që përshkova dhe i suksesshëm, sepse, pas bllokimit të linjave ajrore, kjo ishte mundësia më e shpejtë për t’u gjendur në Shqipëri. Dua të falënderoj autoritetet e 7 vendeve, në territorin e të cilave unë udhëtova, për lehtësitë e mëdha që më krijuan dhe që bënë që udhëtimi im të ishte pothuaj i rrufeshëm” Dhe më pas, një lodër tipike fjalësh që kundërshton jo vetëm në formë çfarë vetë kishte thënë më parë. “Ky udhëtim ishte siamez me udhëtimin e shqiptarëve drejt Evropës, i lodhshëm, me sakrifica, jo pa dhimbje, por i suksesshëm dhe i sigurt”, thotë Kryeministri. Në fakt, ka një “hollësi” që zoti Berisha e lë në heshtje: shqiptarët ende duhet të konsumojnë shumë lodhje, sakrifica dhe dhembje në udhëtimin e tyre drejt Evropës për shkak të sistemit të vizave, një sistem që jo rrallë e bën tentativën e tyre drejt Evropës të pasuksesshëm dhe të pasigurtë. Por arsyen se pse shqiptarët vazhdojnë të jenë pothuaj të fundit në rajon, peng i këtij sistemi, zoti Berisha nuk e jep. Ai është vetë pjesë e rëndësishme e këtyre arsyeve, në mos absolutisht më e rëndësishmja.

Retorika populiste?

Në thelb, rrugëtimi i gjatë në destinacionin, Tiranë – Bruksel – shtatë vende të evropiane – Tiranë, mund të konsiderohet edhe si udhëtimi i një korrieri diplomatik. Për nga misioni i kryer, por jo nga publiciteti i afruar. Zoti Berisha zgjodhi të bëjë “korrierin” për shkak të solemnitetit të rastit dhe sidomos, sepse nuk do të mund të bënte ndryshe. E pranon dhe vetë një gjë të tillë kur shprehet: “Në Bruksel, unë shkova për të paraqitur para Komisionit Evropian librin e përgjigjeve të 2284 pyetjeve që Komisioni Evropian i drejtoi shtetit shqiptar, në datën 16 dhjetor të vitit 2009. Momenti ishte solemn dhe gjithashtu, thellësisht emocional. Kjo jo vetëm për ne, por edhe për mikpritësit tanë. Në datën 14 prill, ora 16.00, unë i dorëzova komisionerit për Zgjerimin, zotit Fule, librin e përgjigjeve të pyetjeve që Komisioni i adresoi Shqipërisë, si librin e shtypur më voluminoz, në historinë e këtij vendi. Vëllimi prej 3854 faqesh…, përmban të gjitha të vërtetat e mëdha të Shqipërisë e shqiptarëve në këto 18 vite, të gjitha ligjet, praktikat dhe reformat, mbi të cilat shqiptarët ndërtuan demokracinë e tyre funksionale, ndërtuan ekonominë e tregut funksionale, ndërtuan idealin e tyre evropian”.

I vetmi detaj tjetër i mundshëm më tepër që mund të sillte zoti Berisha në Tiranë nga Brukseli, kishte të bënte me atmosferën zyrtare. Një korrier diplomatik i zakonshëm që thjesht do të dorëzonte “zarfin” e trashë, nuk do të mund ta bënte: Zoti Berisha dëshmoi jo vetëm emocionet e tij të kuptueshme, por garantoi, sipas tij, edhe “emocionet” e mikpritësve të tij. Dhe ky ishte dhe rasti për të bërë pak publicitet vetjak për të sotmen, duke kujtuar të shkuarën. Dikur, komunistët në pushtet e kishin zakon të përdornin vitin e rëndë 1938 si pikë referimi për sukseset që ata kishin arritur gjatë regjimit të tyre. Sot, në pluralizëm, është zgjedhur një tjetër vit impresionues, njëlloj si viti i parafundit i mbretërimit të Zogut, viti 1992. Dhe krahasimet me këtë vit të errët, natyrisht e bëjnë çdo optikë tjetër mbi grinë e sotme, që të duket e bardhë borë.

Duke bërë një retrospektivë historike që nga vizita e tij e parë si President i Shqipërisë në Bruksel e deri në këtë mes prilli, zoti Berisha, sërish sipas zakonit, pronësoi të gjithë atë zhvillim natyral dhe normal të një vendi e shoqërie; tregoi pagën e dikurshme mesatare të shqiptarëve të vitit 1992 me 6 dollarë dhe tha se sot kjo pagë është rritur me disa dhjetra herë, plot 70 herë. Po kështu dhe të ardhurat për frymë e tregues të tjerë. Çdokush, sipas mënyrës që u servir, natyrisht do ta quante zotin Berisha si autor e arkitekt të kësaj mrekullie. A është e vërtetë? Kjo pak rëndësi ka! Mrekullitë nuk para ekzistojnë, por dhe e zakonshmja apo dhe vetë fatkeqësia, në rrafshe të ndryshme krahasimi, mund të duken të tilla, qoftë dhe përkohësisht. Sidomos kur korrieri diplomatik që dëshmon mrekullinë, është kryeministër

Kriza politike

Pasi rrëfen sipas mënyrës së tij se Shqipëria nuk ka njohur krizën ekonomike që përfshiu gjithë botën, kryeministri e ka të pamundur të shmangë krizën politike që ka zënë vendin për fyti. E bën një gjë të tillë duke e thirrur krizën me eufemizëm, e quan “ngërç”, duke mos e zënë në gojë, por pa mundur të mos tregojë se ajo është përmendur nga të gjitha gojët bashkëbiseduese me të në Bruksel. Por dhe në këtë rast, kur zgjedh të bëhet zëdhënës i bashkëbiseduesve të tij evropiane ai thotë: “U shpreh besim i plotë se qeveria ka bërë e do të bëjë çdo përpjekje për të shtyrë përpara zgjidhjen e problemit, duke respektuar plotësisht Kushtetutën e vendit dhe transparencën e formës evropiane”. Pak a shumë, një mënyrë shprehjeje si personazhet e Big Brother-it që i drejtohen vetes në vetë të tretë. Por në vend të thuhet siç bën Olta, një nga personazhet e spektaklit popullor se: “Olta u shpreh…”, fjalia e zotit Berisha ndërtohet në formën: “Presidenti Barroso u shpreh i bindur se qeveria dhe Kryeministri i këtij vendi do të bëjnë gjithfarë është e mundur të bëhet, për të zgjidhur mbi baza Kushtetuese problemin e ngërçit politik parlamentar”.

Me Nanon, hija e Ramës pas

Marrëdhëniet politike dhe njerëzore mes dy njerëzve të fuqishëm të politikës shqiptare, Berisha dhe Nano, rrallëkund mund të gjejnë të dytë të ngjashme nëpër Evropë. Si rregull, lavdia e njërit ishte fatkeqësi për tjetrin dhe anasjelltas. Mes tyre janë dhe hekurat e ndryshkur – tashmë të “harruar” – të një qelie politike dhe burgu politik ku i pari mbylli të dytin dhe një lumë i tërë vreri dhe llumi që secili ka nxjerrë nga goja për tjetrin në bregun përtej. Kështu ka qenë që në fillim të herës, por nuk është më kështu. Viti 2005 dhe dalja e Edi Ramës në krye të PS-së e prishi këtë ekuilibër bipolar dhe bëri me ta veprimin që ndodh zakonisht me ekstremet: i bashkoi ata.

Berisha dhe Nano u bënë fillimisht bashkë publikisht në 10 janar 2007 në vigjilje të përplasjes elektorale lokale përballë të vetmit armik që i prishte punë pushtetit të të parit, dhe të nesërmes së të dytit. Vullkani islandez ishte arsyeja “fatlume” dhe e dukshme që i bëri sërish bashkë dy miqarmiqtë në Vjenë; arsyeja e vërtetë është që situata në Tiranë, sidomos në prag të 30 prillit, protestës së paralajmëruar të opozitës, i ngjan sërish një vullkani në aktivitet e sipër. Të dy burrat e fortë kanë kuptuar se së bashku vrapojnë më shpejt, se e kanë më të lehtë të rehabilitojnë të kaluarën e tyre sesa të rrezikojnë larg njëri-tjetrit të ardhmen e tyre të përbashkët.

Në Tiranë nuk kanë asnjë dyshim për të paktën dy pika takimi, veç të tjerash, që i bashkojnë Berishën dhe Nanon; kryeministri afron e premton gjithmonë fare lehtësisht atë që nuk e ka në dorë dhe ëndrra presidenciale e Nanos nga e cila ish-kryeministri nuk heq dorë. Për të parën Berisha u kujdes ta fshehë duke respektuar në dukje dhe faktorët e tjerë të përfshirë në lojën e pas dy vjetëve e gjysëm, për të dytën, “u betua” se nuk ishte diskutuar fare.

“Më shumë shanse ka të bëhet Papë në Vatikan një besimtar musliman jo praktikant si Berisha, sesa të bëhet Nano president në Tiranë”. Që të nesërmen e takimit në Vjenë, një mik i të dy kryeministrave, aktualit dhe atij “Ish”, e qarkulloi si anekdotë cinike profecinë e tij. Qoftë dhe sepse në një rast të tillë, Nano president do të ishte në qendër të pushtetit të paktën deri në vitin 2017, ndërsa Berisha do të duhej të kalonte shumë e shumë mundime të tjera politike që të mbahej në politikë. Pavarësisht se ka premtuar dhe një tridhjetë vjeçar tjetër aktivitet në politikë. Megjithatë, qoftë dhe minimalisht, ky diversion i dobët, më i dobti i Berishës drejt të majtës në këto dy dekada, e arriti qëllimin e tij: në Tiranë, më shumë se për integrimin evropian, vizat, krizën, protestat e opozitës, projektrezolutën e pritshme të Këshillit të Evropës dhe gjithçka tjetër, u fol për darkën vjeneze të Triestes së re.

Në fakt, edhe vetë Triestja e vjetër, darka e dikurshme e 19 vjetëve më parë mes Berishës dhe Nanos, nuk u la pa përmendur sërish në Tiranë. E kishte bërë vite më parë vetë Nano nga qelia e burgut të tij politik kur i bënte aluzione jo fort të mjegullta Berishës për një pakt mistik e të pambajtur mes tyre, e bëri dhe Berisha kur e ripërmendi Triesten, por pa thënë asgjë konkrete. Sepse në të vërtetë, Triestja e parë dhe Vjena e dytë, nuk kanë pasur asnjë produkt real, përveçse kanë shërbyer si ushqim për kuriozitetin.

Pakkush mund të parashikojë megjithatë, se çfarë mund të ndodhë nesër me një oborr të vogël dhe shpesh shumë meskin si politika shqiptare. Një oborr ku gjithkush njeh gjithkënd dhe ku secili është dëshmitar i dobësive të secilit. Megjithatë, askush nuk mund të vejë bast për të ardhmen duke njohur të shkuarën e të dyve, Berishës dhe Nanos. Sot ata, befasisht, e shohin dhe njëherë veten bashkë e të bashkuar për shkak të një rreziku të përbashkët që i kërcënon të dy po njëlloj. 30 prilli i opozitës është vetëm një stacion i përbashkët frike, më pas, vërtet nuk i dihet.

Marre nga revista MAPO