Berisha, një Hitler i Demokracisë Shqiptare

0
40


TemA, 9 Nëntor 2011

Fragment nga “Komploti Kundër Lirisë”

Analiza e lidershipit dhe i përgjegjësive të tij për dështimet e tranzicionit shqiptar është një nga tre rrafshet kryesore të librit të Andrea Stefanit. Dhe Sali Berisha, si figura qendrore e këtij tranzicioni është shqyrtuar në të gjithë tiparet e tij politike si autokrat, mashtrues, destruktiv, mafioz e deri edhe nekrofil. Këtu po japim analizën e destruktiviteti të Berishës:

* * *

Ai s’është më.
Por hija e tij qëndon ende mbi ne.
Dhe ne i bindemi.

Svjetllana Allilujeva (Vajza e Stalinit)

Një artikull i publikuar vite më parë u bë edhe shtytja për këtë thyesë të kapitullit. I debatuar jo pak në forumet e internetit, artikulli u kritikua apo u mburr nga këndvështrime të ndryshme. Dikush mendonte se krahasimi i Berishës me Hitlerin ishte pa vend nga që ky i fundit ishte diktatori i një vendi të madh si Gjermania ndërsa Berisha është pushtetar i një shteti të papërfillshëm si Shqipëria. Dikush tjetër arriti të mburrë edhe aftësinë oratorike dhe sugjestionuese të Hitlerit që mungon në gjuhën folklorike të Berishës. Por thuajse të gjithë dështonin të kuptonin se krahasimi tentonte të evidentonte, edhe nëpërmjet ngjashmërive të sipërfaqshme dhe të rastit, një simetri thelbësore, thuajse karakteriale mes dy liderëve dhe që, në fund të fundit, nuk mund të mos jetë faktor në rrokullimat dhe tragjeditë që kanë ndodhur dhe do ndodhin.

Destruktivisti

Unë nuk jam angazhuar personalisht me Berishën, por me elementin shkatërrues të shtetit shqiptar që quhet Berishë… qëndrimi im ndaj Berishës ka të bëjë me faktin se… shteti për mua është një Rozafë që gjatë ditës shfaqej si shtet dhe gjatë natës shikoja Berishën tek e shkatërronte.

Frrok Çupi

Vërej se ekziston një gen shkatërrues në politikën shqiptare.

Karsten Ankjaer Jensen
(Ambasadori i Danimarkës në Tiranë)

Instikti i shkatërrimit është bashkëshoqërues i instiktit të vdekjes. Dhe tërë karriera e stërgjatë e Berishës përshkohet nga gjakimi i shkatërrimit për hir të pushtetit absolut. Po sa herë do lejohet të rrënohet shteti dhe Shqipëria për hir të pushtetit personal të këtij njeriu? A nuk ishte i mjaftë viti 1997? Po grushti i shtetit i vitit 1998? Po vrasja dhe rrënimi i jetëve në Gërdec për shkak të babëzisë së përvetësimit? Po vrasja e 4 protestuesve në janar 2011? Po rrënimi i buxhetit me anë të një korrupsioni dhe papërgjegjshmërie që epshin për pushtet dhe fitime të paligjshme, e maskon me patriotizëm? Po shkatërrimi i pavarësisë së institucioneve, opozitës, medias? Po shkatërrimi fizik i Zogut të Zi vetëm si një kapriçio shumë milionëshe e luftës për pushtet? Janë edhe shumë e shumë të tjera.

Berisha është një politikan që gjen forcë te shkatërrimi. Gjithë karriera e tij është e mbushur me prova të karakterit të tij destruktiv. Edhe në gjuhën e Berishës, në të folurën e tij është e pranishme përherë një dozë e fortë destruksioni. Para se të vinte në pushtet në 2005 kërcënonte se do t’i vinte “ruspën” mafies me të cilën nënkuptonte rivalët politikë. Edhe arritjet pozitive ai i percepton në mënyrë destruktive, si shkatërrim. Pesë vjet më vonë, në antimitingun e 8 dhjetorit 2009, Berisha ftoi të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me “uraganin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë”. Vështirë të gjendet lider me mendësi perëndimore që do ta krahasonte integrimin si proces me një uragan thelbi i të cilit, si dukuri natyrore, është shkatërrimi. Ja një frazë tjetër po nga ai fjalim:

“Ne që së bashku shembëm mure, blloqe dhe diktatura, ne së shpejti do të fshijmë kufijtë dhe do të lëvizim të lirë në mbarë Europën” (Gazeta “Rilindja Demokratike”, 9 dhjetor 2009, Sali Berisha, “Hedhurinat e së shkuarës nuk do të mund ta ndalin kurrë vrapin tonë”)

Në vjeshtë të vitit 2010 debatit politik iu shtua dhe një çështje tjetër, ajo nëse duhej shkatërruar godina e “Piramidës” e ndodhur në qendër të Kryeqytetit. Ajo ishte ndërtuar pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha si një muze për të përjetësuar kujtimin dhe veprën e tij. Por si pa dashje projekti kish marrë formën e një piramide dhe në fakt, sikur përjetësonte figurën e ish Faraonit komunist. Megjithatë kishin kaluar 20 vjet nga rënia e komunizmit, piramida qe shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjertër Arbnori” dhe në të kishte disa studio edhe stacioni televiziv “Top Channel” i sulmuar kohë pas kohe nga Berisha.

Dhe pasi i kish dhënë udhë një projekti prej rreth 5 milionë eurosh për ta shndërruar “Piramidën” në Teatër Kombëtar, befas Berisha deklaroi se ajo duhej shkatërruar nga që ishte simboli i diktaturës komuniste dhe i diktatorit. Nuk qe e vështirë të lexoje pas kësaj manovre nevojën politike që kish Berisha për t’u rikthyer tek tema e vjetër e “antikomunizmit”. Ndërsa elektorati po i pakësohej dukshëm, ai ëndërronte të kthente kohët e vjetra kur nën flamurin e “antikomunizmit”, kish pasur pas vetes shumicën e shqiptarëve. Ishte në fakt një donkishotizëm që kërkonte rikthimin e fillimit të viteve ’90 të shekullit të kaluar kur shqiptarët ishin përçarë konvencionalisht në komunistë dhe demokratë. Një përçarje që e kish sjellë në pushtet. Pra kishim të bënim me një lloj ngasjeje prej Cezari që kërkonte të ringjallte një përçarje të suksesshme për të.

Por ndërkaq, në një analizë më të thelluar psikologjike, thirrja për shkatërrimin e godinës së Piramidës në qendër të Tiranës përbënte një fakt më shumë në zinxhirin e fakteve, që provonin se vendi drejtohej nga një politikan me pasione thellësisht destruktive. Po provohej përsëri se nuk qe aspak e rastit që bashkë me shfaqjen e Sali Berishës si kryepolitikan në fillim të viteve ’90, u pa të rritet edhe doza e destruktivitetit në jetën politiko-ekonomike të Shqipërisë. Aq sa në vitin ‘97 shqiptarët u qorrollisën edhe në greminën e rrënimit të shtetit. Edhe politikanë dhe liderë të tjerë në botë mbajnë mbi shpinë mëkate tragjedish dhe shkatërrimesh.

Por në rastin e Berishës vërehet ajo që, Erich Fromm, duke analizuar karakterin e Adolf Hitlerit, do ta përkufizonte si një “shpërpjesëtim mes shkatërrimit që ai urdhëroi dhe arsyeve realiste që i dhanë shtysën”. Jam përpjekur më sipër të shpjegoj ngjashmërinë mes Berishës dhe Hitlerit, ngjashmëri që më shumë se në tiparet, veset apo aftësitë, qëndron në karakterin nekrofil prej dhe nga gjenerohen impulse të vazhdueshme destruktiviteti. Prandaj, mund të thuhet se jo pak veprime edhe të Berishës, siç është edhe rasti më i fundit i Piramidës:

“nuk mund të shpjegohen me motivime strategjike por janë fryt i pasionit të një burri thellësisht nekrofil”. (Erih From, Anatomia e Destruktivitetit Njerëzor, Vëll 2, fq.349)

Sepse çdo njeri me aftësi normale reflektimi do ta kuptonte se shkatërrimi i një ndërtese, qoftë edhe ajo e muzeut të ish diktatorit Enver Hoxha, nuk mund të përligjej dot me demagogjinë e Berishës se ish-piramida e zezë e diktatorit nuk mund të qëndrojë në qendër të Tiranës. Në fakt një akt i tillë destruksioni nuk i jepte ndonjë goditje diktaturës komuniste të rrëzuar 20 vjet më parë. Përkundrazi, shkatërrimi i tipit taleban i një godine, mbante gjallë thelbin destruktiv të diktaturës! Pra qe evidente se “antikomunizmi” edhe në atë rast, bëhej një alibi për të maskuar “me politikë” një pasion nekrofil të Berishës, pasionin “për të shkatërruar prej kënaqësisë për të shkatërruar”.

Erih From, nënvizon se prirja nekrofile:

”…shprehet më thellësisht kur kërkohet të dëmtohet diçka e bukur si një ndërtesë…” dhe se “pasioni për të shkatërruar ndërtesa e qytete meriton vëmendje të veçantë”. (Po aty, fq. 344)

Madje shton se mund të hamendësohet deri se dhe planet e Hitlerit për të rindërtuar qytete, ishin një shkas për t’i shkatërruar ato më parë”. Kishte shumë shenja që shtynin të hamendësojmë se edhe plani i Berishës për të rindërtuar një “teatër” apo një “parlament”, është thjesht një shkas për të shkatërruar më parë një ndërtesë të pafajshme si Piramida. Kishim të bënim me një shprehje të epshit për shkatërrim që ndizet kohë pas kohe dhe aspak e nevojës për të luftuar komunizmin. Sepse Piramida nuk qe i vetmi rast shkatërrimi i urdhëruar nga Berisha. Kujtojmë përveç shkatërrimit të mbikalimit të Zogut të Zi edhe shkatërrimet e planëzuara në Hamallaj dhe i ndërtimeve në Himarë.

Të gjitha të përligjura me shkaqe urbanistike por në fakt, ndërtime të toleruara të ngrihen (ose të premtuara se do legalizohen) kinse për t’u shkatërruar më vonë. Një pritshmëri e tillë cinike dhe dinake njëherazi (për shembull duke i lënë njerëzit të zhyteshin deri në grykë në grackën e piramidave financiare) me epilog shkatërrimin, konstatohet edhe deri në prag të marsit të hatashëm të vitit ‘97. Nuk ka asnjë dyshim se krahas karakterit nekrofil, në këto shkatërrime ka dhe shkaqe të tjera që harmonizoheshin me luftën për pushtet absolut (sikundër nevoja për të rikthyer “antikomunizmin” si slogan) apo me përfitime korruptive.

Por gjithçka kuadrohet saktë në karakterin nekrofil të kryeliderit që përveç sundimit absolut mbi këdo, gjithçka dhe pafundësisht (tipar që për Berishën është tipik) shtyhet deri edhe tek shkatërrimi dhe rrënimi i gjithçkaje. Jo rastësisht thelbi i çdo aksioni berishist është shkatërrimi. Edhe kur ndërtonte një rrugë si Rrëshen-Kalimashi, qeverisja berishiste fshihte një thelb destruktiv. Rrënimin e financave publike. Edhe në dokumentet e FMN, ky megainvestim i akuzuar edhe për megakorrupsion, komentohet si një ndër shkaqet e rritjes së frikshme të borxhit publik të Shqipërisë në ato vite duke bërë që fantazma e krizës greke të nxjerrë kokën në horizontet e ekonomisë shqiptare.

“Karakteri nekrofil shprehet edhe në bindjen se forca dhe dhuna janë rrugëzgjidhja e vetme e një problemi apo konflikti” – thotë Fromm. Ne kemi parë sa të dhunshëm janë Berisha dhe berishizmi si në pushtet ashtu edhe në opozitë. Për të përmendur fare pak dhe kalimthi: në pushtet përdori deri edhe dhunën e shërbimit sekret (SHIK) për të goditur kundërshtarët ndërsa në opozitë u shty deri edhe te grushti i armatosur i shtetit apo hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë.

Sikundër është e qenësishme për karakteret nekrofile, në rrafshin politik Berisha dhe berishizmi nuk synojnë ta mundin por ta shkatërrojnë kundërshtarin. Taktika mbetet ajo e përqendrimit të sulmit te lideri kryesor i opozitës. Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar kundër Fatos Nanos, në vitet ‘10 të këtij shekulli kundër Edi Ramës në aleancë me Fatos Nanon. Ndërkaq, ndër më flagrantët synime destruktive të Berishës, mbetej synimi për të rrënuar standardet e moralit publik. Riemërimi në poste i ministrave të akuzuar për korrupsion si Lulzim Basha apo Fatmir Mediu, trajtimi me mospërfillje i akuzave që ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti i bëri në atë kohë zëvendëskryeministrit Ilir Meta si gjoja çështje të LSI-së dhe jo të Qeverisë, apo komentimi i lidhjeve familjare të ministres Majlinda Bregu me biznese mafioze si “punë kunetërish pa rëndësi”, qenë sfida ndaj ndjeshmërisë publike, teste për të parë sesa poshtërsi në qeverisje qe në gjendje të durojë lëkura e taksapaguesve shqiptarë.

Ndërkaq milionat e shkuara dëm për rikonstruksionin e Piramidës si Teatër, për projektet e mëparshme për godinë parlamenti apo rikonstruksionin e sallës së Parlamentit, janë një pikë shi në oqeanin e humbjeve që destruktiviteti berishist i ka shkaktuar ekonomisë shqiptare në dy dekada tranzicion. Qenia e një lideri destruktiv si Berisha në krye të politikës dhe të një shteti pa institucione të afta për ta frenuar këtë destruktivitet, është shoqëruar me pasoja të rënda edhe në fushën e ekonomisë. Jo rastësisht, në 5 vitet më të para të qeverisjes berishiste u shkatërrua e gjithë industria dhe rrjeti i transportit hekurudhor si dhe ai i hotelerisë të trashëguar nga sistemi komunist. Askund në vendet fqinje me Shqipërinë apo edhe në ato të tranzicionit më të thellë Lindor, prona publike e trashëguar nga sistemi i vjetër nuk përjetoi një rrënim kaq me rrënjë, në fakt, një çrrënjosje.

Brenda pak vitesh, Shqipëria u shndërrua nga një vend që ndërkombëtarisht klasifikohej si industrial, në një vend pa industri të rëndë, thuajse pa fare industri të lehtë dhe me një bujqësi në paralizë e degradim gjithnjë e më të total. Industria, disa me makineri shumë moderne, u shpallën të vjetruara. Natyrisht këtë plojë nuk e bëri vetëm karakteri nekrofil i Berishës. Në gjithë këtë gjëmë ka hyrë në lojë edhe ajo që From e quan destruktivitet spontan i masave që edhe pse jo i rrënjosur në karakter, kur gjen kushte objektive (varfëri, mërzi e skajshme, zhvlerësim i individit) shpërthen. Ndërsa në kushtet subjektive të shpërthimit masiv të destruktivitetit hyn edhe solidariteti narcist i grupit të fanatikëve rreth liderëve nekrofilë si Berisha.

Me rezonancën e faktorëve të tillë shpjegohet gjëma 20 vjeçare që ka ndodhur dhe vazhdon në Shqipëri. Ndikim negativ kanë patur edhe interesat e pushtetarëve të lidhura me një privatizim korruptiv. Uzina, kombinate, fabrika liheshin të degradoheshin sepse fitimet e pushtetarëve të korruptuar rriteshin në progres gjeometrik në raport me rrënimin e objekteve që privatizoheshin. Ishte koha ideale për të rrëmbyer. Prona publike ishte një “krim” dhe çakejtë e korrupsionit u turrën ta gllabërojnë. Ajo ç’ka ka mbetur sot nga industria e dikurshme i ngjason një skeleti dinozauri të zhvatur egërsisht. Këtë gjëmë e kupton më mirë shtresa e inxhiniereve dhe teknikëve që kishin punuar për krijimin e industrisë në Shqipëri. Por nuk shprehet se ka frikë. Sepse berishizmi shkatërron njeriun, terrorizon lirinë e tij.

Edhe bujqësia nuk mbeti e paprekur nga fryma e destruktivitetit. Një bazë e fuqishme mekanike e bujqësisë i tret si kripa në ujë. Por goditjen e fundit e dha anarkia që përmbyti fshatin. Në rezonancë me frymën e lidershipit, njerëzit shkatërruan një rrjet të tërë kullimesh, pritash, digash dhe drenazhesh. Jo rastësisht nëpër media nisi të flitej gjithnjë e më me alarm për shtimin e përmbytjeve dhe rishfaqjen e kënetave, shfarosjen e frutorëve, rrafshimin e pyjeve, gërryerjen e lumenjve.

Në një studim të kryer nga Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar në vitin 1992 ka bërë një fotografim të gjendjes së ekonomisë shqiptare pikërisht në momentet e kolapsit të sistemit komunist. Të dhënat statistikore të paraqitura në atë studim tregojnë se duke filluar nga viti 1981 e deri në 1990, ishte sektori industrial ai që jepte kontributin më me peshë në prodhimin e përgjithshëm. Ndërkaq, të dhënat statistikore për 20 vjet të tranzicionit dëshmojnë se nga viti në vit ka ardhur duke u rudhur ndjeshëm pesha e industrisë dhe bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Me këtë ndryshim drastik strukturor të prodhimit të brendshëm lidhen probleme të mëdha sociale që vuan edhe sot e kësaj dite vendi, sikundër janë varfëria dhe papunësia masive. Dhe papunësia në vende si Shqipëria pa mbrojtje të fuqishme sociale është, në shumicën e rasteve, rrënimi i jetës së njeriut. Po a duan t’ia dinë karakteret vdekjedashëse që “qeverisin”, për jetët e njerëzve? Për nekrofilët jetët e njerëzve janë vetëm statistika apo ca pak pikë të rreme përqindjeje, në kurbën tashmë të pamposhtur të papunësisë.

Pyetja që shtrohet sot lidhur me industrinë e trashëguar nga komunizmi është kjo: A është shfarosja e saj një krim kolosal apo një dukuri e tillë qe një domosdoshmëri e reformës ekonomike? Vështirë të pranosh se rrafshimi i një industrie mund të jetë produkti i domosdoshëm i një reforme ekonomike. Eshtë e vërtetë se një pjesë e industrisë së trashëguar ishte e vjetruar. Por zgjidhja ishte rinovimi dhe rikapitalizmi i kësaj industrie me anë të politikave të shkathëta privatizuese investim-sjellëse, e jo hedhja e saj në koshin e plehrave me anë privatizimesh më së shumti korruptive, sikundër mjerisht edhe ndodhi.

Në 5-vjeçarin e parë të tranzicionit, qeveria berishiste hodhi në koshin e plehrave një pasuri materiale dhe jo materiale, të akumuluar nga publiku me mund e djersën e pesë dekadave. Në themel të kësaj plangprishjeje është natyra destruktive e politikanit Sali Berisha, si dhe viktimizimi nga ai të gjithçkaje, në këtë rast edhe të industrisë dhe ekonomisë, në funksion të luftës për pushtet. Këtë nuk e pohon vetëm autori i këtij libri por edhe disa që sot janë miq të Berishës. Vetë, Fatos Nano, kryeministri i parë socialist i tranzicionit, ka pohuar në një intervistë:

”…ne mund të kishim aplikuar më shumë gradualitet në tranzicion, veçanërisht në reformat ekonomike, për të mos shkatërruar krahas kohezionit social, strukturën ekonomike dhe resurset që mund te shpëtoheshin për të konkurruar në tregjet e hapura”. (Intervistë me Blendi Fevziun, Jeta Ime, fq. 133)

Dhe shtjellimi i mëtejshëm i mendimit nga Nano nxjerr përgjegjësinë e Berishës si politikani që ishte zemra dhe truri i aksionit opozitar të atëhershëm. Sipas asaj që pohon Nano:

”Ishte shumë e mundur të shpëtohej shumëçka, aspak gjithçka, por struktura materiale që mund të vazhdonte të prodhonte dhe për shkak se u bllokua dhe u shkatërrua edhe me greva politikisht te arsyetuara, por pa sens për gjendjen ekonomike te vendit, mund të na kishte kursyer një pjesë të konsiderueshme të ndihmave dhe të fondeve të asistencës që kemi marrë nga bota për të mbijetuar ose për të rivënë në punë një ekonomi ndryshe”. (Po aty, fq. 133)

Për të gjitha këto kryepërgjegjës ishte Sali Berisha që frymëzonte destruktivitetin. Nano flet edhe përvojën ndryshe të vendeve si Bullgaria apo të disa shteteve Baltike që për shkak se “evituan shumë nga efektet negative të emocioneve politike” u bënë ekonomi shumë kompetitive duke thithur shumë investime të huaja. Si të ngjashme me përvojën shqiptare Nano përmend keqardhjen që i ka shprehure ish-kryeministrit rumun, Vakaroiu, për shkatërrimin e industrisë petro-kimike me të cilën, vendi i tij, do të qe “shumë më tepër në pozita konkurruese në tregjet europiane sesa pa të”.

E ç’mund të thuash sot për Shqipërinë ku u rrafshua thuajse gjithë industria e rëndë dhe e lehtë? Intervista është dhënë në një kohë kur Fatos Nano ka nisur t’i ndjekë ambiciet e tij politike i pozicionuar jo më përballë por në krah të tashmë ish-kundërshtarit të tij 20 vjeçar, Sali Berisha. Prandaj në ligjëratën e tij gjenden pohime tepër të buta, madje justifikuese për agresivitetin e PD para marrjes së pushtetit. Jo rastësisht Nano e përkufizon këtë agresivitet si një prirje të arsyetuar politikisht. Por të vërtetat ulëritëse e detyrojnë gjithsesi, të evidentojë sado pak, rolin destruktiv të Berishës në gjithë këtë histori. Ndaj Nano shton:

”Shpesh kam arsyetuar, sidomos me dhe pas takimit të famshëm te Triestes, përse nuk arriti Berisha asnjëherë të dëgjonte zërin e arsyes së tij, apo të rrethit të tij shoqëror, që nuk shquhet për ndonjë aventurizëm, për të paktën sa e di unë. Apo të ne interlokutorëve politikë dhe intelektualë të skenës së parë pluraliste në Shqipëri pas rënies së komunizmit? – për më pak agresivitet, edhe për më shumë racionalitet në administrimin e tranzicionit. Pikërisht ishte ngutja për të kapur pushtetin dhe, pra, formulat e gatshme të qeverive perëndimore, të cilat, po të kishin më shumë qetësi dhe një mjedis për arsyetim midis partnerëve politikë dhe profesionistë, pavarësisht se çfarë rreshtimi i përket, do të ishin bërë shumë më efikase në kushtet tona! Prandaj nuk e kontestuam pa arsye në ato fillime efektin tepër negativ të teorisë së çekut te bardhë apo të reformave-blanket të Pashkos”. (Po aty, fq. 135)

Të gjitha këto janë të vërteta. Por duket se Fatos Nano nuk kupton (ose nuk ia do interesi politik të kuptojë) se agresiviteti destruktiv i Berishës më shumë se çështje arsyeje apo vetëdijeje, është çështje karakteri dhe pavetëdijeje. Berisha qe i paaftë të dëgjonte zërin e arsyes sepse ishte i sunduar nga libidoja e ndrydhur e natyrës së tij destruktive e cila, mund të gjente shfryrje vetëm te një pushtet absolut. Ndaj mund të vetplotësohej, sikundër edhe ndodhi, jo nëpërmjet forcës së arsyes por vetëm nëpërmjet “arsyes” së forcës shkatërruese të çdo gjëje që i bëhej pengesë pushtetit absolut.

Arma politike e Berishës nuk është arsyeja por instikti dhe pasione të pakontrolluara. Çelësi i suksesit të Berishës qëndron në faktin se, duke shfrytëzuar me dinakëri momentin historik, e vuri arsyen e elitave ekzistuese, përballë presioneve e instikteve të turmave që i ekspozonte si “popull” dhe në emër të “demokracisë”. Ai arriti t’i trembë, t’i strukë elitat teknokrate me presione dhe kërcënime të natyrave nga më të ndryshmet. Në fakt, rrënimi dhe grabitja e industrisë, u bë edhe një nga rrugët e akumulimit fillestar të kapitalit nga një klasë politike shumë e korruptuar. Pasojat e këtij akumulimi kriminal po ndihen dhe do të ndihen për një kohë të gjatë në Shqipëri.

Karakteri destruktiv nxjerr kokë kohë pas kohe, në ato që thotë e bën Berisha. Edhe në shtator 2010, në fund të sezonit turistik, ai kërcënoi se do të shkatërroheshin të gjithë hotelet e atyre pronarëve që derdhnin ujërat e zeza në det. E mbi ç’bazë ligjore do bënte të tilla shkatërrime? Pse te shkatërrimi i pronës private e gjen zgjidhjen një shtetar apo te ligji dhe penalizmi i atyre që cënojnë interesin publik? Gjithçka provon se arroganca, mentaliteti i të fortit në pushtet, prevalojnë në mendësinë e Berishës mbi ligjin dhe shtetin ligjor. From shkruan:

”Sa më shumë ndiente të lëkundej fitorja, aq më tepër shfaqej Hitleri shkatërrues: çdo hap drejt thyerjes do të kushtonte ploja të shumta”. (Erich Fromm, Anatomia e Destruktivitetit Njerëzor, vëll 2, fq. 348)

Ka ndodhur ekzaktësisht kështu edhe me Berishën. Viti i zi 1997 (dhe u bë i tillë për shkak të Berishës) është prova sesi ky karakter destruktiv arriti apogjeun me shkatërrimin e shtetit në momentin e thyerjes së pushtetit. Edhe pasi u rikthye në pushtet në 2005, ai iu përvesh shkatërrimit të sofistikuar të demokracisë dhe ardhmërisë europiane të Shqipërisë “me ligj dhe demokraci”. Dhe objekti kryesor i këtij destruktiviteti është liria e njeriut.