Berisha: një hajdut si ne, një pervers si ne natyrisht

0
87

Nga Bledi Mane

– Viti 1670/ Kronisti dhe udhëtari i Perandorisë Osmane Evlia Çelebi boton kujtimet e tij nga Shqipëria e asaj kohe. Kudo ku shkon përshkruan natyrën e bukur të vendit tonë, njerëz të ashpër dhe fodullë, dembelizm kolektiv që ia kalon edhe Stambollit tradicional, pabesi, vjedhje…
– Prill 1939/ Italia fashiste pushton Shqipërinë, por gjen në Tiranë Pallatin Mbretëror dhe arkën e depozitave të Bankës së Shqipërisë bosh. Mbreti Ahmet Zogu kishte marrë me vete familjen dhe pasurinë monetare kombëtare.
– Shkurt 1943/ Kapiteni anglez J. Hibberdine, i ardhur në vendin tonë për të ndihmuar lëvizjen kombëtare antifashiste, mbetet i befasuar nga realiteti që gjeti në tokën e… shqiponjave. Zotëria e tij shkruan pa ekuivok në ditarin personal të memuareve: “Sa i lumtur do të isha nëse do të rikthehesha përsëri në botën e civilizuar.

Të kisha mundësi që të bëja një banjë me ujë të ngrohtë si dhe të lahesha kur të doja, të isha midis njerëzve të cilët ti ju ke besën, të ulesha në karrige dhe jo përtokë, të haja ushqim të gatuar përsëmbari dhe të shërbyer në mënyrë të kulturuar dhe jo të rrethohem nga pisllëku, qelbësirat dhe njerëzit pa edukatë. Dy muaj në këtë vend, janë sa për dy vjet në shërbim jashtë vendit. Duke mos pasur asnjë besë tek njëri-tjetri, shqiptarët janë të paaftë për të luftuar pasi kanë dyshime se sapo të fillojë beteja, secili do ja mbathë duke e lënë tjetrin në baltë.

Janë mendjemëdhenj dhe mburravecë, duke mos pasur asnjë arsye të jenë të tillë. Nuk kanë kurajë, këmbëngulje, vazhdimësi dhe ju mungon sensi i nderit. Janë si fëmijë, dhe si të tillë zihen me njëri-tjetrin. Qeshin vetëm me fatkeqësitë e të tjerëve dhe me siguri që do të vdisnin së qeshuri nëse ndonjëri nga ne do të rrëzohej në greminë. Është një fatkeqësi e madhe që një vend kaq i bukur nuk banohet nga një racë më e civilizuar”.

– Në të njëjtën periudhë të Luftës së Dytë Botërore një tjetër ushtarak i koalicionit antifashist, Majori Britanik Richard Ridell do të klithte: “O Zot, paskam ardhur në Mesjetë”.
– 1945-1948/ Qeveria komuniste e Enver Hoxhës fillon grabitjet në masë ndaj pasurive të klasës së mesme dhe aristokracisë shqiptare. Shtetëzohet çdo aset, tokë, manifakturë, flori, banesa dhe burgosen eksponentët e kapitalizmit të brishtë shqiptar. Vidhet në emër të popullit.
-1991-1997/ Ligji i famshëm 7501 i shpërdorimit dhe dhurimit të tokës dhe pasurive të tjera publike i bërë në anarshi të plotë, legalizoi vjedhjen më të madhe kolektive të bërë në Shqipëri me pasuritë e patundshme. Më pas në kohë, skemat piramidale finalizuan një tjetër vjedhje me suport qeverisës që mund t’i bëhet popullsisë së një vendi në depresion politiko-ekonomik.

– 1998-2005/ Shqipëria nën qeverisjen e “Socialistëve të I-rë” thyen rekordet evropiane të korrupsionit dhe vjedhjes. Konkursi kombëtar “Kush do të bëhet milioner” nxori në finale dyshen Fatos Nano-Ilir Meta. Fituesi nuk u shpall asnjëherë, loja qëndron ende e hapur.
-2005-2009/ Erdhi në pushtet me “duar të pastra” Partia Demokratike e tropojanit Sali Berisha, por në pranverën e vitit 2008 e humbi durimin. Fillon eksperimenton një lloj grabitjeje “alla meksikano-kolumbiane” të paparë ndonjëherë në Evropë: vidh duke vrarë njerëz të pafajshëm, vrit duke vjedhur edhe lirine e medias për të mos rënë shumë në sy…

– Qershor 2011/ Organizata e njohur ndërkombëtare Transparency International publikon një raport therës dhe mjaft kritik ndaj politikës qeverisëse në Shqipëri. Alarmi i kësaj organizate nxjerr në pah se ngërçi politik në vend ka penguar reformat këto vitet e fundit. Sistemi gjyqësor ka nevojë të reformohet në mënyrë që të sigurojë pavarësinë, përgjegjësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve. Mungesa e vullnetit politik po pengon përpjekjet për të luftuar këtë fenomen ne Shqipëri. Qeverisë shqiptare i kërkohet të bëjë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve antikorrupsion, të ndërtojë kapacitete dhe të përmirësojë qeverisjen e institucioneve kryesore…

…Historia bardhë e zi dhe pa lustra tregon hapur fare se nga vijmë, si jetojmë dhe çfarë të ardhme po gatuajmë. Në fakt, historikisht psikoza kolektive shqiptare gjithmonë ka kërkuar ta transferojë fajin, gabimin ose mëkatin (kur punët nuk na ecin mirë) ose te komshiu magjistar, ose te syri i keq, ose te xhelozia e atyre që na rrethojnë. Nuk hezitojmë të mallkojmë politikanët tanë që na qeverisin ndërkohë që sa here na thërrasin për zgjedhje bëjmë rolin e indiferentit deri të shtunën në darkë dhe pa u gdhirë mirë e diela zëmë radhë tek qendra e votimit. Duam s’duam kemi afeksion të brendshëm për liderët tanë… duam s’duam gjejmë veten tonë te personaliteti i deformuar i tyre…

Po e shikojmë live në çdo televizion sesi Arben Ristani i KQZ-së po manipulon dhe vjedh votat tona. E dimë të gjithë që edhe Benit edhe Tom Ndrecës së Kolegjit Zgjedhor urdhrin ua dha në mënyrë indirekte Doktor Sala që të manipulonin humbjen e Lulit të Xhelalit dhe zyrtarisht do të jenë të mbrojtur për aq kohë sa të jetë PD-në pushtet. Po mos harrojmë, a nuk vjedh kështu edhe furrxhiu i lagjes tonë me urdhër të pronarit të tij? Nuk ka dyshim që bukën e përditshme e blejmë më shtrenjtë, më pak në peshë dhe me pigmentet e nakatosura si mos më keq për tu dukur si bukë bio? E hamë bukën dhe heshtim.

Po doktori te spitali publik që të merr para për operacionin e familjarit tënd, t’i shet barnat (që janë falas) me lekë në dorë, infermieria që nuk ta shpon bythën pa i dhënë 200 lekëshin, po sanitarja që ta fermenton jashtëqitjen aty te oturaku poshtë krevatit tënd po nuk i dhe bakshishin, mos të duken më ndryshe nga qeverisja e Saliut?

E kemi parë veten sa keq i ngasim makinat në rrugë dhe semaforët shqiptarë gjithmonë jeshilojnë? Ne nuk lidhim rripin e sigurimit për pordhë dhe kur vdes dikush pëshpërisim se mund të shpëtonte po ta kish lidhur atë dreq rrip. Kështu bëri edhe Saliu me Gërdecin dhe 21 janarin. E harruat?

E kemi dëgjuar veten sa shumë ulërasim dhe gënjejmë kur flasim në telefon që të na dëgjojnë të tjerët e tu mbushim mendjen sikur vetëm ne kemi gjithmonë të drejtë? Kështu bën edhe Sala në mbledhje qeverie dhe parlament.

Çuditemi pse Fatmiri i mjedisit, Genci i bujqësisë, Majlinda e integrimit, Petriti i shëndetit bëjnë ashiqare çdo muaj favore të jashtëligjshme ndaj të tretëve, por harrojmë që edhe prindërit tanë kështu paguajnë mësuesit, pedagogët dhe pronarët e universiteteve private për të na sforcuar intelektualisht ne fëmijëve të tyre injorantë, dembelë, fejsbuksa dhe njublloksa.

A nuk sillet Argita dhe Xeni njësoj si fëmijët e kryetarëve të komunave, bashkive, drejtorëve të qarkullimit rrugor, ministrave, shefave të policisë, gjykatësve?
A nuk debaton dhe zihet prej flokësh Rozana Radi me Rezarta Shkurtën siç bën edhe doktor Berisha me opozitën dhe me këdo që e kundërshton?

A nuk tallet me gjithë qytetarët Kryeministri dhe Ridvani i financave me mirëqenien e supozuar dhe bumin ekonomik të vendit siç u tall Griselda 48 orë rresht me jastëkun poshtë fustanit?
A nuk e ndotim detit, rrugën, lagjen, qytetin ne me plehrat tona ashtu siç kërkon ta ndotë Shqipërinë Saliu me plehrat e Berluskonit?

Habitemi kur pasi paguajmë faturën te pub-i në bllok shikojmë se kamarieri na i ka zhytur keq. Nuk kthehemi t’i kërkojmë llogari se na shikojnë klientët e tjerë dhe na shajnë “pabuksa”, kështu bën edhe qeveria me taksat tona dhe ne heshtim duke tretur përgjegjësinë individuale.
E tretim përgjegjësinë individuale kur shohim sesi nëpërkëmbemi sepse kemi dëshirë të nëpërkëmbim të tjerët. Ndjejmë thellë në vetvete se askush nuk është ndryshe, të gjithë jemi njësoj. Ndaj e lemë Sali Berishën të tallet çdo minutë me ne, te personaliteti i doktorit gjejmë të mishëruar veten tonë.

Duke mbyllur siparin e kësaj tragjikomedie folklorike po u kujtoj se gjatë fillimviteve ’90 opozita e atëhershme antikomuniste bërtiste me të madhe për regjimin e dështuar të Enver Hoxhës: Të gjithë bashkëfajtorë, bashkëvuajtës të gjithë!
I mora plakut 10 mijë lekë dhe po iki nga Blloku të hapem çik bythësh, do vijë njeri me mua?