Berisha-Nishani, Watergate në Tiranë

0
82

Dy deklarime të jashtëzakonshme të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, hedhin padashur dritë mbi një rrjet të paligjshëm përgjimi. Që përfshin median dhe kryetarin e opozitës. Politika akuzon, janë përgjuar dhe Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm dhe Shefi i SHISH. Dyshimi se është përgjuar dhe një diplomat i rëndësishëm në Tiranë në një bisedë të tij me një zyrtar të lartë shqiptar. Mjetet e paligjshme kanë ardhur nga Malajzia. Detyrimi ligjor i prokurorisë për të mos heshtur për Watergate-n shqiptar

Nga Lorenc Vangjeli, 20 Shkurt 2012

Normalisht, në një vend normal, çdo qeveri nuk do të kishte mbetur dot në këmbë. Në Shqipëri, një skandal i tillë, është lënë menjëherë në harresë dhe është “mbuluar” nga dëbora e këtij fillimviti dhe indiferenca. Dhe me të gjitha gjasat, do të vazhdojë të qëndrojë në heshtje duke iu bashkangjitur dhe një skandal i ri: heshtjen e prokurorisë për të nisur kryesisht, direkt një hetim penal për përgjegjësit, shkaktarët dhe autorët e këtij skandali. Ka shumë pak shanse, për të mos thënë që ekzistojnë zero shanse që prokuroria të hetojë këtë çështje dhe të çojë një dosje në gjykatë. Një vend i mësuar me të keqen, e ka të pamundur ta luftojë këtë të keqe me mjete juridike, sa kohë, vetë e keqja, shkaktohet me vullnet politik dhe nga aktorë politikë.

Në fillim ministri i brendshëm në një emision televiziv, më pas, edhe vetë kryeministri në mbledhjen e komitetit ndërministror të emergjencave, jo thjesht pranuan, por së paku konfirmuan ekzistencën e përgjimeve të paligjshme telefonike. Janë përgjuar shtetas të ndryshëm, por me të gjitha gjasat, janë përgjuar edhe media të rëndësishme në vend. “Për situatën e krijuar nga bora ka pasur dhe janë verifikuar telefonata false nga kafenetë e Tiranës”, tha ministri i brendshëm Bujar Nishani duke iu përgjigjur Ilir Babaramos në News 24.

Shumë më larg shkon, sipas zakonit, vetë kryeministri. Ai saktëson edhe individin që ka shpërdoruar thirrjet telefonike. Ai është Edi Rama, kryetar i partisë socialiste. “…ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformimi të pashembullt me telefonata, njofton se këtu u shembën dhjetë shtëpi, se në katër shtëpi janë zënë brenda gjithë të tjerët…”. Këto konfirmime janë dy elementë dramatikë për të dëshmuar se çfarë po ndodh përtej perdes në Shqipëri.

Shërbejnë për të provuar atë që shumëkush e flet në Tiranë, por pakkush kujtohet ta konsiderojë si absolutisht skandalin më të madh që ka ndodhur në këto dy dekada pluralizëm: qeveria përgjon në mënyrë të paligjshme kundërshtarët e saj. Sipas asaj që thotë kryeministri dhe ministri i brendshëm, janë përgjuar kryetari i opozitës, media dhe qytetarë të veçantë. Sipas asaj që është artikuluar në mënyrë publike, në rrjetën e përgjimeve është përfshirë edhe Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm, shefi i SHISH, deputetë të opozitës dhe personazhe të tjerë publikë në vend.

Dhe së fundi, me një konfirmim jo zyrtar që vjen nga një rrjedhje informacioni nga vetë ministria e brendshme, është përgjuar dhe një diplomat i rëndësishëm i akredituar në Tiranë në bisedë me një nga politikanët më të rëndësishëm të maxhorancës. Një akt i kryer në qendër të Tiranës nëpërmjet përgjimit ambiental. Në një aksion që u dekonspirua nga rrethana tërësisht banale prej vetë autorëve të përgjimit.

Ministri i Brendshëm

Zoti Nishani konfirmon publikisht se janë “…verifikuar telefonata fallso nga kafenetë e Tiranës…”. Ministri i brendshëm në këtë mënyrë i referohet një numri telefonatash që janë bërë në qendrën e emergjencës për shkak të situatës së rënduar të motit në Shqipëri. Edhe pse nuk e përmend, i referohet edhe telefonatave – më saktë, kryesisht këto lloj telefonatash ka parasysh – që janë kryer në numrat e afishuar nga një numër mediash vizive dhe të shkuara, ndaj të cilave ka pasur thirrje hyrëse nga qytetarë që pretendonin vështirësi dhe kërkonin ndihmë për shkak të situatës.

Çfarë do të thotë janë verifikuar këto telefonata dhe që rezultati i verifikimit të tyre është se ato janë kryer nga kafenetë e Tiranës? Do të thotë se janë verifikuar numrat e telefonave që kanë bërë thirrje hyrëse në këto numra të mediave. Dhe nëse i besohet ministrit, do të thotë, që sipas analizimit të sistemit të antenave të kompanive celulare, ka dalë që ato janë kryer nga antenat e zonës së Tiranës dhe jo nga Veriu i vendit.

Deri këtu, ngjan një skenar i cili ka dy pjesë: e para, qytetarë të papër­gjegjshëm tallen me situatën duke krijuar kosto tërësisht të panevojshme shtesë për operacionet e ndihmave, e dyta, struktura të caktuara politike kërkojnë të rëndojnë artificialisht gjendjen përballë perceptimit publik për paaftësinë e qeverisë për të reaguar në këtë situatë. Ky skenar ekziston vetëm nëse i besohet ministrit në deklarimin e tij, por kjo mbetet për t’u verifikuar. Skenari tjetër, tërësisht i vërtetuar nga deklarimet e ministrit dhe vetë kryeministrit, është tmerrësisht më i zymtë. Si është bërë ky verifikim? Mbi çfarë baze ligjore? Kush e kreu dhe pse? Përgjigjet mund të gjenden në Kodin e Procedurës Penale. Që shpjegojnë mënyrën e vetme ligjore se si do të realizoheshin këto “verifikime telefonatash”.

Në një grup nenesh, nga neni 221 deri në nenin 226, në seksionin IV të Kodit të Procedurës Penale, shpjegohet gjithë mënyra sesi mund të realizohet përgjimi apo në rastin konkret, verifikimi i telefonatave. Nis me urdhërimin se “Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji… lejohen vetëm kur procedohet për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet…”.

Por për të mbërritur deri këtu, vendimi për lejimin e përgjimit, kërkon plotësimin e disa kushteve. Ai bëhet: “Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës…”. Më tej: “Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori”.

Kështu thotë ligji. Pjesën tjetër duhet ta thotë kryeministri dhe ministri i tij i brendshëm se në janë plotësuar këto kushte për të mbërritur në deklarimet e tyre publike. A ekziston një vendim gjykate për të vënë në përgjim numrat e mediave? Kur është marrë ky vendim dhe a vazhdon të jetë në fuqi? Nëse është kështu, a do të ketë një hetim, do të ketë përfundim të tij dhe vënie përpara përgjegjësisë së personave për­gjegjës? Ka shumë pikëpyetje që ngrenë dy deklarimet e lëshuara me lehtësi të padurueshme dhe sipas zakonit shqiptar nga dy zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar. Madje ka dhe më shumë se kaq.

Nga ky moment, mediat së paku, që marrin dijeni për këtë fakt, kanë të drejtë që të bëjnë ankim kundër vendimit për përgjimin e tyre. Dhe, “Ankimi shqyrtohet nga gjykata e apelit ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se autorizimi është dhënë nga prokurori. Kur ankimi gjendet i drejtë, gjykata e apelit ose Prokurori i Përgjithshëm shfuqizojnë aktin që autorizon përgjimin dhe urdhërojnë fshirjen e çdo materiali të marrë nga përgjimi”. Koha e shkurtër – pak më shumë se 24 orë – që nis me telefonatat e “dyshuara” dhe deklarimin e Berishës dhe Nishanit për verifikimin e tyre – e bëjnë të pamundur realizimin e gjithë kërkesave që kërkon ligji për të kryer përgjime të ligjshme. Mbetet të besohet e kundërta.

Kryeministri

Natyrisht që ka vajtur shumë më larg se ministri i tij i brendshëm. Duke deklaruar se Edi Rama ka ngritur “…një rrjet dezinformimi të pashembullt me telefonata”, ai pranon direkt se për të arritur në këtë argument – gjithmonë nëse thotë të vërtetën – ka siguruar provat…

…se Edi Rama ka urdhëruar ngritjen e këtij rrjeti. Dhe një gjë të tillë, kryeministri mund ta mësojë vetëm nëpërmjet tre formave, ose duke përgjuar telefonatat e Edi Ramës, ose duke bërë përgjime ambientale të Edi Ramës, ose duke pasur “bashkëpunëtorë” të tij brenda bashkëpunëtorëve të Edi Ramës. Dy variantet e para janë të dënueshme penalisht, i fundit, i dënueshëm edhe moralisht. Ka dhe një mundësi të katërt që nuk mund të përjashtohet.

Edhe kryeministri, edhe ministri i brendshëm, të dy veç e veç dhe të dy së bashku, gënjejnë publikisht. Të vënë në vështirësi serioze për shkak të situatës së krijuar, ata kanë zgjedhur të shpërndajnë përgjegjësinë. Në këtë rast, duke treguar se situata është shumë më rozë në krahasim me të zezën sterrë që tenton ta paraqesë selia rozë. Dhe më rozë sesa e përjetojnë realisht vetë fatzinjtë që i ka zënë mallkimi i bardhë i dëborës. Por edhe kjo mundësi e katërt, është e dënueshme rëndë moralisht dhe politikisht.

Prokuroria

Në harkun e dhjetë ditëve të fundit, prokuroria është njohur me një deklarim publik të deputetit Dritan Prifti. Ish-ministri i ekonomisë denoncoi një rrjet të paligjshëm përgjimesh. “ Më kanë përgjuar 24 orë në telefona, në makinë, në shtëpi, në zyrë, në ambiente private, vend e pa vend. Ka qenë një grup mafioz që ka punuar rreth një vit rresht për të më përgjuar mua 24 orë. Nuk e bëjnë vetëm për mua. Nga informacionet që kam, ata përgjojnë Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e opozitës, opozitarë të tjerë, përfaqësues mediash.

Është një grup mafioz, nuk e di a është Spartak Braho në krye apo jo, brenda Shqipërisë, që bën këto gjëra me pajisje përgjimi të blera në Bari të Italisë dhe nga sa di unë, me origjinë ruse, që bëjnë këtë lloj masakre, shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privatësisë të personave publikë, por edhe personave të thjeshtë në këtë vend”. Në fakt, e vërteta e Priftit tingëllon tronditëse. Prokuroria në mënyrë automatike duhet të hetojë për vërtetësinë e saj. Shenjat janë që Prifti ka thënë të vërtetën. Madje një pjesë të saj. Mbas publikimit të videos së tij të parë, një grup i policisë së shtetit, një segment i saj që nuk komandohet as nga ministri Nishani dhe as nga drejtori i policisë Burgaj, e ka ndjekur pa ndërprerë deputetin kontravers.

Diku nga marsi dhe prilli i vitit të kaluar, madje, këtij grupi i është shtuar dhe një i dytë duke krijuar një zinxhir absurd: përgjim i përgjuesve të përgjuesit. Pa kërkesë të prokurorit. Pa vendim gjykate. Për më shumë, duke përfshirë në target, edhe vetë kryetarin e shtetit, kryetarin e opozitës, kryeprokuroren, shefin e SHISH dhe njerëz të medias. Nëse prokuroria vazhdon të heshtë dhe të mos veprojë në këtë drejtim, më së paku ajo mund të vihet dhe vetë nën akuzën jo vetëm morale të mos përmbushjes së rregullt të detyrës. Sepse njerëzit e akuzës e njohin mirë çfarë urdhëron përballë tyre neni 23 i Kodit Penal për përgjimet e paligjshme: “Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike…, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.

Mjetet, diplomati dhe një zyrtar i lartë

Prifti flet për pajisje përgjimi të blerë në Bari, Itali dhe me origjinë ruse. Burime konfidenciale, përtej Priftit, konfirmojnë ekzistencën e këtyre pajisjeve, por me një ndryshim: vijnë nga më larg se Rusia e largët. Vijnë nga Malajzia. Të tjera burime përmendin se për herë të fundit, këto pajisje janë përdorur për të përgjuar në mënyrë ambientale bisedën në një lokal mes një zyrtari të lartë shqiptar dhe një diplomati të rëndësishëm të akredituar në Tiranë. Natyrisht në mes të Tiranës.

Është e pamundur për mjetet mediatike që ka në dispozicion revista Java të jepet prova përfundimtare për këtë skandal. E rëndësishme është që të kuptohet, që duke u nisur qoftë dhe vetëm nga deklarimet e kryeministrit, ministrit të brendshëm dhe deputetit Prifti, të gjitha variantet e mundshme të së vërtetës dëshmojnë se e keqja në Tiranë ka vajtur shumë larg. Dhe se ajo është e pamundur të kurohet me mjete juridike, sa kohë që vetë vullneti politik i jep frymëzim politik shkeljes arrogante të ligjit. Më së fundi, edhe Tirana, fatkeqësisht, njohu Watergate-n e saj. Me një ndryshim, këtu në Tiranë ngjan normale çfarë shkaktoi tërmet matanë Atlantikut, një tërmet dikur që uli në gjunjë një President dhe e bëri SHBA-në një vend edhe më të ndershëm përballë ligjit.

Revista JAVA