
Mero Baze, 02.11.2010
Kryeministrit Sali Berisha do t’i duhet të riformulojë kritere të reja për standardin që duhet të plotësojnë kandidaturat për në Gjykatën Kushtuese, pasi rrëzoi dje tri kandidatura të paraqitura nga Presidenti Bamir Topi, të cilat përmbushnin dy kriteret, për të cilat ai justifikoi vitin e shkuar rrëzimin e dekreteve të tij. Janë të gjithë të shkolluar pas rënies së komunizmit dhe nuk kanë veprimtari politike të cilësuar partiake.
Votimi i djeshëm dhe argumentet banalë që u servirën për opinionin, po shoqërohen në sfond nga një lajm tjetër, sipas të cilit, Partia Demokratike do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të interpretojë kriteret që duhet të përmbushin kandidaturat për anëtarë të kësaj gjykate.
Të gjitha këto lëvizje bosh, në të vërtetë zbulojnë përse janë rrëzuar kandidaturat e tjera vitin e kaluar dhe përse po vazhdojnë të rrëzohen këto sot. Shihet qartë se as përvoja e dikujt në komunizëm dhe as përvoja e të tjerëve në pluralizëm nuk ka bindur dot kryeministrin, i cili synon kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, t’i japë leje deputetëve të vet të votojnë pro tyre. Arsyeja është e thjeshtë.
Sali Berisha nuk është duke kërkuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por njerëz të tij në Gjykatën Kushtetuese. Më e pakta që duhet të bëjnë ata është t’i përngjajnë kryetarit të sapozgjedhur, i cili e nisi karrierën e tij duke u falur së pari në zyrën e kryeministrit.
Duke parë se Presidenti Topi arriti të gjejë kandidatura që nuk i përkasin të kaluarës komuniste dhe që nuk janë as njerëz politik, Berisha i zënë ngushtë po përpiqet të përdorë një procedurë konsultimi me Gjykatën Kushtetuese që të pezullojë kandidaturat deri në një kohë tjetër kur të jetë i gatshëm për të kontrolluar dhe presidentin, ndoshta në vitin 2012.
E gjithë kjo ndodh në një kohë kur ne ishim përgatitur për një fushatë kryqëzuese ndaj Bamir Topit, i cili, sipas Berishës, kishte vonuar në fillim të shtatorit plotësimin e kandidaturave për Gjykatë Kushtetuese.
Presidenti Topi ua ka dërguar këto kandidatura qysh në javën e parë të muajit shtator dhe ato u shqyrtuan në javën e parë të muajit nëntor, duke u rrëzuar.
Kjo e bën të qartë se sulmet që iu bënë dy muaj më parë presidentit për mungesë kandidaturash ishin thjesht presion për t’i çuar Berishës kandidaturat që ai do.
Tani jemi para një situate krejt absurde. Gjykata Kushtetuese nuk po plotësohet me anëtarë dhe Berisha po synon ta paralizojë punën e saj derisa të sigurohet se do ta marrë nën kontroll.
Më 9 nëntor, shqiptarët do të kenë mundësi të dëgjojnë nga Bashkimi Evropian nëse Shqipëria i plotëson kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Unë nuk e di sa argumente kundër i ka dhënë qeveria shqiptare Komisionit Evropian për të na e refuzuar statusin e një vendi kandidat për Bashkim Evropian, ose siç do të thoshte Berisha “ëndrrës më të madhe të shqiptarëve pas kohës së Skënderbeut”, por di të them se mjafton gjesti i kësaj jave kundër dekreteve të presidentit dhe shpalosjes së konceptit për kontrollin me çdo kusht të Gjykatës Kushtetuese, për t’u refuzuar statusi i vendit kandidat dhe sikur t’i kesh mirë gjithë punët e tjera.
Për fatin tonë të keq, ne nuk kemi mirë asgjë tjetër dhe kjo që po ndodh me përpjekjet e vendosura të Berishës për të kontrolluar Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, është një sinjal i frikshëm për Perëndimin, por dhe për qytetarët shqiptarë.
Një kryeministër që po qeveris me një indeks marramendës korrupsioni, i cili po vlerësohet si “mallkim” për popullin shqiptar nga SHBA-të dhe një familje në pushtet, e cila herë- herë mendon se dosjet e djalit, vajzës, apo shokëve e klientëve të tyre do të përfundojnë një ditë para drejtësisë, e kanë jetike të vënë nën kontroll majat e drejtësisë, pasi ato pritet të thonë fjalën e fundit për fatin e tyre të nesërm kur të gjykohen si njerëz që plaçkitën Shqipërinë.
Berishën e gënjen mendja se duke vënë disa servilë të tij në krye të këtyre gjykatave, do të ketë siguri për sot që është në pushtet dhe për nesër. E gënjen mendja! Thjesht është duke marr më qafë Shqipërinë, duke e lënë jashtë listës së Bashkimit Evropian dhe jashtë çdo shansi për të marrë statusin e vendit kandidat.
Ata që Berisha i emëron në Gjykata si ushtarë të tij, ditën që ai do të ikë nga pushteti do të jenë partizanë të varrosjes së tij dhe familjes së tij, për arsyen e vetme se ata nuk janë gjyqtarë, por ushtarë të pushtetit.
Dhe ndërrojnë bashkë me të. Në këtë pikë, nuk jam i dëshpëruar se në dorë të kujt do të mbetet i inkriminuari Berisha dhe Familja e tij pas ikjes nga pushteti, por jam i shqetësuar përse duhet ta vuajmë ne sot frikën e Berishës nga gjykimi i nesërm, i cili larg qoftë, po mbeti në dorë të ushtarëve të sotëm të Berishës do të jetë më i keq se çdo dënim i drejtë nga gjyqtarë dinjitozë.







