TemA, 17 Korrik 2012
Meta nuk e njeh per diktator gjakatar Asad-in
Kryeministri flet në Itali për Pranverën Arabe dhe e quan një diktator gjakatar Bashar Al Asad-in. Premton se do të ndihmojë vendet e Pranverës Arabe. Kryeministri e etiketoi Afganistanin mbretëri të drogës, duke kërkuar ndjesë për këtë etiketim. Kurse për veriun e Kosovës tha se problemi është tek kontrabanda
Vjet shumë media kur flisnin për revolucionin në botën arabe, flisnin edhe për tentativën për ndryshim në Shqipëri, duke na barazuar me Egjiptin, Libinë e Bahreinin.
Sot shqiptarët e kanë harruar 21 janarin dhe kryeministri Sali Berisha ishte një nga lektorët kryesore në mbrojtje të Pranverës Arabe në Itali, në takimin ndёrkombёtar mbi sigurinё globale, me temё “Sfidat kryesore, sot, pёr paqen dhe sigurinё”.
Në fjalën e tij Berisha tha se Libia mbajti zgjedhjet e para të lira dhe të drejta javën e shkuar.
“Të gjithë ne ishim shumë të trishtuar, kur pamë gjakun e derdhur në Libi, por shpërblimi më i mirë për ata që luftuan dhe vdiqën për lirinë, ishin këto zgjedhje dhe padyshim, çmimi ia vlejti. Përndryshe, do të kalonin nga një trashëgimtar tek tjetri, nga Gaddafi tek Saif-i, nga Saif tek Saifi i tretë etj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën fuqinë e tyre për të përmbysur dy diktatorët më të tmerrshëm, Mullah Omar dhe Sadam Hussein,” tha Berisha.
Kryeministri tha se një tjetër diktator mizor po sfidon botën e lirë, duke iu referuar presidentit sirian, Bashar Al Asad.
“Një diktator që ka pasur mundësinë për të hequr qafe trashëgiminë e të atit. Ai dështoi në përqafimin e reformave për të ndryshuar vendin e tij, përkundrazi, ndoqi të kaluarën e të atit dhe adoptoi të njëjtën politikë mizorie dhe shtypjeje. Ai përfaqësonte një minoritet në të gjitha aspektet, në popullsi, në regjim, kudo. Kështu, këta njerëz, ata kanë një thirrje ditore për t’i ndihmuar, pa vendosur një zonë ndalim-fluturimi. Gjaku i derdhur, mizoritë e regjimit, i cili është i armatosur më mirë dhe më i fuqishëm në shumë aspekte, do të jetë shumë e vështirë për opozitën, për të hequr qafe këtë Millosheviçi të ri, Sadami të ri, Gaddafi të ri dhe djali të Asad,” tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se Shqipëria si vend drejtues i Këshillit të Europës po bën përpjekje për të afruar vendet e revolucionit arab me tempullin e demokracisë.
Berisha tha se shpesh është thënë se ato nuk mund të jenë vende demokratike, pasi janë vende myslimane. Por Berisha tha se Shqipëria fakton se Islami është plotësisht i pajtueshëm me demokracinë.
“Departamente e njësi të tjera të Këshillit të Europës mund të jenë shumë të dobishme për këtë vend. Shqipëria po përpiqet të punojë në mënyrë të dyanshme, gjithashtu, nëpërmjet Këshillit të Europës. Për dekada këtyre njerëzve u është thënë se nuk janë një vend demokratik, sepse islami nuk është i pajtueshëm me demokracinë, çka ishte një dogmë e rremë. Ne jemi një vend multifetar. Ne mund t’u japim – dhe ata janë të interesuar – shembullin më të mirë se islami është plotësisht i pajtueshëm me të drejtat dhe liritë universale dhe demokracinë,” tha Berisha.
Berisha foli edhe për Afganistanin, duke e quajtur mbretëri të drogës. Nuk dihet pse, por Berisha kërkoi ndjesë kur e etiketoi kështu Afganistanin.
“Atje, ju kërkoj ndjesë, por është mbretëria e drogave kudo. Kështu lufta për ta larguar këtë vend nga droga është lufta për sigurinë e vendeve tona, të luftojmë për shëndetin e fëmijëve tanë, shoqërive tona. Kur shkon në këtë vend, gjëja e parë që të bie në sy është shkretëtira dhe droga e mbjellë kudo,” tha Berisha.
Në fund kryeministri foli edhe për veriun e Kosovës.
“Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen. Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata janë jashtë kontrollit,” tha Berisha.