TemA Online, 25 Tetor 2012
Pas deklaratës politike të mbajtur nga Berisha në festën e Kurban Bajramit, ku përveç urimeve tha se vitin tjetër këtë festë do ta festojë me një fitore të merituar, ka reaguar deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas tij, hipokrizia e Berishës arrin deri aty se të hiqet si një besimtar i devotshëm, madje dhe të konkurrojë Profetin.
“Sali Berisha përsëri e përsëri! Këtë herë në derë të Komunitetit Mysliman. E dini që Sali Berisha bën si besimtar? Po po! Bën edhe si besimtar! Po nuk del dot nga vetja, mbetet po ai që nuk respekton asnjë rregull, dhunon çdo minutë të gjithkujt, këtë herë të çdo besimtari!
Po a mund të jetë besimtar një njeri që vjedh?
A mund të jetë besimtar një njeri që vret, madje vret në seri?
A mund të jetë besimtar një njeri që flet, sillet, shfaqet sikur po konkurron Profetin?
Kurrë!
Sali, vitin tjetër, ne shqiptarët që besojmë do të gëzojmë pa ty! Ti këtu do jesh, por duke kërkuar falje për çdo të zezë që ke bërë! Zoti të dëgjoftë e bëftë drejtësi edhe për ty”, – shprehet Braçe.